Pranverë 1949: “Dimri” i pamshirshëm i Shqipërisë sportive (II)
II.
Le të përshkohemi tani në kronikën e ngjarjes.
Në janar 1949 në Shqipëri mbrrijnë specialistët sovjetikë të sporteve Grigori Nikoforof dhe Boris Apuhtin.
I pari për atletikën dhe i dyti për futbollin. Qysh nga ky çast përvoja jugosllave merr fund, historia e saj madje varroset, dhe tash e mprapa, për rreth 14 vjet, përvoja sovjetike është sunduese e pakundërshtueshme në sportin shqiptar.
Gjithçka nis me një propagandë të shfrenuar për dy specialistët sovjetikë, të cilët më fort se për atletikën e futbollin, kishin ardhur si organizatorë të formave sovjetike në sportin shqiptar. Kanë të drejta të shumfishta, bëjnë gjithçka duan simbas mendimit të tyre, nuk iu ndërhyn askush, madje edhe eksperimentojnë. Në një enciklopedi sovjetike kam lexuar një curriculum të Boris Apuhtin-it si veprimtari kryesore të tij se "ka organizuar Kombëtaren e Shqipërisë". Këtij teoriku, në të vërtetë të shquar të futbollit sovjetik, padyshim i aftë, nuk i duhet mohuar puna po ashtu si dhe kolegut të tij Nikoforof. Dhe kur e merr me mënd se si po rritej sporti i Bashkimit Sovjetik, frytet e para të të cilit do të korreshin sidomos në Olimpiadën e Helsinkit më 1952, e kupton se sa mund të ndikonin ata në sportin shqiptar. Sidoqoftë, më tepër se "organizim i atletikës e futbollit", në rastin e dhënë, Nikoforof dhe Apuhtin ishin emisarë politik të atij ndryshimi të thellë, mbi të gjitha mbi politikën sportive shqiptare.
Servilizmi i ri, ai prosovjetik, mbërrin deri aty sa shtatë rekordet kombëtare të thyera në atletikë në 2000 metra nga Osman Gruda, në 3000 metra nga Bexhet Zagorçani, në 100 metra nga Zef Frania, në 100 metra për femra nga Zana Korça, në 400 metra nga Albert Koja, në disk prej Myrvete Eqremit dhe në stafetën 800+400+200+100 metra prej katërshes A.Koja, M.Mine, Z.Frania, R.Manushi, iu mveshën që të gjitha meritës së trajnerit sovjetik Nikoforof, sistemit sovjetik të stërvitjes, ndonëse Nikoforof nuk kishte zhvilluar më tepër se një stërvitje me atletët! Madje ai së bashku me bashkëkombasin e tij, Apuhtin, më tepër ishin marrë me drejtimin e kursit për trajnerë të atletikës dhe të futbollit. Më 27 shkurt ata përfundojnë kursin e shpejtë për trajnerë të atletikës dhe të futbollit me rreth 25 trajnerë shqiptarë të atletikës dhe 35 të futbollit, çka për hir të së vërtetës përbënin dy kurset e parë, më të mëdhej të Shqipërisë në histori. Mbyllja e kurseve që përfaqëson një bujë të vërtetë me praninë e Ramiz Alisë si drejtues i Sekretariatit të Këshillit të Përgjithshëm të Rinisë nën “duartrokitjet e zjarrta dhe brohoritjet “Stalin Enver”,” siç shkruan shtypi, duket se nuk ka asgjë të përbashkët me sportin, por vetëm me politikën e rreptë partiake të kohës.
Plenumi VI famëkeq i Federatës Sportive Shqiptare
Eshtë mû ky çast, 17 mars 1949, kur njoftohet po me bujë se do të mbahet Plenumi VI i Federatës Sportive Shqiptare (FSSH) me këte rend dite të rreptë:
“Oganizimi i ri i Fiskulturës dhe çkrirja e Federatës Sportive Shqiptare:
a) diskutime
b) vendime”.
Plenumi IV i FSSH mbahet më 30 dhe 31 mars 1949 në atë që quhet Salla e Klubit të Nozullimit, disi absurde kur dihet se “nozullim” do të thotë “furnizim me ushqime”. Plenumi zhvillohet nën praninë e anëtarit të Komitetit Qendror të PPSH, Pilo Peristeri, për fat ish futbollist i Skenderbeut të Korçës në vitet ’30, për të treguar haptas se tash e mbrapa pa Partinë nuk do të bëhej asgjë edhe në fizkulturë e sport. Dhe mbasi shfrytëzohet figura e Anton Mazrekut për të çelë punimet, raporti mbahet prej njërit nga drejtuesit e FSSH, Alfred Kazanxhi.
