E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi maqedonas kërkon hekurudhën për në Durrës

 

Lidhja hekurudhore midis Bullgarisë dhe Shqipërinë shihet edhe si zgjidhje për problemet politike me Greqinë

Një lobing i përbërë nga biznesmenë maqedonas bënë thirrje që vendi ynë fqinj të bëjë më shumë përpjekje për të ndërtuar lidhje hekurudhore me Bullgarinë dhe Shqipërinë, si zgjidhje për problemet politike me Greqinë, raportoi gazeta vendëse “Vecer” dje.

Aleksandar Panov, drejtor i kompanisë “Makstil” deklaroi se linja ekzistuese Veri-Jug, që lidh Maqedoninë me Selanikun, nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të përballuar sasinë në rritje të mallrave.

“Kompletimi i Korridorit Pan-Europian Nr.8 duhet të bëhet vizioni i të ardhmes, për shkak se Maqedonia po kthehet në një kryqëzim strategjik në Ballkan”,- tha ai, duke theksuar se Maqedonia duhet të zhvillojë hekurudhat, si shtet pa dalje në det. Ai theksoi se lidhja hekurudhore me Burgasin (port në Bullgari) dhe Durrësin, ka një rëndësi vitale.

Linjat hekurudhore të Maqedonisë me Bullgarinë kanë qenë në ndërtim prej vitesh, por punimet janë braktisur. Maqedonia ka nevojë për 23 km hekurudhë të re, që kushton rreth 240 milionë dollarë, ndërkohë që Bullgaria duhet të ndërtojë vetëm 2 kilometra në anën e saj. Kjo linjë hekurudhore do të bëjë të mundur përshkrimin e distancës Sofie-Shkup në më pak se 3 orë. Linja hekurudhore me Shqipërinë duket më problematike. Shqipëria duhet të ndërtojë vetëm dy kilometra hekurudhë në anën e vet, ndërkohë që Maqedonia duhet të ndërtojë rreth 50 kilometra në një terren shumë të vështirë, përgjatë maleve Mavrovo. Ndërtimi i linjave të reja hekurudhore u bë një problem më imediat, pas pengesave të fundit nga ana e Greqisë për daljen e mallrave Maqedonase në portin e Selanikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›