E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesmenët në mes

Nga Tema

Ky është rasti i dytë, kur gazeta “TemA” boton pjesë nga dosja “Gërdeci”, ku biznesmenë të ndryshëm shfaqen si sekserë të politikanit Mediu dhe djalit të politikanit Berisha.

As më shumë e as më pak kjo tregon skemën si funksionon biznesi.

Kështu, që të marrësh një koncesion, të duhet një sekser që të rregullon gjoja nga pikëpamja ligjore situatën, por që të jep koncesionin në dorë.

Të marrësh pará për të ndërtuar diçka me fonde publike, duhet të kalosh përmes firmave pa asnjë sfond biznesi, si ajo e botuesit të gazetës “55”, që e marrin tenderin si dorë e parë.

Aq i frikshëm është bërë fenomeni i marrjes së tenderëve si dorë e parë, sa para disa ditësh një lajm për arrestimin e një super-mashtruesi, nxori hapur skemën si punon biznesi.

Indrit Aliaj, një i ri që hiqej si këshilltar i jashtëm i kryeministrit, Sali Berisha, kishte arritur t’iu merrte biznesmenëve përmes mashtrimit mbi 4 milionë euro, duke bërë pikërisht këtë, duke iu dhënë ndërtuesve kontrata për ndërtime rrugësh, të cilat pretendonte se i kishte fituar vetë. Edhe pse gjithë procedura është e paligjshme, ajo tregon qartë se si bie në grackë biznesi.

Fakt është që biznesmenët e mashtruar ishin të vetëdijshëm që po blinin një gjë të paligjshme. Po kështu, fakt është që njerëzit e mashtruar kaq kollaj dhe që janë të gatshëm të japin kaq shumë pará, e njohin mirë sistemin, e bien po kaq kollaj në grackë.

Indrit Aliu në këtë rast është një super-mashtrues, por nuk ka bërë asgjë ndryshe nga sa po bëjnë fëmijët e këshilltarët e kryeministrit Berisha.

Edhe ai ka marrë miliona euro duke përdorur fuqinë e Berishës. Vetëm se ai është “fëmija ilegal”, ndaj dhe duket i destinuar për t’u arrestuar dhe proceduar.

Të tjerët i mbron babai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›