E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet sulmi gjigant i hakersave

Pirateria Në shënjestër, 2500 kompani në 196 vende

Më shumë se 75 mijë kompjuterë dhe serverë në 2500 kompani janë dhunuar në 196 vende. Ky është bilanci i sulmit më të madh dhe të sofistikuar të hakersave, i regjistruar deri më sot. Lajmi është publikuar në disa gazeta amerikane. Operacioni i piraterisë u zbulua muajin e kaluar nga një kompani në Virxhinia, Netwitness, dhe ka filluar në fillim të vitit 2008. Shënjestër e tij kanë qenë e-mailet, të dhënat e kompanive të ndryshme, kartat e kreditit dhe kredencialet e aksesit të punëtorëve të kompanive të shëndetësisë dhe teknologjisë. Ndër vendet më të prekura nga rrjeti i hakersave janë SHBA-të, Meksika, Arabia Saudite, Egjipti dhe Turqia. Sulmi u zbulua në 26 janarin e kaluar nga Alex Cox, një inxhinier i Netwitness: eksperti gjeti të ashtuquajturin “Kneber bot”, një sistem i përbërë nga të paktën 20 serverë dhe kompjuterë që administroheshin nga një grup hakersash të vendosur në Europën Lindore dhe që kishin krijuar një qendër kontrolli në Gjermani. Sipas ekspertëve, piratët kanë dërguar e-maile të infektuara që kanë hapur dyert e sistemeve informatike të mijëra kompanive. Për sulmin është përdorur një virus i quajtur Zeus. Sipas “Wall Street Journal”, sulmi ka përfshirë edhe dhjetë agjenci qeveritare amerikane. Pentagoni nuk ka dashur të bëjë asnjë koment. Sipas specialistëve, ky është sulmi më i madh dhe më i sofistikuar i hakersave. Mes kompanive të prekura janë gjigantët farmaceutikë “Merck & Co”, “Cardinal Health Inc” dhe kolosë të tjerë si “Paramount Pictures”, që e kanë konfirmuar sulmin.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›