E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: Rritja e pagave në 2009-ën, mbi 10%

Rritja e pagave dhe pensioneve në vitin e ardhshëm do të jetë në të njëjtin nivel siç u bërë këtë vit. Një fakt të tillë e ka konfirmuar dje zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, i cili tha se në buxhetin e vitit 2009 është programuar e njëjta rritje pagash dhe pensionesh. “Në buxhetin e vitit që vjen kemi parashikuar që pagat të rriten nga 5 për qind e deri në 15 për qind për ato më të ulëta. I bie një mesatare prej mbi 10 për qind”, - tha Shehu. Ai shtoi se projektbuxheti pritet të miratohet në fund të shtatorit nga ana e qeverisë duke e kthyer në axhendën kryesore të Kuvend për miratim, në fillim të muajit tetor. Numri dy i financave shqiptare konfirmoi se buxheti 2009 do të ketë një shifër rekord shpenzimesh, duke e kthyer atë në buxhetin më të madh që ka pasur vendi. “Në total parashikohen 360 miliardë lekë të reja shpenzime si dhe 320 miliardë lekë të ardhura”, - tha ai. Nisur nga eksperienca e këtij viti, parashikohet që vitin e ardhshëm pagat e funksionarëve të lartë të rriten me 4 për qind, pagat për punonjësit e ministrive dhe institucioneve në varësi të Këshillit të Ministrave rriten me 7 për qind, pagat për arsimtarët në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar rriten me 14 për qind, pagat në sektorin e shëndetësisë, për 12 mijë infermierë dhe 4.700 mjekë në vend rriten me 15 për qind si dhe pagat për punonjësit me paga të ulëta rriten në masën nga 7-15 për qind, sipas kategorive. Këtë rritje pagash qeveria e ka siguruar nga rritja e të ardhurave nga tatimet dhe doganat. Tatimi mbi të ardhurat nga TVSH-ja për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2008 është rritur me 5 miliardë lekë, përkatësisht me 4,5 miliardë lekë nga TVSH-ja në import dhe 500 milionë lekë më shumë priten të arkëtohen nga TVSH-ja e brendshme. Tatimi mbi fitimin është rritur me 4 miliardë lekë më shumë bazuar në ritmet e larta të rritjes së përfituar gjatë pesëmujorit të parë të 2008-ës. Tatimi mbi të ardhurat personale është rritur me rreth 7 miliardë lekë, bazuar edhe për ketë zë, në ritmet e larta të rritjes. Të ardhurat nga taksat doganore, nga pushteti lokal dhe nga kontributet kanë mbetur të pandryshuara në buxhetin suplementar, sipas parashikimeve të bëra për to në buxhetin e vitit 2008. Rritja e të ardhurave nga tatimet dhe doganat për vitin 2009 parashikohet të jetë 7.64 për qind më shumë, krahasuar me buxhetin suplementar të 2008-ës. Nisur nga niveli i parashikuar në rritje i të ardhurave buxhetore krahasuar me periudhën 2009-2011, shpenzimet buxhetore parashikohen që të qëndrojnë në 32% të PBB-së, duke ruajtur konstantë parametrat e parashikuar të deficitit buxhetor

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›