E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimet mafioze të Mediut për trafikun e armëve

Nga Tema

Gazeta “TemA” boton sot dëshminë e biznesmenit Roland Çelmeta, i cili mundësoi takimin mes biznesmenit të ndjerë, Kosta Trebicka, me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në lidhje me aferën e trafikut të armëve.

Ndoshta dëshmia e tij nuk thotë asgjë për prokurorinë, e cila po kërkon me ngulm shkeljet e procedurave, por për një qytetar është ndër shembujt më të mirë se si bëhen gjërat në politikë.

Kështu, për të diskutuar se si mund të shmanget një sekser nga tregtia e fishekëve, biznesmenit Kosta Trebicka i duhet të gjejë një sekser për të takuar ish-ministrin e Mbrojtjes.

Kosta Trebicka prej kohësh kishte vënë re që po spostohej nga biznesi i tij i ripaketimit të fishekëve kinezë. Ai kishte gjithashtu dhe shqetësimin se një kompani seksere me emrin “Evdin” po dyfishonte çmimin e fishekëve që i shiteshin kompanisë amerikane AEY.

Trebicka e di shumë mirë se në mënyrë zyrtare dhe ligjore këto çështje nuk mund të zgjidhen, ndaj kërkon pa fund takime informale. Dhe lehtësia me të cilën bëhen këto takime është shqetësuese. Kështu, ai takon në mënyrë mafioze djalin e kryeministrit në sediljen e pasme të një fuoristrade.

I këtij stili, si në filmat e Hollivudit, është dhe takimi me Mediun.

Ministri i Mbrojtjes, edhe pse e di që bëhet fjalë për një biznes, ku implikohet ministria e tij, ambasada amerikane dhe një kontratë nga Pentagoni, zgjedh që takimet t’i bëjë në kafenetë e Tiranës.

Ndërmjetës është një biznesmen, mik i përbashkët i Trebickës, i cili bën të mundur takimin. Mediu i bindet menjëherë atij dhe pranon të takojë Trebickën.

Sipas një kodi gati mafioz, Çelmeta i takon të dy, ata ulen në kafe dhe Çelmeta largohet për t’i lënë të bisedojnë privatisht. Këtu Mediu bën njeriun që i bën gjërat hapur dhe e fton dhe Çelmetën që të asistojë në bisedë. Më pas ish-ministri i Mbrojtjes nis një seri telefonatash për t’i “dhënë drejtim” kësaj çështjeje.

Dëshmia e Çelmetës nuk thotë asnjë gjë, por duket se ai është pak i pandershëm, kur thotë se nuk di asnjë gjë në lidhje me problemin që ka nuni i të birit të Çelmetës, në këtë rast Kosta Trebicka.

Dëshmia e tij mbyllet po me një kod, siç nisi. Çelmeta thotë që ministri ka qenë i hapur dhe aspak arrogant në bisedë, ashtu siç dhe kishte deklaruar më vonë Kosta Trebicka.

Më poshtë vijon dëshmia e plotë e Çelmetës.

A mund të na thoni, nëse e njihni shtetasin Kosta Trebicka? Nëse po, në ç’rrethana?

Unë e njoh shtetasin Kosta Trebicka. Me këtë shtetas kam një miqësi prej një periudhe kohore rreth 5-vjeçare. Shkas për njohjen me këtë shtetas ka qenë fakti se bashkëshortja ime ka përfunduar masterin me bashkëshorten e Kosta Trebickes për “Menaxhim Biznesi”. Më pas, kemi pasur miqësi familjare me të dhe ky shtetas është personi, i cili ka pagëzuar djalin tim.

Në deklarimin e tij, shtetasi Kosta Trebicka deklaron se në një takim që ky shtetas ka zhvilluar me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ndërmjetës i këtij takimi keni qenë ju! Ç'mund të deklaroni lidhur me rrethanat dhe detajet e këtij takimi?

