E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi sërish i pakënaqur nga ligji “Për procedurat tatimore”

Mbetet në fuqi pagimi 100 për qind i të gjithë detyrimit tatimor. Tatimet kanë të drejtë t’i përcaktojnë gjobat me metoda alternative

Ervin Koçi

Përfaqësuesit e organizatave të biznesit vazhdojnë që të mbeten të pakënaqur me ligjin “Për procedurat tatimore”, që sipas tyre cenon në mjaft pika të drejtat e tyre. Vendimi i fundit që morri Gjykata Kushtetuese vetëm sa i lehtësoi subjektet e biznesit nga parapagimi i vetëm 15 për qind të masës së gjobës, por ai la në fuqi pagimin në masën 100 për qind të të gjithë detyrimit tatimor. Kjo ishte dhe pika më e kundërshtuar nga i gjithë komuniteti i biznesit në vend, i cili kishte një mori rezervash për draftin e ndryshuar disa herë nga qeveria pa dijeninë e grupeve të interesit. Sipas përfaqësuesve të Dhomës Amerikane të Tregtisë, “në draftin fillestar qeveria kishte përcaktuar që biznesi mund ta paguante detyrimin tatimor në bazë të garancisë pasurore, por më vonë e ndryshoi atë duke vendosur që shlyerja e detyrimit të bëhej me parapagim dhe kesh”. Gjithashtu, si një pikë mjaft e kontestuar nga biznesi, është edhe fakti që ligji i ri u jep Tatimeve të drejtën për të përcaktuar me metoda alternative vendosjen e gjobave të ndryshme në rast se ata vetëm dyshojnë për evazion fiskal te një subjekt biznesi. Një gjë e tillë e kthen administratën tatimore automatikisht në hetuesi. Por biznesi pretendon se një vendim i tillë është arbitrar dhe nuk mund të vendoset në mënyrë apriori nga Tatimet dhe atëherë kur nuk kapet evazion konkret.

Vendimi i Gjykatës

Gjykata Kushtetuese vendosi të hënën shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë pikën 2 të nenit 3 të ligjit "Për procedurat tatimore", sipas të cilit tatimpaguesit para se të paraqiten për shqyrtim gjyqësor, janë të detyruar të paguajnë 15 për qind të çdo gjobe dhe interesi. Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim kërkesën e organizatave të biznesit, të përfaqësuar prej Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Konfindustrisë/Konfederatës së Industrive të Shqipërisë, Shoqatës së Hidrokarbureve, Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqiptaro-Britanike dhe Dhomës Greko-Shqiptare të Tregtisë dhe Industrisë me objekt “Shfuqizimin e pikës 2 të nenit 3 të ligjit "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Gjobat në fuqi

Diskutimet për shfuqizimin e ligjit të gjobave nisën në kuadër të miratimit të një projektligji të ri për procedurat tatimore. Baza e re ligjore përmban një sërë penalitetesh të tjera nëse biznesi nuk tregohet korrekt me shtetin në pagesën e detyrimeve. Sipas projektligjit të ri, gjobat e vendosura për shkelje tatimore administrative mund të hiqen në rrethana të jashtëzakonshme vetëm kur moszbatimi i legjislacionit tatimor është shkaktuar nga fatkeqësi natyrore siç mund të jetë vdekja, ose një sëmundje e rëndë e tatimpaguesit. Në këtë projektligj janë përcaktuar edhe kundërvajtjet administrative, të kryera nga biznesi, ku mosrespektimi i detyrimit për regjistrim dënohet me gjobë të barabartë me 75.000 lekë, ndërsa mosrespektimi i detyrimit për përditësimin e të dhënave të regjistrave dënohet me gjobë 50.000 lekë. Në rast të mosdeklarimit në afat, tatimpaguesi dënohet me gjobë 10.000 lekë. Kundërvajtje konsiderohet edhe mospërdorimi i pajisjeve fiskale. Tatimpaguesit, persona juridikë, dënohen me gjobë nga 20.000-100.000 lekë, nëse nuk instalojnë dhe përdorin pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë.

8 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›