PDIU: Keqardhje për deklaratat e Haxhi- Nastos

Krei i PDIU-se, Shpetim Idrizi
TIRANE- Partia Drejtësi Integrimi dhe Unitet, reagoi pas deklaratave të zëvendesministrit dhe ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto, i cili në një intervistë për Vizion Plus është shprehur se emri Çamëri nuk ekziston në toponimet greke.
Çamëria është një trevë shqiptare, emërtimi i së cilës nuk mund të ndryshojë me vullnetin e askujt, përfshi këtu edhe të shtetit grek. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ndjen keqardhje që qëndrimet e pakuptimta greke trajtohen si argumente ligjore dhe të arsyeshme edhe nga përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar.- thuhet të reagimin e PDIU-së.
Më tej, PDIU thekson se ndjen keqardhje që të njëjtat argumente që i janë dhënë kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule duhet ti jepen edhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të shtetit shqiptar Haxhi-Nastos.
PDIU ka sqaruar se; Shumica e shqiptarëve të ndaluar në Greqi nuk kanë në pashaportat e tyre toponimin Çamëri, por kanë thjesht qytetin e fshatin e lindjes, Paramithinë, Gumenicën, Pargën, Margëlliçin, Filatin, e kështu me radhë, e prapë janë ndaluar.
Në deklaratën e saj, PDIU paralajmëron për përvijim të situatës nëse shteti shqiptar nuk përkrah të drejtat e një komuniteti të diskriminuar, vetëm e vetëm se janë shqiptarë.
Me këtë rast PDIU ka sjellë në vëmendje, sipas saj, disa fakte të pamohueshme historike;
Termi Çamëri nuk është një sajesë e ndokujt, por është emërtimi zyrtar i zones së Çamërisë që prej shekullit të 14-të, pas riemërtimit të saj nga termi Vageneti, që ishte pasardhës i termit Thesproti.
Termi Çamëri ka origjinë të lashtë, pasi vjen nga emri i lumit që sot quhet Kallamas dhe në antikitet quhej Thiamis. Kjo konfirmohet nga të gjithë gjuhëtarët, shqiptarë, grekë dhe të huaj, përfshi edhe ministrin aktual të Arsimit të Greqisë, gjuhëtarin Jorgos Babinjotis.
Termi Çamëri ka qenë një term zyrtar i shtetit grek, pra argumentimi se të lindurit nuk paskan lindur në Çamëri, por në Thesproti, nuk qëndron, pasi vetë shteti grek e njihte këtë trevë me emrin Çamëri. Deri në vitin 1937 ka qenë termi i vetëm zyrtar, ndërkaq më vonë ka qenë term i përdorur nga vetë institucionet greke. Mjafton të lexosh dokumentet e xhandarmërisë greke të zonës për të parë se si i thërrasin Qarkut të Çamërisë edhe në vitin 1939, edhe në vitin 1942, edhe në vitin 1947, etj..
Termi Çamëri është zëvendësuar pjesërisht me termin e ringjallur nga lashtësia, Thesproti VETËM si term i një nëndarje administrative të shtetit grek dhe jo si toponim gjeografik.
Toponimi Çamëri nuk është i barabartë me nëndarjen administrative të Thesprotisë, pasi treva e Çamërisë përmbledh Qarkun e Thesprotisë, Qarkun e Prevezës në shtetin grek dhe Bashkitë e Komunat Konispol, Markat dhe Xarrë, në shtetin shqiptar.
Toponimet kanë një veçori që mund të jenë me terma të ndryshëm edhe brenda vetë një shteti, e jo më ndërmjet kombeve të ndryshme. Nuk kemi dëgjuar deri më sot, që autoritetet tona kufitare kanë refuzuar kalimin në kufi të askujt që ka pashaportë greke e ku vendlindja shkruan Argjirokastro dhe jo Gjirokastër. Nuk ka pasur asnjë rast ku një Italian i lindur në Këln të Gjermanisë është diskriminuar pse e ka në dokumente Kolonia. Argumentet e këtij niveli janë të ulët, të papranueshëm dhe mbi të gjitha qesharakë.