Shqipëria paqeruajtëse, trupa ushtarake në Çad
Shqipëria do të rrisë numrin e trupave të saj paqeruajtëse, ku kësaj here do të nisë trupa komando për herë të parë në Afrikë. Trupat shqiptare do të jenë pjesë e operacionit “EUFOR Tchad/RCA”, që do të ketë për detyrë kthimin e normalitetit të sigurisë në shtetin e Çadit. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria zgjeron në një moment shumë të rëndësishëm për të, praninë e saj ushtarake në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, në një vend me një krizë të thellë dhe me një angazhim të madh ndërkombëtar për zgjidhjen e saj. “Ne do të marrim pjesë me një njësi dhe mendoj se është një vendim shumë i drejtë. Janë zhvilluar negociata prej disa muajsh dhe po ecet drejt konkretizimit të kësaj marrëveshjeje”, - tha Berisha. Kryeministri theksoi se do të bëhet çdo përpjekje që Shqipëria të jetë e pranishme me forcat e saj të armatosura, aty ku ndodhet NATO-ja apo misione të tjera të BE-së, në shërbim të paqes dhe sigurisë.
8 Maj 2008