Flamuri, telashe me karrierën e M.. M...
Flamuri pati telashe të pafundme lidhur me biografinë e M.. M.... Ai burri ia ktheu me urgjencë minutën e fundit, para se të fillonte prezantimin e kandidatëve për deputetë në “Sheraton”. Shkaku ishte se ai burri kishte dashur të bënte kombinim të biografive që ka vetë me ato që kishin sjellë kandidatët.
Kështu, telashi i parë nisi nga shkolla e lartë. Ai burri i kishte kërkuar Fatos Bejës që t’i sillte rezultatet e M.. M... Fatosi, si zyrtar korrekt, kishte hapur arkivin e Ministrisë së Arsimit, kishte nxjerrë notat e M.. M... dhe ia kishte nisur. Regjistri ishte i mbushur me nota të ulëta dhe një mesatare të dyshimtë. Notat që kishte paraqitur M.. M... në CV ishin ndryshe. Pas shumë verifikimesh del që ka dy lloj notash për M.. M..., një palë në Ministri të Arsimit, që janë të ulëta dhe një palë në fakultet, që janë të larta dhe që një letër anonime thoshte se “M.. M... i ka trukuar, pasi ka arritur të pranohet pedagog i jashtëm.”
Po kaq telashe solli dhe çështja e doktoraturës, që nuk dihet kur e ka mbrojtur, ku e ka mbrojtur dhe çfarë ka mbrojtur. Pasi e kaloi këtë telash, Flamuri mendoi se shpëtoi. Por biografia e tij kishte telashe pa fund. Në vitin 1993, ky tip, pra M.. M..., kishte zbuar kryeredaktorin e “Zërit të Rinisë” me forcë dhe kishte marrë gazetën. Pasi e mori, e çoi me shpejtësi në 200 kopje dhe e falimentoi. Këtë Flamuri nuk dinte si ta përdorte si sukses. Pasi u mendua pak, e gjeti. “Gazeta “Zëri i Rinisë” ishte një gazetë ish-komuniste dhe misioni i tij ishte ta falimentonte. Pasi e depërtuam me forcë në krye të saj, ai arriti ta bëjë të palexueshme dhe e falimentoi këtë gazetë”. Kjo iu duk zgjidhje e mirë. Me siguri do t’i pëlqejë atij burrit, tha. Sapo ia dha, ia ktheu mbrapsht.
- Jo, kam pyetur Mehmet Elezin në atë kohë, - i tha. - Më ka thënë që ka qenë pozitive gazeta, dhe ky e bëri negative. Hiqe fare këtë pjesë.
E hoqi dhe atë pjesë.
Vazhdoi më tej me përpjekjet e M.. M... për të gjetur ndonjë punë. Në vitin 1997 shfaqet si gazetar në një gazetë me emrin “Atdheu” që mbështeste Monarkinë. Kjo është pozitive, tha Flamuri, se dhe ne me Monarkinë kemi qenë atëherë. Dhe e përforcoi këtë fjalë.
“Në vitin 1997 ishte në krah të Monarkisë në kushtet e humbjes së shpresës së miliona shqiptarëve të gënjyer nga mafia komuniste”.
Ai burri i hodhi një sy dhe s’bëri komente për këtë.
Pastaj vazhdoi më tej. Më 1998 e në vazhdim rezulton i punësuar si kujdestar etike në gazetën “Shekulli”, detyrë që e ka bërë me përkushtim. Kjo gazetë e botuesit Kokëdhima, e cila ka zbuluar e para që PD do bënte kryengritje të armatosur dhe që Azemi do vritej mes datave 10 deri më 12 shtator, ka pasur M.. M.... drejtor etike. M.. M... i ka gjetur korrekte këto shkrime dhe ka bërë raport pozitiv për pronarin. Kështu e ka shtyrë deri nga viti 2002 duke qenë mbulesa politike e një gazete që sulmonte çdo ditë PD. Pas vitit 2002 mbetet i papunë. Këtu fillon dhe kriza e Flamurit. Problemi më i madh është se M.. M... i kishte kërkuar gazetës “TemA” të ishte bashkëpunëtor i saj. Botuesi i kishte thënë se “nuk kemi honorarë, se jemi keq nga ana financiare”. Pasi ishte mëdyshur, M.. M... kishte pranuar. Shkonte çdo pasdite në redaksi, lavdëronte gazetën dhe bënte ndonjë shkrim. Duke parë sjelljen e mirë të tij, botuesi i gazetës i lutet atij burrit ta bëjë anëtar të Këshillit Kombëtar të RTVSH, që t’i kompensonte honorarët për bashkëpunimin vullnetar në gazetë. Dhe kështu u bë. Me propozim të botuesit të gazetës u bë anëtar i Këshillit të RTVSH. Kjo pjesë e çmendi krejt Flamurin. Si t’ia hiqte këtë fakt tani që ishte propozuar nga ai i gazetës “TemA”. E retushoi dhe tha që “M.. M... ka ndihmuar në reformimin e RTVSH gjatë kohës që ishte Artur Zheji drejtor, duke i qëndruar në krah drejtorit...”. Pastaj rezulton se botuesi i gazetës e ka aktivizuar dhe në disa projekte me Forumin e Medias duke i dhënë honorarë, pasi i ankohej që ishte keq për lekë. Këto Flamuri i fshiu fare dhe tha që ka “punuar në projekte të ndryshme me të huajt”.
Në vitin 2005, siç dihej, botuesi i gazetës “TemA” e propozoi për anëtar të KOP, po ai burri nuk e pranoi për arsye “shtetërore”. Atëherë, botuesi i gazetës “TemA” i gjeti punë tjetër. E futi këshilltar të Bujar Leskajt. Sa e mori vesh ai burri, u tërbua, por s’kishte ç’t’i bënte më. Këto episode Flamuri i shkurtoi duke thënë se ka shërbyer si këshilltar i jashtëm i Ministrisë së Kulturës. Më tej ka një pauzë dhe disa shkrime shumë të egra të tij kundër PD dhe Berishës. Kulmi ka arritur më 2007, kur ka qenë në shtabin elektoral të Edi Ramës kundër Sokol Olldashit. Flamuri këtu e kishte më pisk dhe shkroi: “Nga viti 2006 deri më 2008 ka pasur një periudhë reflektimi për zhvillimet demokratike në vend”. Kjo iu duk e mirë, pa shumë zarar. “Në fund thirret në ndihmë nga kryetarja e parlamentit për t’i “kuruar” asaj fushatën paraelektorale dhe zgjidhet kandidat për deputet në Lezhë.”
Flamuri kishte djersirë i tëri së modifikuari biografinë e M.. M.... Më në fund dhe atij burrit i ishte dukur e pranueshme dhe pranoi t’ia lexonte para sallës në “Sheraton”. Sapo filloi ta lexonte ai, Flamuri uli kokën dhe bënte sikur fliste në telefon, se donte mos të kuptohej që ishte skuqur i gjithi.