E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca i cilëson ndryshimet në Kushtetutë si pozitive



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti ditën e djeshme në sallën e Parlamentit me dhjetëra studentë, nxënës shkollash dhe fëmijë që ishin dje pjesëmarrës në seancën “Shqipëria në Europë”. E shoqëruar nga ambasadorja franceze, Maryse Daviet, Topalli tha se tashmë ëndrra europiane është shumë afër. “Njëzet vjet më parë brezi im kishte vetëm një ëndërr: si të afroheshim me NATO-n, si të afroheshim me BE-në. Kjo dukej aq e largët, gati e pamundur. Unë sot besoj se ëndrrën europiane ju sot e keni në dorë. Ta gëzoni atë”, - tha Topalli. Nga ana e saj, ambasadorja e Francës tha se ndryshimet që Kuvendi bëri pak ditë më parë në Kushtetutë ishin të nevojshme. “Qeveria, deputetët dhe gjithë opinioni publik duhet të mbështesë të gjitha këto përpjekje që po bëhen për të përfunduar edhe reformat kryesore që e presin Shqipërinë, nga të cilat më kryesorja është reforma zgjedhore para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme në Shqipëri. Gjithashtu, doja të përmendja edhe faktin e miratimit nga Parlamenti shqiptar me konsensusin e dy partive kryesore shqiptare, Partisë Demokratike dhe partisë Socialiste të ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës për sistemin zgjedhor dhe ndryshimet e tjera, që ishte shumë pozitive”, - tha ambasadorja franceze.

Forumi për Demokraci dhe Etikë, tryezë për vlera morale në Shqipëri

Forumi për Demokraci dhe Etikë organizoi ditën e djeshme një tryezë të rrumbullakët me temë “Tregu, liria dhe vlerat morale”, ku aktorë të ndryshëm të shoqërisë diskutuan në lidhje me këto vlera në shoqërinë shqiptare. Drejtori i FED-së, Arian Galdini, tha se kjo tryezë i shërben debatit intelektual dhe shpalosjes së ideve, të cilat duhet të jenë pjesë e rëndësishme e zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Referuesit në tryezën e djeshme, që i përkisnin sferës së shkencave ekonomike dhe fushës së mendimit filozofik, prezantuan disa nga konceptet dhe idetë e tyre mbi tregun, lirinë dhe vlerat morale, të para ato në kronologjinë e zhvillimit historik dhe të mendimit të shoqërisë njerëzore në përgjithësi. “Tregu është mënyra themelore e organizimit ekonomik të një shoqërie, ndërkohë që demokracia është forma më e mirë e organizimit shoqëror të saj”, - tha Selami Xhepa, këshilltari i kryeministrit për ekonominë. Deputeti i PS-së, Arben Malaj, u ndal në fillesat historike të zhvillimit të tregut dhe lirisë së tij. “Në dinamikën e historisë njerëzore konstatohet se tregu u krijua nga diktaturat për të financuar vetveten dhe nga ana tjetër tregu nuk mund të mbijetonte pa krijuar demokracinë”, - u shpreh Malaj. “Me rënien e totalitarizmave në shekullin e 20-të, rrjedhojat historike të përplasjeve konceptuale mbi lirinë e kanë çuar diskutimin në një nivel akoma më të madh argumentesh”, - tha pedagogu i Universitetit, Polis Edvin Kulluri.

8 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›