E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi USAID-IDRA: “Qeveria rriti me 13% nivelin e korrupsionit”

Ambasadori i SHBA-ve: “Lufta ndaj korrupsionit jo vetëm me fjalë”. 92% e të intervistuarve thonë se korrupsioni mes zyrtarëve publikë është “shumë i përhapur”

Shaban Sulçe

Edhe pse kryeministri Berisha në deklaratat e tij të vazhdueshme deklaron se qeveria e tij ka korrur suksese të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, e vërteta është krejt ndryshe. Sondazhi i realizuar nga shoqata “IDRA” dhe “USAID”, në prezantimin e të cilit ka qenë i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-ve, Xhon Uithers, tregon se qeveria “Berisha” jo vetëm ka dështuar në luftën kundër korrupsionit, por e ka inkurajuar dhe mbështetur atë. Rezultatet e sondazhit tregojnë se niveli i korrupsionit në Shqipëri në vitin 2008 është rritur 13% më shumë në krahasim me vitin 2006. Sipas këtij sondazhi, korrupsioni i perceptuar në Shqipëri vazhdon të mbetet i lartë. Pothuajse 92% të intervistuarve në sondazhin e publikut të gjerë 2008 thonë se korrupsioni ndërmjet zyrtarëve publikë është “shumë i përhapur” ose “deri diku i përhapur”. Si në 2006-n, njerëzit e shohin shumicën e institucioneve përgjithësisht të korruptuara, ndërkohë që duhet theksuar se ky sondazh është përfunduar përpara ngjarjes tragjike të Gërdecit. Kuptohet se nëse ky sondazh do të ishte përfunduar pas kësaj ngjarjeje, përqindja e korrupsionit në Shqipëri do të ishte më e lartë.
Ambasadori Uithers
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uithers, gjatë fjalës së tij në prezantimin e rezultateve të sondazhit tha se lufta ndaj fenomenit të korrupsionit në Shqipëri nuk duhet të mbetet në kuadër të fjalëve apo fjalimeve të kota.
Uithers tha se nevojitet një angazhim serioz i elitës politike në Shqipëri, ndërkohë që shtoi se një hap i rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit është edhe ndryshimi i ligjit për imunitetin në Shqipëri. “Elita politike e këtij vendi duhet të marrë përgjegjësinë në luftën kundër korrupsionit në mënyrë domethënëse, jo thjesht nëpërmjet fjalimeve dhe fjalëve. Dhe, kur them elita politike, më lejoni të jem i qartë: Nuk po e drejtoj gishtin kah qeveria, apo opozita, apo ndonjë grup i caktuar politik, apo individ; e gjithë elita politike duhet të marrë përgjegjësinë. Dhe kjo do të thotë që udhëheqësit politikë duhet të denoncojnë aktet e korrupsionit edhe kur këto kryhen prej kolegëve të tyre. Nuk duhet të përdorin ndikimin për të mbrojtur miqtë apo të afërmit dhe nuk duhet të përdorin pushtetin politik për të ndryshuar rrjedhën e drejtësisë. Elita politike e Shqipërisë duhet të udhëheqë përmes shembullit të vet. Një hap i rëndësishëm i drejtpërdrejtë që mund të ndërmerret është ndryshimi i ligjit për imunitetin, i cili mbron zyrtarët e lartë në gjykata, në parlament dhe në poste të tjera nga procedimi”, - tha ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Xhon Uithers.
Rezultatet
Ashtu edhe si për vitin 2006, në sondazhin e USAID-it dhe IRDAS-it për korrupsionin në Shqipëri, sektori i Shëndetësisë rezulton të ketë nivelin më të madh të korrupsionit, në të cilin shënohen edhe raportimet më të mëdha të ryshfetit. 69% e të intervistuarve që kanë vizituar spitalet apo klinikat publike gjatë vitit të kaluar raportuan se kanë paguar ryshfete për trajtim mjekësor. Vetëm 10% e të intervistuarve konfirmuan në sondazh se u është kërkuar nga një polic të paguajnë ryshfet, megjithatë 27,3% deklaruan se kanë parë dikë t’i japë ryshfet një polici. 11% e të intervistuarve thanë se u është kërkuar të paguajnë ryshfet nga një zyrtar publik gjatë vitit të kaluar, ndërsa gati 15% deklarojnë që kanë parë dikë t’i japë një ryshfet një zyrtari publik. Problematike shfaqet gjendja edhe përsa i përket nivelit të korrupsionit në gjykata. 1 nga 3 të intervistuarit pranoi në sondazh se kishte paguar ryshfet për çështjet gjyqësore.
Institucionet
Shqiptarët kanë më shumë besim te media sesa te institucionet e specializuara në luftën kundër korrupsionit. Ashtu si dhe në sondazhin e vitit 2006, edhe për këtë vit media vazhdon të shihet si institucioni i vetëm që përgjithësisht ndihmon në luftën kundër korrupsionit. Në sondazh media renditet e para, madje me një me diferencë të konsiderueshme (63.3 pikë në shkallën 0 deri në 100, ku 0 është “nuk ndihmon aspak” dhe 100 është “ndihmon shumë”). Të gjitha institucionet e tjera vlerësohen me më pak se 50 pikë në shkallën e vlerësimit, që do të thotë se përgjithësisht shihen nga publiku si institucione që nuk ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit. Vendin e dytë në largësi e mban shoqëria civile, me 48,4 pikë. Me 36,1 pikë, ILKDP (Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive) vlerësohet se jep më pak ndihmesë në luftën kundër korrupsionit. Gjykata dhe Prokuroria e Përgjithshme tregojnë një përmirësim të lehtë të imazhit nga sondazhi i 2005-s. Perceptimet për kontributin e institucioneve të tjera në luftën kundër korrupsionit nuk kanë ndryshuar.