Është e vërtetë se unë kam qenë prezent në takimin ndërmjet shtetasit Kosta Trebicka me ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ky takim është kërkuar nga Kosta Trebicka. Konkretisht, dua të deklaroj se Kosta Trebicka rreth një vit me parë, datën dhe ditën e saktë nuk e kujtoj, më ka thënë se donte të zhvillonte një takim me ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ai më ka thënë se kishte një punë me një firmë amerikane për paketimin e municioneve dhe posedonte disa dokumente. Për mbarëvajtjen e biznesit që kishte ndërmend, duhej patjetër të kontaktonte me ministrin e Mbrojtjes. Sipas kontakteve që kisha me të (Kosta Trebickën), ai donte ta zhvillonte këtë takim me ministrin privatisht dhe nuk kishte gjetur personin e duhur për t'ia mundësuar. Unë ndërkohë ia kam marrë përsipër ndërmjetësimin për takimin me ministrin, pasi ish-ministrin unë e njihja prej vitesh dhe kisha marrëdhënie të mira. Siç përmenda, datën dhe ditën e saktë nuk e mbaj mend, por rreth orës 16.30 i kam telefonuar zotit Mediu, i kam thënë se një miku im dhe konkretisht nuni i djalit tim, i quajtur Kosta Trebicka, kërkonte të zhvillonte një takim me të e të pinte një kafe. Zoti Mediu është treguar i gatshëm për takimin, dhe pas rreth 10 minutash nga momenti i telefonatës ka zbritur nga banesa e tij dhe jemi takuar në një bar kafe të quajtur “Destil”, në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”. Jemi ulur në kafe dhe kam bërë prezantimin midis ministrit të Mbrojtjes, zotit Mediu, me shtetasin Kosta Trebicka, duke prezantuar edhe raportet e mia me të dy. Pasi kam bërë prezantimin, jam ngritur nga tavolina dhe i kam lënë të dy të bisedonin me njëri-tjetrin. Zoti Mediu më ka thënë se nuk ishte e nevojshme që të ngrihesha, pasi ky ishte një kontakt midis miqsh dhe nuk kishte diçka të fshehtë për të biseduar. Zoti Trebicka i ka prezantuar ish-ministrit disa dokumente që nga sa mbaj mend, Kosta Trebicka i ka thënë ministrit se ishte përfaqësues i një firme amerikane që kishte aktivitet në paketimin e fishekëve. Zoti Mediu me mirësjellje ka parë dokumentacionin që dispononte Kosta Trebicka dhe në moment ka bërë dy telefonata, një në drejtim të ambasadës amerikane, në gjuhën angleze, që nga sa unë e njoh gjuhën angleze, ka thënë se duhej të takohej me personin, të cilit i telefononte në zyrën e tij po atë ditë. Unë kuptova se personit të ambasadës i ka thënë se duhej që me të të verifikonte disa dokumente (që kishin të bënin me dokumentacionin e Kosta Trebickës). Ish-ministri ka bërë edhe një telefonatë tjetër, që nga sa kam kuptuar ka qenë funksionar i Ministrisë së Mbrojtjes, të cilit i ka thënë që të shkonte në zyrën e tij pak më vonë për t’u sqaruar lidhur me disa dokumente, pra që kishin të bënin me çka bisedoi me Kostën. Pasi kemi qëndruar rreth 10 minuta në lokal, ish-ministri nuk ka parë në detaje dokumentacionin, për të cilin foli me Kosta Trebickën, por i tha atij se do të komunikonte përsëri, pasi të sqaronte gjithçka me personat kompetentë dhe që kishin informacionin e duhur lidhur me këtë çështje. Janë ngritur, kanë përshëndetur përzemërsisht njëri-tjetrin dhe janë larguar. Kjo është gjithçka unë kam ndërmjetësuar midis Kosta Trebickës dhe ish-ministrit të Mbrojtjes siç e deklarova më sipër.

Keni pasur ndonjë kontakt më vonë me shtetasin Kosta Trebicka lidhur me problemin e tij ose bisedën që bëri me ish-ministrin?

Unë jam takuar me Kosta Trebickën në vazhdimësi, pasi, siç përmenda, kam lidhje miqësore familjare, por nuk kam të dhëna se si kanë shkuar bisedat midis tij dhe ministrit për biznesin që donte të kryente përveç faktit që një moment ai me ka thënë se e kishte humbur mundësinë për të zhvilluar aktivitetin që ai kishte ndërmend, për të cilin kishte kontaktuar me ish-ministrin. Kjo është gjithçka doja të deklaroja dhe deklaroj gjithashtu se në media kam dëgjuar që Kosta Trebicka është shprehur se gjatë takimit që ai ka pasur me ish-ministrin Fatmir Mediu në prezencën time, ish-ministri është sjellë me arrogancë dhe mendjemadhësi me të, fakt i cili nuk është i vërtetë, pasi sjellja e ish-ministrit ishte shumë dashamirëse dhe me shumë korrektesë e etikë ka trajtuar Kostën për gjithë bisedën dhe kërkesën e tij.

