E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria mbyll borxhet me ARMO dhe KESH

 

Shitja prej 125 milionë euro e kompanisë “ARMO” do të shkojë për mbylljen e borxheve dhe për rrugën Durrës-Kukës

“Buxheti shtesë parashikohet të ketë një vlerë prej 25 miliardë lekësh, nga të cilat, 15 miliardë do të jenë nga tejkalimi i të ardhurave tatimore dhe doganore, ndërsa pjesa tjetër nga privatizimi i ARMO-s”,- ka deklaruar Shehu.

Qeveria ka gjetur zgjidhjen pas presionit të vënë nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar për uljen e deficitit buxhetor në një nivel prej 5.2 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, nga 7.9 për qind që ishte niveli i programuar nga qeveria në buxhetin e vitit 2008. Pas krizës së çmimeve që ka përfshirë vendin gjatë pjesës së dytë të vitit 2007 dhe pjesës së parë të 2008, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë publik tavanin e deficitit buxhetor të vendit, duke vendosur si limit 5.2% të PBB-së. Nga ana e saj, qeveria ka gjetur zgjidhje për të rritur të ardhurat dhe jo për të shkurtuar shpenzimet, duke shkurtuar nivelin e deficitit në 5.2 për qind të PBB-së. Një pjesë e të ardhurave nga privatizimi i kompanisë shtetërore të naftës, ARMO, do të përdoren për rrugën Durrës-Kukës. Ky lajm është bërë i ditur nga zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, i cili tha se paratë e këtij privatizimi do të përfshihen në buxhetin suplementar që do t’i paraqitet për miratim Parlamentit, në fund të muajit qershor.

“Buxheti shtesë parashikohet të ketë një vlerë prej 25 miliardë lekësh, nga të cilat, 15 miliardë do të jenë nga tejkalimi i të ardhurave tatimore dhe doganore, ndërsa pjesa tjetër nga privatizimi i ARMO-s”,- ka deklaruar Shehu. Sipas tij, 50 për qind e të ardhurave nga shitja e kësaj kompanie do të përdoren për uljen e deficitit buxhetor, ndërsa gjysma tjetër do të shkojnë për investime në rrugë. Prioritet me gati 90 për qind të shumës që do të destinohet për investime, do të ketë rruga Durrës-Kukës. Misioni i FMN-së, i cili ndodhej në Shqipëri pak ditë më parë, theksoi se qeveria shqiptare duhet të tregojë kujdes për mostejkalimin e kostove të kësaj rruge, pasi në të kundërt, pasojat do të ndiheshin në ekonomi.

***

Ulja e deficitit në këtë nivel nënkupton shkurtim shpenzimesh prej 242 milionë eurosh dhe përballë humbjeve të larta të KESH dhe rritjes së kostos së rrugës Durrës-Kukës, financat publike janë në vështirësi reale, ndërkohë që rritja e pagave mund të sjellë rritje të mëtejshme çmimesh. Por pavarësisht se marrëveshja për uljen e deficitit është firmosur, qeveria duket e gatshme të mos e respektojë angazhimin, ndonëse nuk pranon të flasë konkretisht as për shkurtim shpenzimesh e as për mos rritje pagash. Më 24 prill, Ministria e Financave deklaroi një plan të detajuar për rritjen e pagave të sektorit publik. Plani qe që Fondi Rezervë i destinuar për rritje pagash të shtohej nga 4.6 në 6 miliardë lekë, (rreth 49 milionë euro) për të garantuar rritjen 10% të pagave buxhetore, si dhe 5% të pensioneve të qytetit e 10% për pensionet e fshatit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›