E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet ligji për kontabilitetin

Merr fund debati i gjatë mbi projektligjin "Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilitetit të miratuar". Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi dje çdo nen të projektligjit, ku bashkë me grupet e interesit dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave u kryen rregullimet e fundit. Në këtë, tashmë ekspertëve kontabël u jepet e drejtë që përveç auditimit të pasqyrave financiare, të kryejnë edhe shërbimin e kontabilistit të miratuar për bilancet e aktivitetit privat të shoqërive private. Sërish në komision pati debate rreth rolit të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, ku në ligj i jepet e drejta që të përgatisë dhe të certifikojë e vetme profesionin e ekspertit. Një ndryshim i rëndësishëm në ligj lidhet me përgjegjësinë që duhet të mbajë shoqëria audituese, si për bilancin e certifikuar, ashtu edhe për raportin mbi shoqërinë private. Sipas ligjit, "ekspert kontabël i regjistruar", ose ndryshe auditues, është profesionisti i pavarur, i regjistruar në regjistrin publik të ekspertëve kontabël, i cili ushtron profesionin për auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore individuale dhe të konsoliduara të shoqërive tregtare, ndërmarrjeve, apo organizatave të tjera, kur auditimi detyrohet nga ligji ose kërkohet nga ortakët, apo aksionerët e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›