E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi, ligjet anti-treg të qeverisë Berisha

 

Vendimet antikushtetuese të qeverisë janë të shumta, por ato që rëndojnë mbi publikun e gjerë, nuk diskutohen në Gjykatë Kushtetuese

"Zgjidhja që qeveritë i japin një problemi, është zakonisht po aq e keqe sesa vetë problemi", - thoshte liberalisti Milton Friedman, gjeniu, idetë e të cilit u prezantuan nga qeveria e sotme si "zgjidhja e halleve të vendit". Ky është konkluzioni që i shkon për shtat qeverisë së sotme, e cila gjatë tre viteve të fundit, ka bërë kryekëput të kundërtën e atij liberalizimi që premtoi.

Parapagimi i gjobave ka qenë një problem i rëndë në vitet '99-2001, kur disa biznese raportuan falimentin si pasojë e pamundësisë për të shlyer gjobat para ankimimit. Qeveria hoqi dorë nga kjo masë në vitin 2002, për ta rikthyer me debate të ashpra në vitin 2006.

Masat anti-treg të qeverisë Berisha

Në korrik të vitit të kaluar, Ministria e Financave publikoi një "hartë të pagave referuese". Sipas atij vendimi, me qindra kategori punonjësish, në të gjitha fushat, kishin nga një pagë referuese për efekt tatimor. Arsyeja e ndërmarrjes së këtij veprimi, qe mbulimi me të ardhura nga taksimi i pagave dhe bizneseve të vogla për të kompensuar humbjet nga ulja e tatim-fitimit në 10%. Uljen e tatim-fitimit e përfituan vetëm një numër shumë i vogël kompanish të huaja. Hartën e pagave e paguan të gjithë shqiptarët, mbi të gjitha, vetë Buxheti i Shtetit. Taksa e sheshtë solli një rritje artificiale të të ardhurave nga të punësuarit në sektorin publik e atë privat.

Kaosi që solli harta e pagave në treg vijon të dallohet edhe sot. Në një rast, një kamerier me pagë 7 mijë lekë në muaj, mori urdhër nga pronari të shkonte në bankë, të tërhiqte pagën referuese 17 mijë lekë dhe t'i kthente 10 mijë lekë. Vetë paga referuese, është një veprim i pabazë ligjërisht.

Vetë kryeministri Berisha deklaroi në një rast se "përveç pagave referuese, do të ketë edhe çmime referuese".

Financat, të vetëdijshme për shkeljen ligjore

Të paktën në një rast, Ministria e Financave ka pranuar se po kryen veprime të paligjshme, por justifikon veprimet e veta duke thënë se janë urdhra të brendshëm, pa efekt ligjor. Kur në prill, gazetat u ankuan për vendimin e "numrit referues të të punësuarve nëpër gazeta", vetë ministri Bode bëri të ditur se, "ky Urdhër përcakton thjesht një metodologji dhe referencë pune për organet tatimore". Bode bëri të ditur se përdorimi i këtij Urdhri si presion ndaj gazetave, ndëshkohet me ligj. Por ndërsa vendime të tilla, si parapagimi i gjobave, prekin pjesë të shoqërisë shqiptare që reagojnë, pagat referuese prekin atë shumicë të shqiptarëve që nuk kanë mundësi të reagojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›