E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi Institutin e Kujtesës, memorien dhe harresën

Ndriçim Kulla

Si kultura, si grupe kolektivë e si shoqëri, e shkuara po qe se vlerësohet automatikisht nuk mund të na mësojë asgjë. Ajo mund të na mësojë vetëm nëse arrin të ri-interpretohet në mënyrë konstante, e po kështu të ri-investohet kah së ardhmes. Kjo na shtyn ta rihapim vazhdimisht idenë e së ardhmes, por ta hapim jo me mendjemadhësinë e vënies në skenë të një projekti të madh transformimi. Lipset të kërkojmë t’u japim udhë projekteve ndërgjegjshmërisht të limituar, ndërgjegjshmërisht të pjesshëm, që të jenë të aftë të hapen kah horizonteve të mundshëm, pra aty ku është e mundur të thuhet e të shtohet diçka e re a të korrigjohet apo zëvendësohet diçka e vjetër ose e gabuar. Vetëm nëse këto projekte rishikimi do të arrijmë t’i hapim përkundër horizonteve të së mundshmes, ne do të arrijmë të jemi subjekte të duhur të historisë e jo thjesht subjekte të përkulur nga e shkuara dhe nga ripërpunimi parazitar i asaj çfarë na ka transmetuar tradita. E diktuar nga urgjenca që përcakton ky mësim i nxjerrë nga interpretimi kritik i epokës, duhet të shikohet edhe lindja në skenën e debateve, qoftë midis specialistëve të fushave të ndryshme të mendimit, qoftë midis mediave të të gjitha llojeve, i një neologjizme të re të tillë si “krijimi i institutit të kujtesës”, e artikuluar kohët e fundit nga Kryeministri i vendit z. Berisha, nga intelektualë por sidomos nga përfaqësues të spikatur të shtresës së ish-të përndjekurve politik të diktaturës komuniste. Debati i rikthyer sërish në ambientin tonë shoqëror është reflektimi i drejtpërdrejtë i një debati goxha të zjarrtë, që përfshiu një komunitet të tërë për disa vite me radhë, të përbërë jo vetëm nga shqetësimi i shprehur në mënyrë mjaft tolerante dhe njerëzore i kësaj shtrese, nga intelektual, historianë apo përfaqësues të shkencave politike, nga gazetarë, analistë e kështu me radhë, por sidomos nga institucionet ndërkombëtare si O.K.B dhe Këshilli i Evropës. Ky shqetësim serioz ka të bëj me një punë që e lamë përgjysmë, ku për pasojë lamë të ngucur auditorin e këtyre vlerave të mëdha njerëzore, kulturore dhe shkencore, që krijuan njerëzit e mençur, trima dhe guximtarë në ndeshjen me diktaturën komuniste. Kjo histori e dhimbshme, ende e pa ndriçuar qartësisht, për të dalë jashtë, drejtë sallave të universiteteve, qarqeve akademike e atyre të kërkimeve shkencore, për të arritur në vendet publike, në bibliotekat e shkollave, në sallat e gazetave, radiove dhe televizioneve, duhet ringjallur. E përballë kësaj “jashtë-dalje” të një kapitulli të tillë, krijimi i përfolur i një Instituti Kujtese mbi përjetësimin e kësaj periudhe tragjike të kombit tonë, është një projekt i domosdoshëm dhe i mirëpritur me kohë, që fillimisht është vlerësim njerëzor, por dhe historik e kulturor. Por, sipas mendimit tim, nuk duhen harruar rastet kur historia del nga vendet e caktuara të kërkimit, ndriçimit të fakteve dhe dënimit të tyre shkencor, dhe ‘njolloset” e “përdoret” në lojën më vulgare të pasioneve politike dhe korrupsionit. E them këtë sepse edhe në aspektin praktik gjendemi në një situatë kontradiktore. Paradoksi konsiston në faktin se bashkëjetojnë në të tashmen dy fenomene në dukje kundërshtues: një theks i shumë-përhapur i çrrënjosjes të së shkuarës komuniste nga njëra anë dhe një hipertrofi e referimeve dhe rikujtimeve historike të ligjeratave publike mbi të shkuarën komuniste nga ana tjetër. Prandaj puna e këtij institucioni të paralajmëruar duhet të ngrihet rigorozisht në rangun e një instituti të vërtet rivlerësimi me të gjitha dimensionet shkencore dhe etike. Përderisa rrojnë ende protagonistët e kësaj historie - si në rastin tonë protagonistët e epokës së komunizmit dhe viktimat e tyre - atëherë detyrimisht që ata mund të përfshihen në fakte të drejtpërdrejtë kronikash, në ekzistencën e kujtimeve që nuk janë fosilizuar kurrë e që i përkasin eksperiencave individuale, që çdokush i përpunon vazhdimisht në memorien e vet. Raporti midis kronikës dhe interpretimit, ashtu si dhe ai midis historisë dhe memories, janë relacione që shpleksen nga fijet që i mbajnë të lidhura, dora-dorës e që do nisin të ngacmojnë ish-regjimtarët, bashkë me fëmijët e nipërit e tyre. Historia në thelb të saj, por sidomos në epoka të tilla tranzicionale, midis dy epokave të kundërta në mes tyre, nuk mund të mos ofrojë debate politike, ku nostalgjikët dhe anti-regjimtarët të mos përpiqen me të gjitha forcat ta përdorin historinë për qëllime të tjera. Kjo nuk duhet të na skandalizojë, por jo të na diktojë energjitë dhe të ardhmen. Për këtë arsye, metoda dhe teknika më e mirë për të mos shpërdoruar kohë, tensione deri në armiqësi dhe copra të së ardhmes të hedhura në lojëra pazaresh, është pikësëpari që ky institut të jetë hulumtues, shkencor, objektiv dhe të ketë qëllim të vetëm kujtesën.