Transparenca

Transparenca, sipas perceptimit të publikut, mbetet një çështje kritike për institucionet në Shqipëri. Të gjitha institucionet shënojnë më pak se 50 pikë në një shkallë nga 0 në 100, ku 0 është “aspak transparent” dhe 100 është “shumë transparent”. Policia vazhdon të vlerësohet më mirë me 46,9 pikë dhe Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave (AKKP) ka vlerësimin më të dobët me 27,3 pikë. Qeveria dhe Parlamenti tregojnë një përkeqësim të perceptimit publik të transparencës nga 2005-a në 2008-n.
Sistemi gjyqësor
Sistemi gjyqësor është një nga shtyllat më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, megjithatë pothuajse 60% e shqiptarëve në sondazhin 2008 thonë se kanë pak ose aspak besim në këtë sistem. Njerëzit që mendojnë se gjyqtarët nuk janë të paanshëm në drejtimin e proceseve gjyqësore, janë më shumë se trefishi i atyre që mendojnë se gjyqtarët janë të paanshëm.

Problemet rënda ekonomike në Shqipëri
Ekonomia është shqetësimi numër një i qytetarëve në sondazhin 2008. 83% e të intervistuarve identifikojnë papunësinë, problemet ekonomike, varfërinë dhe inflacionin si problemet kryesore me të cilat përballet sot Shqipëria. Pjesa më e madhe e shqiptarëve në sondazhin 2008 (60,4%) e vlerësoi situatën e përgjithshme ekonomike të vendit si “e keqe ose shumë e keqe”, pothuajse 13% më shumë se në 2006-n (47,8%). Të pyetur për krahasimin e situatës ekonomike me një vit më parë, 54% e të intervistuarve thanë se gjendja këtë vit është më e keqe. Qytetarët janë gjithashtu më pesimistë në lidhje me të ardhmen ekonomike. Pothuajse 28% e publikut të gjerë mendojnë se situata ekonomike e vendit do të përkeqësohet vitin e ardhshëm, 16% më shumë se në sondazhin e 2006.

Cili është kuptimi i shqiptarëve për korrupsionin

Shqiptarët i “gjykojnë” ndryshe ata që “marrin” ryshfet prej atyre që e “japin” atë, duke shfaqur më shumë tolerancë ndaj “dhënësve” të ryshfetit në transaksionet korruptive. Kjo është veçanërisht e dukshme në skenarë të ndryshëm nga skenari “klasik”, ku një biznes i jep ryshfet një ministri për të fituar një tender. Studenti që i jep mësuesit një këmishë si dhuratë, me shpresën për të marrë një notë më të mirë, shihet më shumë si “jo i korruptuar” (29,9%) ose “i justifikuar” (41,9%). Gjithashtu, nëna e fëmijëve, që për të marrë certifikatat e fëmijëve paguan 500 lekë si ryshfet, shihet kryesisht si “jo e korruptuar” (21,4%) ose “e justifikuar” (56,1%). Të pyetur për një “shitës lulesh i cili rrit çmimin e luleve gjatë festave”, 52% e qytetarëve u përgjigjen se ky shitës është i korruptuar dhe duhet ndëshkuar. Ky është një tregues se njerëzit ngatërrojnë “abuzimin” e perceptuar të bizneseve që vendosin çmime tejet të larta për mallrat apo shërbimet e tyre me korrupsionin. Ndërkaq, besimi i qytetarëve tek institucionet vazhdon të mbetet i ulët. Shumica e institucioneve janë vlerësuar me më pak se 50 pikë në shkallën nga 0 në 100, ku 0 është “aspak besim” dhe 100 është “shumë besim”. Drejtuesit fetarë, ushtarakët dhe policia janë institucionet më të besuara; Qeveria (40), Parlamenti (39.5), Sindikatat (36.9), Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (32.1) dhe partitë politike (31.9) janë më pak të besuarat. Krahasuar me sondazhet e mëparshme, vetëm gjykatat dhe Prokuroria e Përgjithshme tregojnë një përmirësim të lehtë nga 2005-a. Prirjet politike kanë gjithashtu ndikim në nivelin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve. Qytetarët me prirje të djathta i besojnë qeverisë më shumë sesa qytetarët me prirje të majta (57 pikë kundrejt 30 pikëve). E njëjta gjë mund të thuhet për parlamentin.

8 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›