Hipokrizia me ligjin e dosjeve
Ligji aq shumë i debatuar për pastërtinë e figurave, i bllokuar në Gjykatë Kushtetuese, është hedhur së pari në kosh nga vetë hartuesit e tij. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vendosur në listën e kandidatëve për deputetë figura, për të cilat ka bërë vetë deklarata të qarta, nga pozicioni i ish-presidentit, që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Në këto kushte më duhet të përshkruaj dy prej këtyre rasteve.
Një kandidat për deputet i listës për Korçën, i cili ka qenë një ish-zyrtar i lartë në mandatin e parë të PD dhe në qeverinë e zotit Fino, anëtar i kabinetit, ka pasur një konflikt të fortë me Berishën menjëherë pas vitit 1997. Në përpjekje për ta kuptuar konfliktin e tij me Berishën, humba një kohë të gjatë të mësoja se çfarë kishte ndodhur. Në vitin 1999 ky zotëri më kërkoi ta ndihmoja përmes shtypit, por dhe përmes ndikimit pranë Berishës që të përfshihej në listën e Këshillit Kombëtar të PD. Premtimi i tij ishte se ai do të ishte një luftëtar kundër Genc Pollos, Ferdinand Xhaferrit dhe grupit të mbështetësve të tyre. Për shkak të bezdisë që të ngjallte këmbëngulja e tij, m’u desh t’ia përcjell këtë kërkesë Sali Berishës. Sapo ia thashë, ai u egërsua papritur dhe më tha se zotëria në fjalë ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, edhe pse ka qenë në burg politik. Këtë më tha me kompetencën e ish-presidentit që i ishte dashur të verifikonte figurën e tij. Më pas më tregoi se si në mes të krizës shtetërore të vitit 1997, kur ishte formuar kabineti i Bashkim Finos dhe Berisha po përpiqej të gjente një pasardhës të pranueshëm për në krye të SHIK, socialistët i propozuan përmes Finos pikërisht emrin e këtij personi që ishte praktikisht ministër i tij. Berisha e shpjegoi këtë me faktin se, duke qenë se ishte bashkëpunëtor Sigurimi, ai ishte ende peng i socialistëve dhe ata deshën ta përdorin kundër tij. Kjo, sipas tij, ishte arsye e fortë që ai të mos ta pranonte kurrë në parti atë person. Tashmë, fare papritur e ka pranuar dhe e ka vënë kandidat për deputet në qarkun e Korçës.
Rasti i dytë është po ashtu me një kandidat të PD në Lezhë, në vend të sigurt për deputet. Më është dashur po ashtu në vitin 2005 ta propozoj për anëtar të KOP së bashku me Apollon Baçen, por Berisha ma refuzoi emrin e tij duke më thënë se ka qenë bashkëpunëtor. Në vend të tij u pranua emri i Agron Tufës, një bashkëpunëtori tjetër të gazetës “TemA”. Tashmë, edhe pse shumë njerëz mund ta kuptojnë për kë bëhet fjalë, s’po ia përmend emrin për etikë, por s’mund të rri pa kërkuar prej kryeministrit që ka hartuar ligjin e dosjeve ta zbatojë atë i pari, edhe pse ai gjendet i bllokuar në gjykatë. Në listën prej 140 deputetësh mund të ketë dhe të tjerë të tillë, për të cilët ne nuk kemi informacion zyrtar. Por tallja me ligjin e dosjeve dhe përdorimi i tij në mënyrë selektive vetëm ndaj kundërshtarëve të kryeministrit është një fyerje e madhe për ata që kanë vuajtur nga regjimi komunist dhe që duan realisht dënimin e së kaluarës. Debati për hapjen e dosjeve dhe pastrimin e institucioneve prej tyre u keqpërdor deri në fund, duke u bërë i pazbatueshëm dhe represiv vetëm nga pikëpamja verbale, sa të trembte ca gjykatës dhe prokurorë që i kanë shërbyer diktaturës me të njëjtin zell që po i shërbejnë sot Berishës duke i mbyllur gjithë çështjet e mëdha të korrupsionit.
Zoti Berisha kishte parashikuar që ligji i pastërtisë së figurave t’u ndërpriste mandatin deputetëve spiunë, ndërsa sot ai po fut me vetëdije ish-bashkëpunëtorë Sigurimi në Kuvend. Dy rastet që përmenda më lart janë së paku dëshmi nga kontaktet e mia personale me zotin Berisha dhe unë s’jam i sigurt, nëse ai ka gënjyer atëherë apo po gënjen tani. Di të them se ai nuk ka një raport të vërtetë dhe të sinqertë me të shkuarën komuniste të këtij vendi dhe vazhdon ta përdorë dhe ta mjelë komunizmin njësoj siç e ka përdorur para 20 vitesh, kur ishte pjesë e atij sistemi.
Dënimi i krimeve të komunizmit dhe pastërtia e figurave në politikë duhet të reflektoheshin së pari te lista e PD, e cila mori një iniciativë të vonuar ligjore për këtë çështje. Por, siç shihet që nga larg, ajo nxin e tëra nga njerëz, të cilët ai i ka marrë peng për shkak të së shkuarës së tyre dhe jo të ardhmes që do t’i japin politikës shqiptare.