E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendra e Licencimit të Biznesit çelet në qershor



QKL, rrjet sportelesh shërbimi në gjithë vendin

Aplikimet për licenca, thjeshtohen procedurat

Në muajin qershor do të jetë gati Qendra e Licencimit të Biznesit. Marrja e një licence do të jetë me një ndalesë, duke dorëzuar gjithë dokumentacionin në një sportel të vetëm. Krijimi i QKL-së bëhet në kuadër të Programit Prag i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë (faza e dytë). Një nga objektivat e këtij programi është komponenti i licencimit të biznesit. Krijimi i kësaj qendre do të reduktojë procedurat për marrjen e një licence në 10 hapa nga 24 që kanë qenë më parë. Duke qenë se i gjithë dokumentacioni do të dorëzohet në një zyrë të vetme, kjo do të minimizojë mundësitë për korrupsion dhe i krijon lehtësi biznesit për të marrë shpejt licencën dhe për të zhvilluar aktivitetin e tij pa pengesa. Ligji i ri për licencat, i miratuar më 23 shkurt 2009, i përgjigjet nevojës për reformimin e licencimit të biznesit, i cili konsiderohet si një burim korrupsioni dhe barrierë për të bërë biznes në Shqipëri. Komponenti për Licencimin e Biznesit në Programin Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë II do të reformojë këtë proces, duke krijuar një sistem për dorëzimin dhe ndjekjen në mënyrë elektronike të aplikimeve për licenca në Qendrën Kombëtare të Licencimit (QKL) të ndërtuar në bazë të konceptit 'me një ndalesë të vetme (one stop shop). Faza e dytë e Programit Prag MCC Shqipëri është një marrëveshje dyvjeçare me vlerë 15.7 milionë dollarë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, e financuar nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe e administruar nga USAID-i, e cila ka për qëllim të forcojë shtetin ligjor, të reduktojë korrupsionin dhe të rrisë mbikëqyrjen nga publiku përmes zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit dhe ndihmës teknike, duke përmirësuar kështu klimën për biznes në Shqipëri.

Komponenti për Licencimin e Biznesit pritet që të arrijë disa rezultate të pritshme. Ky komponent synon krijimin e QKL-së me procedura të standardizuara dhe sportele shërbimi në të gjithë vendin. Shërbimi me një ndalesë për licencat do të funksionojë në bazë të një sistemi elektronik që përputhet me atë të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR) të krijuar gjatë fazës I të programit. QKL-ja do të administrojë aplikimet për licenca, duke përdorur procedura të thjeshtuara që kursejnë kohën e bizneseve për marrjen e këtyre licencave. Dorëzimin dhe ndjekjen e aplikimit për licencë në mënyrë elektronike dhe shkëmbimin e rregullt të të dhënave mes institucioneve. Sistemi i QKL-së, i ndërtuar në përputhje me standardet e BE-së, do të mbështesë funksionimin e një rrjeti sportelesh shërbimi në të gjithë vendin, regjistrin kombëtar të licencave, si dhe do të bëjë të mundur që aplikimet të dorëzohen dhe të ndiqen përmes internetit. Programi do të mbështesë dixhitalizimin e regjistrave të licencave ekzistuese, si pjesë e regjistrit të QKL-së. Sistemi i saj do të shkëmbejë të dhëna me institucione të tjera, duke përfshirë autoritetet kompetente për licencimin, ndërgjegjësimin e publikut për QKL-në dhe monitorimin e saj. Programi do të mbështesë një fushatë informimi publik për QKL-në të fokusuar te komuniteti i biznesit dhe grupet e interesit. Ai do të ndihmojë QKL-në për të ngritur një njësi për informimin e publikut, si dhe do të përkrahë monitorimin e Qendrës nga shoqëria civile.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›