Reformat; Ekonomia shqiptare merr vlerësime nga agjencia amerikane “Moody’s”
Rritja ekonomike në vitet e fundit, niveli i ulët i inflacionit, lehtësitë fiskale, përmirësimi i ambientit ekonomik për investitorët, rritja e investimeve, si dhe përmirësimi i treguesve energjetikë kanë qenë treguesit, që kanë vlerësuar sërish ekonominë shqiptare nga një agjenci e njohur amerikane. Agjencia e Vlerësimit (rating agjency) “Moody’s” (New York, USA), një ndër 3 agjencitë më prestigjioze në vlerësimin e korporatave dhe vendeve) ka vlerësuar së fundmi me B1 vendin tonë me opinionin (stable outlook).
Ekonomia shqiptare vlerësohet sërish nga institucionet ndërkombëtare të specializuara, për të vlerësuar zhvillimet ekonomike. Agjencia e Vlerësimit (rating agjency) “Moody’s” (New York, USA) një ndër 3 agjencitë më prestigjioze në vlerësimin e korporatave dhe vendeve) ka vlerësuar së fundmi me B1 vendin tonë me opinionin (stable outlook).
Është shumë e rëndësishme të evidentohet se edhe pse në kushtet e përkeqësimit të tregjeve financiare globale, krizës që ka përfshirë pothuajse të gjithë botën, vendi ynë ruan dhe konsolidon një vlerësim të qëndrueshëm. Vlerësimi i dhënë nga Moody’s është një dëshmi e institucioneve ndërkombëtare të specializuara për të vlerësuar besueshmërinë dhe efektshmërinë në qeverisjen e vendit, si dhe është gjykimi më i qartë e i paanshëm i modelit pro reformë, pro biznes dhe pro integrim evropian në politikat ekonomike të ndjekura. Ky është një vlerësim konstant në krahasim me vlerësimin e parë në qershor 2007. Në argumentimin e këtij vlerësimin jepen këto fakte dhe argumente që mbështesin opinionin e tyre për këtë vlerësim të qëndrueshëm dhe me këto karakteristika pozitive.
Agjencia “Moody’s” ka vlerësuar performancën e mirë të ekonomisë me rritje të qëndrueshme të PBB-së për vitet e fundit, nivelin e ulët të inflacionit brenda objektivit 2-4% dhe që është më i ulët se çdo vend tjetër në tranzicion. Vlerësime kanë marrë edhe masat ligjore fiskale me orientim pro biznes dhe drejt uljes së taksave, vazhdojnë të mbështesin rritjen ekonomike, si dhe reformat pro BE, ofrojnë incentiva për investimet e huaja. Agjencia amerikane që bën këto vlerësime ka vënë re se në Shqipëri në një fare mënyrë ambienti shqiptar ekonomik ka pasur një lloj mbrojtjeje nga kriza botërore për arsye të mungesës së sofistikimit të sektorit financiar. Po kështu, përpjekjet që po bëhen në kuadrin e integrimit evropian përbëjnë një bosht orientues të politikave të zhvillimit ekonomik, duke përafruar legjislacionin, institucionet etj. Investimet publike në tërësi, ai i rrjetit infrastrukturor në veçanti, sidomos i kushtohet vëmendje e posaçme aksit rrugor Rrëshen – Kalimash, si një investim për të gjithë rajonin Kosovë-Shqipëri dhe më i madhi i ndërmarrë ndonjëherë nga shteti shqiptar. Përmirësimi i situatës energjetike në vend nëpërmjet menaxhimit më të mirë, si dhe situatës hidrike të favorshme. Gjithashtu, këtu theksohet edhe privatizimi i segmentit të shpërndarjes së KESH-it si një sukses për të rritur eficencën në këtë sektor, si dhe investimet e mëtejshme në energjetikë. Kjo vihet në dukje si sukses në kushtet kur tregjet ndërkombëtare të kapitaleve kanë përjetuar situata jo të favorshme. Është forcuar supervizioni në sektorin bankar e financiar nga Banka e Shqipërisë. Nga ana tjetër, përmenden një sërë çështjesh që duhet të tërheqin vëmendjen e politikëbërësve dhe institucioneve në Shqipëri për të ardhmen, siç janë ulja e remitancave dhe përmirësimi i deficitit të llogarisë korente, si dhe forcimi i institucioneve dhe rritja e parashikueshmërisë së politikave që ndiqen. Agjencia amerikane këshillon zgjerimin e bazës së eksporteve dhe uljen e riskut të bilancit të pagesave. Si mendim i përgjithshëm për vlerësimin (rating) gjykohet si rezultante e peshës relativisht të lartë të borxhit dhe nivelit ekonomik e institucional kundrejt prospektit të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, të bazuar në angazhimin për politika pro tregut.
Mima: Taksat vendore, frenohen ambiciet antibiznes nga komunat e bashkitë
Zëvendësministri i Financave, z. Florion Mima, ka reaguar dje për miratimin nga Kuvendi të ligjit për taksat vendore. Në cilësinë e anëtarit të këshillit bashkiak dhe të zëvendësministrit të Financave, Mima ka përshëndetur dje vendimin e Parlamentit shqiptar, për miratimin me procedurë të përshpejtuar të ligjit për taksat vendore, që iu kundërvu me energji dhe ndershmëri të gjitha qëndrimeve jomiqësore ndaj biznesit të vogël, të vëna re në disa komuna e bashki e veçanërisht në bashkinë më të madhe të vendit, ku taksat vendore po njihnin veç rritje për të kënaqur makutërinë e kryetarëve të tyre për më shumë fonde në funksion të premtimeve të ekzagjeruara elektorale.
“Kjo rritje e sforcuar e taksave arrihej nëpërmjet tre komponentëve kryesorë, që janë përdorimi në maksimum të diskrecionit +30%; prezantimit të taksave të përkohshme, të cilat shpejt ktheheshin në të përhershme, pa pasur autorizim ligjor nga Parlamenti, si dhe prezantimit të taksave të reja të maskuara në formën e tarifave, por që nuk kishin asgjë të përbashkët me logjikën dhe ndërtimin e tarifave”, - ka shpjeguar Mima. Sipas tij, Parlamenti, duke vlerësuar shqetësimet e biznesit të vogël të bëra prezent në të gjitha hallkat e ekzekutivit, në mbrojtje të interesave të kësaj industrie që punëson mbi 100 mijë individë dhe duke i paraprirë çdo mundësie për prekje të këtij sektori nga kriza ekonomike globale, nderoi propozimin e qeverisë duke u vënë fre ambicieve antibiznes të disa komunave e bashkive. “Nga sot të gjitha bizneset e vogla të Shqipërisë duhet të ndjehen më të mbrojtura dhe më të qeta dhe të vazhdojnë të punojnë për të rritur fitimet e tyre pa pasur frikë se dikush mund t’i “gjobisë”, sipas tekave të kryetarit të bashkisë. Kjo ulje e ndjeshme e diskrecionit të pushtetit vendor për të rritur taksat duhet të shërbejë në të njëjtën kohë si një nxitje për të përmirësuar sjelljen e tatimpaguesve të biznesit të vogël, për përmbushjen e detyrimeve të tyre ligjore”, - deklaroi Mima.