Berat, Prokuroria 2 vjet burg për ish-kreun e Bashkisë, akuzohet për falsifikim
BERAT- Prokuroria e Rrethit të Beratit ka kërkuar dënimin me dy vjet burg për ish-kreun e Bashkisë së Urës Vajgurore. Organi i akuzës ka bërë kërkesën për dënimin e Agim Bregut, ish-kreut të Bashkisë. Ka qënë prokurori i çështjes, Skëndër Mestani, i cili në emër të organit të akuzës ka kërkuar dënimin e Bregut me dy vjet heqje lirie me akuzat “ vjedhjes nëpërmjet shpërdorimit të detyrës” dhe “ falsifikimit të dokumentave në bashkëpunim”. Pas disa seancash gjyqësore zhvilluar ndaj Bregut përfaqësuesi i organit të akuzës i ka kërkuar trupit gjykues cilësimin e të pandehurit të “fajshëm” për dy akuzat që rëndojnë ndaj tij që nga tetori i vitit të kaluar. Do të jetë trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Berlina Kondi njëkohësisht edhe kreu i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Beratit ai që do të vendosë dënimin përfundimtar ndaj Agim Bregut, kryetarit të Bashkisë së Urës Vajgurore. Po ky trup gjykues i kësaj gjykate i ka lënë kohë mbrojtjes për të thënë fjalën e fundit, ndërsa do të japë në seancën e fundit vendimin e formës së prerë.
Agim Bregu u arrestua nga policia më 29 tetor të vitit 2007 pas një urdhri që kryeprokurori Xhemal Saliasi dha ndaj tij. Së bashku me Bregun u arrestuan ish-shefi i Zyrës së Financës Lefter Doko dhe ish-shefja e Zyrës së Urbanistikës pranë bashkisë Afërdita Ziu, gjykimi ndaj të cilëve ende vazhdon. Ndaj Bregut dhe ish-shefave të zyrave Prokuroria e Rrethit të Beratit lëshoi urdhrin e ndalimit me numër 338 me datë 29 tetor 2007, firmosur nga vetë Saliasi pas një sërë hetimesh që ky organ zhvilloi ndaj tyre.
****
Një përfaqësi e Kishës Apostolike në Tiranë pasi kishte nënshtruar një kontratë me Bashkinë e Urës Vajgurore në vitin 2002 për ndërtimin e një kishe dhe nga ana e bashkisë kontrata nuk u respektua. Përfaqësuesit e kishës bënë denoncimin në organin e prokurorisë. Përfaqësia e Kishës Apostolike dorëzoi pranë organit të Prokurorisë dokumentacionin në të cilin ishte nënshkruar në vitin 2002 kontrata për blerjen e një trualli dhe pagesa që ishte bërë për blerjen e sipërfaqes. Kështu, sipas akuzës që rëndon ndaj ish-kreut të bashkisë dhe dy shefave të sektorëve Kisha kishte derdhur pranë arkës së bashkisë shumën prej 7 milionë e 950 mijë lekëve të vjetër për blerjen e një trualli 200 metra katror. Por, ndonëse kisha dorëzoi shumën e lekëve për blerjen e truallit me qëllim ndërtimin e objektit Bashkia nuk e përcaktoi kurrë vendin e duhur. Po, kështu Bregu dhe dy shefat e sektorëve akuzohen se nuk kanë derdhur pas procedurës të gjithë sasinë e parave pranë arkës së bashkisë, por vetëm një pjesë të saj. Nga verifikimet e kryera gjatë hetimeve të prokurorisë ka rezultuar se pranë bashkisë ishin derdhur vetëm 2 milionë e 500 mijë lekë të vjetra. Në këto kushte pasi ka vërejtur shkelje në mos zbatim të kontratës dhe mos derdhje të sasisë së lekëve prokuroria lëshoi urdhër ndalimin për ish-kreun e bashksië dhe dy shefat e sektorëve. Pas disa muajsh gjykim prokuroria ka kërkuar dënimin me dy vjet heqje lirie për ish-kreun e bashkisë, ndërkohë që tashmë pritet fjala e fundit nga ana e gjykatës.Sulo Gozhina