Domethënia finale e gjithë këtij procesi kështu, mund të sjellë një histori të përbashkët, të përgjithshme, ku të gjithë, ku, më shumë se ne brezat e ardhshëm do kuptojnë shërbimin historik, se çfarë ka ndodhur me paraardhësit e tyre për 50 vjet me radhë, nëpërmjet fakteve të seleksionuara, që duhen zgjedhur dhe sigurisht edhe analizës së urtë që duhet bërë. Vetëm kështu mund të realizohet një dialektikë historike, brenda së cilës arsyet e të gjithëve të shprehen me më shumë qetësi, me më shumë objektivitet, pa grindje e me mënyra civile, por kurrsesi të unifikohen memoriet. Sepse memoria, kuptohet, s’është veçse një materie bazë, njëra nga materiet me të cilat punojnë shkronjësit e historisë, si e tillë ajo mund t’i ngjajë një balte, që përmban gjithçka, gabimin, mos-kujtimin e deri dhe harrimin e vetëdijshëm. Por i gjithë ky vërshim i paparë informacioni; kujtime, biseda, histori, kronika, tregime, romane, vepra e kryevepra albanologjike ende të pa botuara, do pasojnë drejtpërdrejt rreziqe akoma dhe më të mëdha, që të mbetemi përjetësisht të ndarë dhe të harruar në raport me këtë periudhë, n.q.s ne nuk do tregohemi veprues ta matrealizojmë kujtesën e kësaj periudhe. Vetëm kështu memoria e së shkuarës nuk do ta mbysë kurrë ndërgjegjen e së tashmes, vetëm kështu do cakëzohet liria dhe do t’i hapet udhë determinizmit të së ardhmes nga e shkuara. Por gjithmonë duhet të respektojmë parimin etik të kujtesës. Nëse do të pretendohet të kujtohet gjithçka, mundet edhe ta shembim vetveten nga pesha e së shkuarës. Prandaj si rrugëdalje, nga shkenca e sotme historike, politike dhe sociologjike është nënvizuar ideja e ekzistencës së një të drejte të harrimit, që është si një nën-lloj a nën-produkt i së drejtës së memories, e që ka të bëjë me dimensionin etik të saj. Nuk mund të kujtohet gjithçka, ashtu siç nuk mund të harrohet gjithçka. Identiteti kolektiv i një populli formohet edhe nëpërmjet të harruarit, pra edhe ajo që harrojmë arrin të plazmojë identitetit tonë kolektiv. është fakt se memoria dhe harrimi janë të pandashëm në mpleksjen tonë historike, e se - në përmasa të ndryshme - ne kemi nevojë për të dyja që të jetojmë, përderisa në një lloj mënyre jemi si emigrantë të kohës, që përdorin kujtimet e së shkuarës për të shkuar drejt së ardhmes së panjohur. Ndaj duhet të sillemi po njëlloj si emigrantët, që për ta bërë sa më pak të ashpër impaktin me atë tokë të panjohur, i quanin qytetet e rinj me emrat e qyteteve të vjetër. E dinin shumë mirë që nuk ishin po të njëjtit, por në këtë mënyrë udhëtimi drejt së resë, drejt së ardhmes iu bëhej më i thjeshtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›