E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Jo amnistisë fiskale, ulni borxhin



nertila maho

Komisioni i Ekonomisë ka pritur dje në një takim, ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku nga opozita shqiptare ishte i pranishëm vetëm deputeti Arben Malaj. Diskutimi mes palëve është përqendruar në një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ekonominë, si deficitin buxhetor, amnistia fiskale, apo eurobondi.
Borxhi publik
Gerwin Bell, përfaqësues i FMN-së gjatë takimit të djeshëm, ka insistuar që Shqipëria të ulë borxhin publik. Ai është shprehur se Kryeministri Berisha ka garantuar që do të përpiqet për të ulur këtë borxh, ndërkohë që edhe Ministria e Financave ka konfirmuar një gjë të tillë. Bell ka kërkuar që deficiti buxhetor të shkojë nga 60% e GDP-së në 50% të tij. Deputeti Arben Malaj ka shprehur gjithashtu shqetësimin për vendosjen nën kontroll të deficitit buxhetor dhe borxhit publik, duke kërkuar një fokus më të madh te shpenzimet korrente sesa te shkurtimi i investimeve. "është shqetësues fakti që Qeveria, vetëm dy muaj pasi miratoi me ligj buxhetin, do ta rishikojë duke shkurtuar rreth 25 miliardë lekë, nga të cilat 80% janë shkurtim i investimeve. Ndryshimi i buxhetit, vetëm 2 muaj pasi është miratuar në Parlament, është mungesë profesionalizmi, ndërsa shkurtimi i konsiderueshëm i investimeve është pasojë e politikave spontane. Në një këndvështrim afatgjatë, ne duhet të harmonizojmë sa më mirë politikat tona fiskale, duhet të ndalim riskun e rritjes së konsiderueshme të kostos së borxhit dhe duhet të mos bëjmë rritje të shpenzimeve mbi rritjen e rritjeve të ekonomisë, pasi kjo do të dëmtojë produktivitetin e ekonomisë sonë. Sipas një studimi të fundit të qendrës shkencore për ekonominë, rezulton se janë 80% të suksesshme rastet e paketave fiskale që janë bazuar te kontrolli i shpenzimeve më shumë sesa te rritja e të ardhurave" u shpreh Malaj për gazetën.
Eurobondi
Emetimi i eurobondit 300 milionë euro, që është në proces nga Ministria e Financave, ka qenë një pikë tjetër rreth së cilës është diskutuar dje me ekspertët e FMN-së. Ata kanë përkrahur këtë nismë për të dalë në tregun ndërkombëtar, por nga ana tjetër kanë theksuar se shteti shqiptar duhet të jetë mjaft i kujdesshëm për interesin me të cilin do të merret ky eurobond. Në këtë linjë duket se ka ecur edhe Malaj, i cili ka shprehur shqetësim rreth interesave me të cilat tregu ndërkombëtar do të financojë deficitin dhe borxhin tonë publik. Ky shqetësim sipas tij ka të bëjë me faktin që kostoja e borxhit kushtëzohet nga stabiliteti politik i vendit, kushtëzohet nga kontrolli i financave publike, kushtëzohet nga reformat strukturore ekonomike, kushtëzohet nga shkalla e produktivitet të ekonomisë dhe rrisqet e të ardhmes. Pra, debati nuk qëndron se a gjenden fonde për ta financuar ekonominë e vendit tonë, por me çfarë kosto. "Përvoja e viteve të kaluara e kredive me interesa shumë të larta, siç edhe opozita e parashikoi, rezultoi e rrezikshme për stabilitetin financiar të vendit. Këshilla e FMN-së, për të reduktuar borxhin tonë publik në rreth 50% të GDP-së, duhet respektuar. Këshilla e tyre për ta strukturuar borxhin në më shumë borxh të jashtëm dhe me pak borxh të brendshëm, për t'i dhënë më shumë frymëmarrje sektorit privat, kërkojnë masa të qarta dhe të monitorueshme. Nëse nuk veprohet tani, nesër do të jetë vonë dhe e kushtueshme" tha Malaj.
Amnistia Fiskale
E lakuar së shumti kohëve të fundit, amnistia fiskale është bërë pjesë e takimit të djeshëm. FMN-ja lidhur me këtë çështje nuk është shprehur shumë pozitive. Ndërkohë që këtë mendim e ka përkrahur edhe deputeti socialist Malaj. "Shqetësimi është që amnistia fiskale nuk duhet parë nga Qeveria si një formulë magjike për të formalizuar ekonominë apo për të rritur në mënyrë të përhershme të ardhurat. Risku i saj mbetet në fenomenin e ripërsëritjes së saj. Duhet që amnistia fiskale të mos jetë një inovacion spontan i qeverisë shqiptare, por të bëhet në konsultim të plotë me FMN dhe BE, për të reduktuar në maksimum të gjitha risqet dhe pasojat që mund të ketë një aplikimin spontan i saj" sugjeron deputeti Malaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›