Biznesi japonez ftohet të investojë në sektorin minerar dhe energjetik në Shqipëri
Burimet natyrore shqiptare u promovuan ditët e fundit në kryeqytetin e Japonisë, në Tokio nga zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve natyrore (AKBN), Milo Kuneshka, gjatë një seminari, të organizuar nga JOGMEC dhe AKBN. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga kompanitë më të njohura japoneze në sektorët e nxjerrjes dhe përpunimit të minerareve dhe energjisë, një tregues i rëndësishëm ky, për imazhin pozitiv dhe në rritje të vendit thanë dje burimet zyrtare të ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE). Në takim u bë një prezantim i potencialeve të vendit në sektorin minerar si dhe të kushteve mjaft të mira që ofron Shqipëria për të bërë biznes. Zëvendësministri i METE-s, Bozdo, i njohu investitorët japonezë me reformat e suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare si, vendosja e taksës së sheshtë prej 10%, reforma rregullatore dhe lehtësitë për regjistrimin e bizneseve etj. Bozdo theksoi se qeveria shqiptare ka shpallur prioritet të saj tërheqjen e investimeve të huaja në vend, duke u dhënë mbështetje të vazhdueshme të gjithë investitorëve, vendas dhe të huaj. Përfaqësuesit e kompanive japoneze shprehën interesim mjaft të madh, dhe së afërmi, pritet që të vizitojnë sa më parë Shqipërinë.