Guvernatorët, takim në Tiranë për krizat financiare
Diskutohen trazirat në tregjeve financiare dhe rifitimi i besimit dhe aftësisë përtëritëse të sistemit
Në datat 23-24 maj 2008, u zhvillua në Tiranë, Takimi XIX i Klubit të Guvernatorëve të Bankave Qendrore të Vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit, për vitet 2007-2008. Në këtë takim, morën pjesë guvernatorët e Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës, të Bankës së Greqisë, të Bankës Kombëtare të Kazakistanit, të Bankës Qendrore të Malit të Zi, të Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, të Bankës Qendrore të Federatës Ruse, si dhe Guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë, i cili është dhe aktualisht Kryetari i Klubit. Në të njëjtën kohë, pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe Zëvendësguvernatori i Bankës Kombëtare të Moldavisë, Zëvendësguvernatori i Bankës Kombëtare të Rumanisë, Zëvendësguvernatori i Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, si dhe përfaqësues të Bankave Qendrore të Azerbajxhanit, Republikës Kirgize, Bullgarisë dhe Izraelit. Takimi i Tiranës u përshëndet nga Zëvendëspresidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Lucas Papademos, i cili mbajti edhe një fjalim rreth përballimit të trazirave të tregjeve financiare, me fokus në rifitimin e besimit dhe përforcimin e aftësisë përtëritëse të sistemit financiar. Takimi vijoi me fjalimet e Athanasios Orphanides, Guvernator i Bankës Qendrore të Qipros, i cili prezantoi përvojën qipriote në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në Eurozonë, si dhe me prezantimin e Mario I.Blejer, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Argjentinës, i cili u përqendrua në sfidat kryesore me të cilat përballen aktualisht bankat qendrore në vendet në zhvillim. Sesioni i fundit i Takimit konsistoi në prezantimet nga ana e përfaqësuesve të bankave qendrore pjesëmarrëse rreth zhvillimeve ekonomike në vendet përkatëse, me një theks të veçantë në ecurinë e sistemeve financiare në përgjithësi, dhe atyre bankare në veçanti, si dhe në veprimtarinë e bankave qendrore në këto vende.