E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koldashi në prokurori: Ndihem i kërcënuar

 

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda pasditen e djeshme ekzekutoi vendimet e togave të zeza për izolimin e tre të pandehurve të dosjes së rrëmbimit dhe më pas zhdukjes së Remzi Hoxhës. Burimet zyrtare pranë këtij institucioni konfirmuan pasditen e djeshme, se oficerët e policisë gjyqësore i komunikuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, dy të pandehurve që u hetuan në gjendje të lirë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, duke urdhëruar izolimin e tyre në shtëpi. Ndërsa, për të pandehurin Budjon Meçe që ndodhet në gjendje të rënda shëndetësore në reanimacion të Neuro-kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", oficerët dërguan një agjent policie në ruajtje të tij, pasi ndodhet në gjendje koma prej më shumë se katër javësh. Gjithashtu, po sipas këtyre burimeve, konfirmohet se rreth orës 13:00 të ditës së djeshme, i pandehuri Avni Koldashi është thirrur në Prokurori ku është njohur me vendimin dhe nën shoqërimin e oficerëve të policisë është dërguar në vendbanimin e tij, për t'iu nënshtruar masës së sigurisë dhënë dy ditë mëparë "arrest në shtëpi". Mësohet se në komunikimin që Koldashi ka pasur me oficerët e prokurorisë dhe vetë prokurorit të çështjes Xhevat Hana, ka kërkuar nga ata ndihmë për sigurimin e jetës së tij dhe familjes, pasi siç është shprehur ai "ndihem i kërcënuar". Ndërkohë, pas komunikimit të masës së sigurisë, Koldashi është shoqëruar për në banesën e tij ku pranë portës së shtëpisë do të jenë të vendosur oficerë dhe agjentë të policisë së shtetit për të mos lejuar daljen apo largimin e të pandehurit nga shtëpia. Po këto burime konfirmuan për "Shekullin" se rreth orës 15:30 vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda ku i është caktuar masa e sigurisë "arrest shtëpie" i është komunikuar edhe të pandehurit Arben Sefgjini, i cili është paralajmëruar se nuk duhet të dalë nga shtëpia dhe çdo lëvizje e tij e mundshme duhet miratuar nga gjyqtari i masave. Sipas vendimit të togave të zeza, tre të pandehuritduke filluar nga momenti i ekzekutimit të masës së arrestit, të dhënë për çështjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës nuk kanë të drejtë të lënë shtëpitë për çfarëdo arsye. Largimi nga shtëpia bëhet vetëm nën dijeninë e oficerit të policisë gjyqësore me miratimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ndërkohë, tre të pandehurit janë të detyruar që mëngjesin e 16 majit të paraqiten pranë togave të zeza në zhvillimin e seancës së parë gjyqësore. Mësohet gjithashtu se Prokuroria e Krimeve të Rënda, prej disa ditësh ka dërguar në çdo pikë kalimi kufitar të Shqipërisë fotografitë e të tre të pandehurve që ndodhen në Shqipëri si dhe të pandehurit në mungesë, Ilir Kumbaro, i cili mendohet se ndodhet i fshehur në Angli. Po sipas këtyre burimeve, mësohet se shqyrtimi i çështjes gjyqësore nga themeli i është caktuar pesëshes gjykuese të kryesuara nga gjyqtari Xhelal Elezi, i cili do të gjykojë bashkë me katër anëtarët e tjerë dosjen e përbërë prej 12 fashikuj për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Gjithashtu mësohet se nuk mund të vendosej një masë më e rëndë se ajo e arrestit shtëpiak për tre të pandehurit, pasi afatet e paraburgimit për ta kanë mbaruar, pas arrestimit të tyre të parë në vitin 2003.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›