E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi kërkon lehtësi nga qeveria për të përballuar efektet e krizës



Biznesi shqiptar kërkon lehtësi nga qeveria për të përballuar efektet negative që mund të lindin nga kriza globale ekonomike. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Gjok Uldedaj, në një dalje para mediave tha se Dhoma e Tregtisë ka përgatitur një paketë të plotë antikrizë që ka në thelb kurimin e simptomave të krizës ekonomike dhe mbrojtjen e nivelit të punësimit dhe fuqisë blerëse për një periudhë afatshkurtër në vendin tonë. "Një pjesë e propozimeve tona kanë të bëjnë me legalizimin e aseteve tregtare, si një masë që do t’i injektojë ekonomisë vlera të mëdha e të rëndësishme, që sot qëndrojnë jashtë sistemit të ekonomisë formale", - ka deklaruar dje Uldejdaj. Ai bëri publike disa nga propozimet e biznesit që do të lehtësonin aktivitetin e tyre. Në paketën antikrizë, Uldedaj tha se propozohet heqja e TVSH-së për importin e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore; të paguhet TVSH-ja vetëm në rastin e rieksportimit të këtyre makinerive. Të ulet TVSH-ja për importin e makinerive për përdorim në industrinë e ndërtimit dhe vlera e kësaj TVSH-je të paguhet me këste të zgjatura, si dhe heqjen e pagave të referencës për sektorët e ndërtimit, të prodhimit dhe për biznesin e vogël (sh.p.k. ose person fizik). Sipas tij, këto janë programe realiste që ndihmojnë konkretisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me masa konkrete për promovimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale shqiptare. Duke vlerësuar masat që ka marrë qeveria në mbështetje të biznesit të vogël, Uldedaj kërkoi që kjo mbështetje të vijohet më tej në këtë drejtim. "Ne kërkojmë që për sektorë të tillë, si ndërtimi apo eksportet, për të cilët ka skema konkrete financimi, mbështetja të vijohet më me shumë forcë, duke krijuar mundësinë e gjenerimit të vendeve të reja të punës", - tha ai.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›