Dëshmia e Mediut: Unë po sjell amerikanë për të demontuar

Dëshmia e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, përballë prokurorëve pak a shumë përmban ato mesazhe që ai ka thënë prej kohësh publikisht, që vendimi ka marrë pëlqimin e Këshillit të Ministrave, që urdhrat e dalë nga ai janë konform ligjeve, e që Shtabi i Përgjithshëm ishte në dijeni të gjithë këtyre veprimeve dhe i kishte deklaruar ministrit që gjërat kanë shkuar mirë.

Mediu përdor për këtë dhe një vizitë të vetë shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, në Gërdec.

Por ajo që bie në sy gjatë kësaj dëshmie është se gjatë gjithë kohës Mediu përdor emrin NATO, Departament Shteti, Marrëveshje e Stabilizim-Asociimit, e një seri akronimesh që lidhen me këto të fundit për të ilustruar gjithë punën e tij për demontimin e armëve, që kulmoi me ngjarjen e Gërdecit.

Mediu përmend përpjekjet e tij personale që të tërheqë sa më shumë amerikanë në këtë çështje. Fakti që shpesh e përmend emrin e SAC si një kompani amerikane duket si një presion që u bëhet prokurorëve për t’u thënë se edhe aty ka gisht pak Amerika.

Dëshmia e tij është komplet në vijë të drejtë me artikulimin e tij publik, por dhe jopublik, ku shfaqet hapur tendenca për të përdorur hapur mbështetjen e amerikanëve në reformat shqiptare. Edhe në dëshmi nuk mund të mos shfaqet ky moment i Mediut, që gjithmonë e paraqet veten si njeri të aleatëve.

Madje, një përpjekje e tillë për një moment u duk sikur implikoi dhe ambasadën amerikane në vendin tonë, për të cilën një komision i Kongresit nisi dhe një hetim. Por, pas disa kohësh u arrit në konkluzionin se asnjë zyrtar i ambasadës amerikane në vendin tonë nuk ka qenë i implikuar në këtë aferë.

Pjesë nga dëshmia e Fatmir Mediut

- Jam vënë në dijeni të projekteve të mëparshme dhe të mundësive për projekte të tjera. Kemi patur kapacitete të brendshme për demontim, të realizuara në ish-uzinat ushtarake të Poliçanit, të Gramshit dhe të Mjekësit. Gjithashtu, ka patur kontrata me agjenci të huaja, shtetërore ose private, të financuara nga vende donatore, siç është rasti i Mjekësit me agjencinë NAMSA, e cila është agjenci e NATO-s dhe me financim nga vende të ndryshme, ku sponsor kryesor ka qenë Kanadaja.

- Një projekt tjetër i rëndësishëm ka qenë eliminimi i agjentëve kimike në Qafë Mollë. Projekt tjetër ka qenë për eliminimin e minave detare, ku ka fituar kompania SAIC, e cila është një kompani private. Në këtë rast kompania është përzgjedhur nga qeveria amerikane.

- Dua të theksoj se demontimi i municioneve është një prioritet për Ministrinë e Mbrojtjes, që buron nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e cila është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe parashikon eliminimin e municioneve të tepërta deri në vitin 2010. Një gjë e tillë është e parashikuar gjithashtu dhe në Paktin e Stabilitetit për Evropën Juglindore dhe në mënyrë më të veçantë në tryezën e tretë për sigurinë. Ky detyrim parashikohet gjithashtu në procesin e anëtarësimit në NATO, të cilat vlerësohen në mënyrë vjetore në strukturat përkatëse të NATO-s dhe dokumentin e PARPI-t i NATO-s që është specifik për problemet e Forcave të Armatosura.

- Dua të shtoj se politika e demontimit është një politike që ka kohë që ka filluar dhe nuk filloi, kur unë u emërova ministër i Mbrojtjes dhe jemi përpjekur të tërheqim asistencën teknike, por dhe mbështetjen financiare nga vendet anëtare të NATO-s. Ne si ministri kemi patur bashkëpunim me NAMSA-n, me SHBA, Departamentin e Shtetit dhe atë të Mbrojtjes.

- Kemi pasur disa projekte me SHBA, ku më domethënës ishte “Projekti i Qafë-Mollës” që synonte eliminimin e elementëve kimike që kanë qenë me një rrezikshmëri shumë të lartë.

- Po kështu, kur kam qenë ministër, kam mundur të tërheq fonde nga Departamenti i Shtetit për shkatërrimin e municioneve.

- Dua të shtoj se deri në atë kohë, në të gjitha kontaktet që unë kisha, në të gjitha vizitat dhe kontaktet zyrtare që unë kam patur me

përfaqësuesit e vendeve të NATO-s, e kisha si prioritet të bisedimeve të kërkoja ndihmë financiare apo donacione e asistencë teknike për demontimin e municioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›