"Falstaff", tërmet për jetën e një teatri të zakonshëm
“Falstaff” - hap një portë hyrëse të re në memorialin verdian të teatrit tonë operistik. Asgjë më befasuese qoftë dhe për një meloman të thekur se sa ndeshja së pari me botën tingëlluese të kësaj vepre.
Asgjë më tjetër sesa tërësia muzikore e asaj që ke përjetuar nga "burla" (it. shaka, lojë) që i madhi dhe i moshuari Verdi na punoi në titullin e fundit të katalogut të tij voluminoz.
Asgjë më e stërholluar sesa gjuha muzikore e personazheve veçmas dhe endja e gjithë tollovisë mes atyre që në fund vetëkrijuesi i konsideron të vënë në lojë - gabbati, gabbati - Prej kujt?
Prej tij? Cilët? Vetëm personazhet apo dhe ne publiku?
Duket sikur përvoja gjeniale e rrugës së tij krijuese të përshkuar çdo herë mes monopatesh e shpesh rrëpirash gati-gati është mohuar tani.
Plaku paska patur në mendje një krejt tjetër vokacion teknologjie të asaj që e kemi konceptuar deri atëherë si Universi verdian. Principe krijuese krejt të tjera apo tejet të transformuara. Vepra ngjason me endjen e një dantelle me grep të hollë. Shkrirje personazhesh që muzikalisht identifikohen qoftë dhe përmes tingullit të një instrumenti. Një organicitet në vijim që definon situatat më të çuditshme muzikore, pak të ngjashme me format dhe organizimet dramaturgjike të deritanishme. Jo një mohim total i stilit "buffa" të paraardhësve të tij të ndritur, por një rikrijim i stilit "buffa" totalisht të personalizuar mes bisedave që rrjedhin që në masat e para të partiturës voluminoze pa introduksione a uverturë, a thua se ka dashur të shfrytëzojë skenikisht çdo çast brenda shfaqjes së tij. Përkundrazi Verdi gjen kohë të ruajë dhe ansamblet koncertante që bën çmos të mos e lënë aksionin në vend, arien "Vechio Falstaff".., monologun e Fordit, apo ariozën e Fentonit "Bocaa bacciata...". Asgjë prej tyre nuk fillon, ato vijnë dhe nuk mbarojnë por vijojnë me të tjera situata muzikore e skenike. “Reverenza” apo “Dalle due alle tre” përbëjnë stilema gjuhësore e muzikore që të vjen t’i përdorësh çdo ditë.
Vërtet me sinqeritet të vjen të pyesësh: Plaku i Busetos e ka kompozuar veprën mbi libret, apo e ka përdorur libretin si pretekst për të zbrazur tërë arsenalin krijues të tij dhe për ta ezauruar vënien e tij krijuese deri në fund”.
Për të imponuar këtë krijim të tij së paku të themi "të çuditshëm" i është dashur dhe një argument po kaq i "çuditshëm". Kush më përsosmërisht mund ta ofronte përveçse komediografia shekpiriane "Gratë gazmore të Uindsorit", nën libretin e Arrigo Boito, ishin struktura skenike plotësisht e kënaqshme për t'i shtuar "shpotisë" shekspiriane, shakanë verdiane "E vetmja që të mbetet të thuash pas saj është të përsëritësh "Gjithë bota është një lojë a mashtrim, varet si e merr".
"Falstaff" për jetën e një teatri të zakonshëm është një tërmet.
Konceptimi i funksionit të "yjeve të vokalit" graduatores mes personazheve, ansambleve me pjesët solistike, importancës vokaliste mbi instrumentitët që shërbejnë për të shoqëruar etj, etj, janë rrokullisur a përmbysur.
Gjithçka është e rëndësishme që nga figura më e thjeshtë në skenë deri tek flauti "picolo" apo triangolo e orkestrës që identifikohen si personazhe. pas gjithë asaj çka ndodh jo shkurt në skenë, gjeniu i operas e mbyll kopertinën e mbrapme të gjithë veprës së tij me "Fugën" rendëse të gjithë të pranishmëve që është edhe monumenti që ai i ngre në ditët e fundit unit të tij krijues, e asaj që arti i kombinimit të tingujve ka prodhur si shenjë e gjenialitetit të shpirtit njerëzor...
II
Sinopsis
Në 1890, Verdi 70-të vjeçar i shkruante Gino Monaldi-it: “Prej 40-të vjetësh dëshiroja të shkruaja një opera komike, dhe prej 50-të vjetësh njoh veprën “Gratë gazmore të Uindsonit”; madje… të zakonshmit por që janë gjithandej, përpiqeshin të pengonin këtë dëshirë timen. Tashmë Boito ka shkrirë gjithçka, dhe krijoi një komedi lirike që nuk i ngjan asnjë vepre tjetër. Dhe unë argëtohem duke i kompozuar muzikën; Falstaff është një i trishtuar që kryen veprime të këqija… por në formë argëtuese. Është një tip! Ka shumë tipa në fakt! Opera është krejtësisht komike!”.
“FALSTAFF”
premierë absolute
Mbi veprën e Shekspirit “Gratë gazmore të Uindsonit”
Muzika: Giuseppe Verdi
Libreti: Arrigo Boito
Regjia dhe Skenografia
Nikolin GURAKUQI
Kostumet
Sartoria Arrigo Milano
Dirigjent Kori
Dritan Lumshi
Dirigjent
Alqi Lepuri
Mjeshtër Koncertues
Gianna Fratta
Të ftuar
Cengiz Sayin
Dobromir Tzvetanov
Sahap Cuneyt Unsal
Deniz Þenözhür
Ergys Mita
Interpretojnë:
Vikena Kamenica, Dorina Selimaj, Shpresa Beka, Eriona Gjyzeli, Armand Likaj, Sonila Oshafi, Klodiana Laze, Roel Llupo, Gilmond Myftari, Denis Skura
Orkestra Simfonike e T.K.O.B,
Ne datat 24, 26, 28, 29, 31 Maj Ora 19.00