Biznesi shqiptar fillon të ndiejë pasojat e krizës greke
Bizneset e shitjeve me pakicë në tregun shqiptar, veçanërisht ato të shitjeve të elektroshtëpiakeve apo mobilieve, kanë regjistruar ecuri jo të kënaqshme shitjesh gjatë festave të fundvitit, gjë që i shtyn të besojnë se emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi kanë filluar të kursejnë si pasojë e krizës që përfshiu fqinjin tonë jugor gjatë muajve të fundit. Rrjetet e shitjeve të mallrave me përdorim afatgjatë, vërejnë rënie të shitjeve në Fier, Kavajë e Lushnjë, zona ku emigrimi në Greqi është më i lartë se sa në pjesën tjetër të vendit. Të dhënat e tregtisë së jashtme flasin për rënie të konsiderueshme të eksporteve të Shqipërisë drejt Greqisë, ndërkohë që edhe importet kanë rënë. Disa fabrika në Korçë që prodhonin veshje për tregun grek raportohen të mbyllura.
Në Greqi, sipas të dhënave të EUROSTAT-it, jetojnë 640 mijë shqiptarë, ndërsa studime të ndryshme tregojnë se rreth 150 mijë familje fshatare në Shqipëri jetojnë falë emigrimit sezonal. Greqia e përjetoi pjesën e parë të krizës botërore me lehtësi të konsiderueshme në krahasim me vendet e tjera europiane, por në shtator u bë e qartë se rritja ekonomike u dedikohej shpenzimeve qeveritare. Në tetor u zbulua se deficiti buxhetor në Greqi ishte shumë më i lartë nga sa qe raportuar më herët dhe se shifrat e bilancit publik qenë të manipuluara. Për pasojë, papunësia filloi të rritej me shpejtësi dhe grekët u bënë më të kursyer. Shumica dërrmuese e emigrantëve shqiptarë atje punojnë në ndërtim, bujqësi apo shërbime shtëpiake. Sektori i ndërtimit është më i godituri nga kriza, për shkak se më shumë se gjysma e biznesit të tij krijohej nga fondet publike, të cilat u thanë me fillimin e krizës.
Shqipëria u përball me një rënie të lehtë të remitancave prej 7 për qind gjatë vitit të kaluar, por në fund të vitit, një pjesë e emigrantëve duket se u kthyen në atdhe jo thjesht për pushime. Kjo është një situatë që parashikon vështirësi edhe më të mëdha për të ardhmen.
Kriza në Greqi e ka prekur Shqipërinë edhe në drejtim të kreditimit. Gjatë viteve të shkuara, depozitat e grekëve u transferuan për t’u kredituar në Shqipëri, një praktikë që dha një hov të madh zhvillimi në ekonominë tonë. Por gjatë vitit të fundit, edhe ky burim financimi duket se u pakësua.
#