E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne fakt, fajin e kanë femrat…

Edlira Cepani

Barazia gjinore, një nga termat më të lakuara në vitet e fundit në të gjithë botën. Barazia e shumë-kërkuar, barazia e ëndërruar, barazia mbi të cilën diskutohet në tryeza e konferenca e që është pikësynim i qindra studimeve. Sot në botë kemi arritur të hedhim hapa gjigandë në këtë drejtim, gjithsesi ende vetëm në disa shtete dhe vetëm në disa aspekte. Fatkeqësisht në Shqipëri, jemi ende larg barazisë së vërtetë gjinore. Ndoshta në sferën profesionale femrat që kanë pasur vullnet, forcë dhe pak më tepër mbështetje, kanë arritur të bëjnë një ndryshim, por në sferën sociale, jemi ende shumë larg. Ndërkohë që shumë fenomene të pabarazisë gjejnë zgjidhje, barazia gjinore është ende një “kafshatë e hidhur” për t’u përtypur në shoqërinë shqiptare. Kam pasur fatin e keq që të shoh me sytë e mi, se cilat janë problemet e pabarazisë gjinore të femrave shqiptare dhe fatin e mirë të njoh nga afër realitetin dhe jetën e vështirë të shumë prej tyre, forcën dhe vullnetin që kanë për të ecur përpara. Një pikturë në murin e shtëpisë sime, me një grua e një gomar të ngarkuar njësoj, rrugëve për të transportuar dru, më kujton shpesh se pas dyerve të shumë shtëpive, në rrugët e shumë qyteteve e në jetët e shumë njerëzve, ekziston ende një realitet ku të drejtat e njeriut, e në këtë rast të njeriut me gjini femërore, shkelen shumë shpesh pa marrë asnjë dënim. Para mijëra vitesh, e drejta romake i jepte femrave të drejta mbi pasurinë e tyre (të sjellë si pajë për martesë), por vetëm para shumë pak vitesh, gruaja përfitoi të drejtën për të votuar, për të thënë fjalën e saj mbi politikat e vendit ku jetonte edhe ajo. Para akoma më pak vitesh, gruaja arriti të hynte në organet vendimmarrëse, por sot, ka ende gra e vajza që nuk mund ta jetojnë jetën sipas vullnetit të tyre, por sipas vullnetit të të tjerëve. Ka ende qindra mijëra gra e vajza, të cilat janë viktima të dhunës psikologjike dhe fizike, që trafikohen si mallra dhe që nuk gëzojnë asnjë respekt si qenie njerëzore. Sot, në vitin 2010, dhuna në familje dhe mosbarazia gjinore janë ende terma aktualë, që pengojnë progresin e plotë të shoqërisë.
Të gjithë fajin e kanë burrat, thuhet shpesh në takime të ndryshme grash e vajzash për barazinë gjinore - burrat e kanë fajin se vajzat nuk arsimohen, burrat e kanë fajin se grave u mbeten punët më të rënda, burrat e kanë fajin se nuk i respektojnë gratë, etj. Por sot, kemi fatin e mirë që jetojmë në një periudhë në të cilën, i kemi në një farë mënyre mundësitë për të luftuar pabarazinë gjinore dhe nëse nuk arrihen rezultatet e duhura, nuk mund t’ua vëmë më fajin meshkujve. Sot, në fakt, fajin në një farë mënyre e kanë vetë femrat, mbi të gjitha, për shkak të konformizmit dhe luftës brenda llojit. Prej qindra mijëra vitesh, femrat janë mësuar të trajtohen në një mënyrë të caktuar dhe bëjnë shumë pak për të ndryshuar rrjedhën e jetës së tyre. Shpesh kanë tendencën të bëhen pjesë e paragjykimit, më tepër se ta luftojnë atë. Nënat kanë shpesh tendencën të trajtojnë ndryshe bijat nga bijtë. Disa koncepte të edukatës bazë merren që në fëmijëri dhe janë pikërisht nënat që u mësojnë bijave të tyre të jenë të nënshtruara ndaj meshkujve, ndaj shoqërisë, ndaj të gjithëve. Sot ka ende familje që gëzojnë më shumë kur lind një djalë, se kur lind një vajzë. Në vitin 2010, disa femrave u duket ende normale që vetëm për shkak të gjinisë, meshkujt të kenë më shumë të drejta se ato. Në vitin 2010 ka ende prindër që preferojnë të mbrojnë para opinionit dhëndurët, në vend të bijave të tyre të dhunuara, ka ende vëllezër që ndikojnë plotësisht negativisht në lirinë e jetës së motrave të tyre, ka ende bashkëshortë që keqpërdorin në mënyrë të shëmtuar pozicionin e tyre. Lufta ndaj një opinioni shoqëror, që nuk është aspak konstruktiv e që i shërben veç grupeve të caktuara që dinë ta përdorin mirë atë, nuk është një luftë e lehtë, por është gjithsesi një luftë që fitohet. Lufta ligjore kundër dhunës, është një luftë e vështirë dhe e gjatë, por është e nevojshme! Nga ana tjetër, nëse nuk do të kishte një luftë kaq të ashpër brenda llojit, nuk do të luftohej me kaq pasion për të zënë ato pak kuota të femrave në pozicione të ndryshme, qoftë drejtuese në fushën profesionale, qoftë në aspekte të ndryshme të jetës sociale, por për ta rritur këtë numër. Qëllimi i luftës nuk do të ishte eliminimi i konkurrentëve, por krijimi i mundësive dhe alternativave. Nëse femrat do ta kishin vënë në jetë metodën e bashkimit që bën fuqinë, sot do të kishte shumë më tepër alternativa, shumë më tepër barazi dhe mbi të gjitha më pak dhunë, më tepër liri e shumë më tepër respekt për të drejtat e tyre. Se në fakt, kush kërkon, e arrin atë që kërkon të gjejë! Sot është bukur kur festohen festa si 8 Marsi, por është akoma më bukur të shohësh që fuqizimi social, ekonomik e politik i gruas, është plotësisht i mundur. Femrat duhet veçse të dinë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre, të bëhen koshiente për fuqinë e tyre dhe mbi të gjitha, të dinë të bashkëpunojnë, për një të ardhme më të mirë.
*Juriste - Aktiviste në Shoqërinë Civile

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›