E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi në mbështetje të fëmijëve jetimë

Kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri "Eagle Mobile", lançoi të hënën iniciativën "Biznesi në mbështetje të fëmijëve jetimë" së bashku me 23 kompani, biznese dhe organizata me emër në vend. Është hera e parë që një kompani ndërmerr një nismë të tillë në Shqipëri. Fillimisht në një takim të përbashkët pjesëmarrësit vendosën të ngrenë një strukturë të përbashkët për të kontribuar për fëmijët jetimë gjatë vitit 2009.

"Ky është një projekt i përbashkët jo vetëm i "Eagle Mobile". Ne i falënderojmë të gjithë kolegët që ndodhen këtu, duke treguar një shembull unik se biznesi mund të kontribuojë për pjesët e tjera në nevojë të shoqërisë. "Eagle Mobile" do të akordojë 20 bursa studimi, 10 për studime në shkollë të mesme dhe 10 për në universitet", tha, ndër të tjera, drejtori i përgjithshëm i "Eagle Mobile", Ali Taskin.

Edhe drejtues të tjerë të kompanive, bizneseve dhe universiteteve si "Alpet", "Agna Group", Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Konfindustria, FIAA, Kolegjet Turke, Klinikat Vrioni, Universiteti Epoka, Spitali Amerikan, ZKT etj., shprehën mbështetjen, duke ofruar ndihma dhe projekte direkte për fëmijët jetimë shqiptarë. Në emër të fondacionit "Fëmijët shqiptarë", Elvana Hana e përshëndeti nismën, duke garantuar mbështetje të plotë dhe asistencën e nevojshme për realizimin e tij. Drejtori i përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Fëmijëve Shqiptarë, Ilir Çumani, tha se "ky zhvillim është për t‘u marrë shembull nga të gjitha kompanitë dhe bizneset në vend".

Në konferencën për shtyp, organizuar dje në hotel "Sheraton", morën pjesë edhe 20 fëmijë jetimë me rezultate shumë të larta në mësime. Drejtuesit e kompanive drekuan së bashku me fëmijët jetimë dhe kolegët gazetarë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›