E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Inflacioni del jashtë parashikimeve



Shkurti u ka kushtuar më shtrenjtë shqiptarëve nëse i referohemi të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave. Inflacioni ka shënuar një rritje tjetër nëse krahasohet me janarin, duke dalë kështu jashtë parashikimeve në vlerën 4.4%. Ajo që vihet re është rillogaritja që INSTAT i ka bërë inflacionit të janarit, i cili pa faturën e rritur të energjisë shënonte 3.6%, kurse me këtë faturë dhe me rritjen e produkteve të tjera të shportës është llogaritur 4.1%. Indeksi i grupit "Ushqime dhe pije joalkoolike" gjatë shkurtit shënoi një rritje 2.4 për qind, me një ndikim prej 0.9 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 13.2 për qind vërehet në nëngrupin "zarzavate përfshirë patatet" ndërkohë që përjashtim nuk kanë bërë as çmimet e nëngrupit "fruta" të cilat shënuan një rritje prej 1.3 për qind. Në këtë linjë ka ecur edhe grupi "pije alkoolike dhe duhan " së bashku me "transportin" që shënuan një rritje prej 0.3% kurse indeksi i grupit "Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji" shënoi një rritje prej 0.1 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm me 3.8 për qind. Në këtë grup vetëm çmimi i energjisë shënoi një rritje 13.1 për qind gjatë janarit duke dhënë ndikim prej 0.5 për qind në totalin e ndryshimit të indeksit të çmimit të konsumit. Edhe pse shumica e çmimeve për artikujt e shportës ka shënuar rritje, disa grupe kanë pësuar një ulje të çmimit. Të tilla kanë qenë çmimet në disa nëngrupe, si "peshk" me 1.2 për qind, "vajra dhe yndyra" 0.5 për qind, "qumësht, djathë e vezë" 0.5 për qind. Edhe indeksi i grupit "Veshje dhe këpucë" shënoi një ulje prej 0.5 për qind.

Indeksi i çmimeve të konsumit

"Ushqime dhe pije joalkoolike" +2.4%
"Zarzavate përfshirë patatet" +13.2%
"Fruta" +1.3%
"Pije alkoolike dhe duhan " +0.3%
"Transporti" +0.3%
"Qira, ujë, lëndë djegëse, energji" +0.1%
(Dritat në janar u rritën 13.1 %)
"Peshk" -1.2%
"Vajra dhe yndyra" -0.5%
"Qumësht, djathë e vezë" -0.5%
"Veshje dhe këpucë" -0.5 %

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›