Po tashmâ kemi të drejtë të mendojmë se organizimi i atij që do të njihet si "Plenumi VI i Federatës Sportive Shqiptare" ka qenë deri diku edhe vepër e dy emisarëve sovjetikë Nikoforof dhe Apuhtin. Eshtë vërtet e pazakontë ndërkaq aureola që i mbështjell këta dy specialistë propaganda e kohës. Madje dhe në anën e protokollit. Ata ulen në tribuna e në presidiume mbledhjesh po në atë rang të anëtarëve të Komitetit Qendror apo dhe të Byrosë Politike, vizitojnë qytetet kryesore të Shqipërisë, nga Shkodra deri në Vlorë Korçë, duke u pritur si udhëheqës, dhe me propozim të kryetarit të Qeverisë Enver Hoxha, ata marrin dy dekorata të lartë të shtetit shqiptar: Urdhërin e Punës. Përmbajtja e gjithë këtij dekorimi del qartë në këte atribut që nuk i ishte blatuar bie fjala, as edhe një Giro, Ratti apo Lissoni të famshëm gjatë pushtimit fashist. Komunikata përkatëse e pasqyrimit të këtij dekorimi thekson fjalë për fjalë:
“Shokët sovjetikë gjatë qëndrimit të tyre ndihmuan K.K.F.S. në orientimin dhe zbatimin e drejtë të vijës së partisë për sektorin e fiskulturës, duke zbuluar dhe korigjuar të metat, format jo të drejta të organizimit, që kanë ekzistuar. Ata kontribuan për caktimin e formave, strukturën dhe organizimin e ri, për hartimin e kalendarit sportiv, programeve, etj”.
Kuptohet qartë që Nikoforof dhe Apuhtin janë drejtues para dhe mbrapa kuintave të sportit shqiptar. Ata janë kudo. Ata drejtojnë konferenca, seminare, bëjnë politikë sportive, organizojnë sipas GTO-së sovjetike GPM-në shqiptare (Lëvizja Gati për Punë e Mbrojtje). Ata stërvisin ekipet kombëtare, formojnë trajnerë, marrin në provim. Mjafton edhe kjo deklaratë zyrtare për të kuptuar gjithçka:
"Mjeshtrin e Merituar të BS, Nikoforof Grigori dhe mjeshtrin e BS, Apuhtin Boris i falenderojmë përzemërsisht në emër të gjithë fiskulturistave të vendit tonë për punën e madhe dhe të palodhëshme që ata kanë treguar gjatë kësaj periudhe sado të shkurtër në vendin tonë. Nga kjo punë e frytëshme e shokëve sovjetikë kemi mundur të kuptojmë më shpejt format e gabuara organizative, metodat e punës, marrëdhëniet me organizatat e masave, ekzistencën e padrejtë të Federatës Sportive dhe spostimin e rolit drejtues të Komitetit të Fiskulturës."
Ky është thelbi i absurditetit të përkufizimit të lëvizjes sportive shqiptare në këte periudhë të çuditëshme. Eshtë kuintesenca e mohimit të madh të sportti shqiptar të periudhës 1945-1948, ndonëse mbrenda kësaj periudhe qëndronte edhe suksesi më i madh: Shqipëria kishte organizuar për herë të parë në histori një veprimtari disasportëshe, siç ishin Lojërat Ballkanike dhe madje ishte shpallë Kampione e Ballkanit në futboll! Dhe mbrenda këtij mohimi do të hyjë edhe mohimi i Kampionatit Kombëtar të Futbollit 1948-49 për të cilin askund nuk gjeje më as dhe një fjalë. Gjithçka mund të ketë ai Plenum, por ajo që ai ka më pak është mû sporti. Ose më mirë me thanë, ai i kushtohet vetëm politikës sportive të kohës e cila mohon gjithçka ishte bërë dhe synon të ndërtojë diçka "të re", që nuk mund të ishte asgjë tjetër përveçse zëvëndësimi i tutelës jugosllave me atë sovjetike.
Me sa dukej ishte zgjatur si tepër për 4 vjet që organizmi më i lartë i sportit, të kishte mbetur Federata Sportive Shqiptare, themeluar në kohën e Mbretërisë, që vuri themelet e sportit shqiptar; ishte zgjatur po kaq tepër duke lënë në krye njerëzit e vërtetë të sportit si deri tani. Duheshin gjetur patjetër "gabimet e mëdha" të bëra gjatë periudhës së idilit shqiptaro- jugosllav edhe në sport. Plenumi VI i FSSH, tejet i ngjashëm me plenumet e pambarim të PPSH në atë kohë, arrin në arrogancën më të skajshme që një diktaturë komuniste mund të zbatonte edhe në sportin e një shteti. Mjafton të përmendim tre vendimet bazë që mori ky Plenum famëkeq datuar 1949:
"1. Dënojmë të gjitha vendimet dhe tërë punën e Plenumit V të FSSH dhe konsiderojmë të paqenë ekzistencën e Këshillit e të kryesisë së kooptuar në atë Plenum.
2. Plenumi vendos shkrirjen e FSSH si organizatë si në qendër e në bazë së bashku me të gjitha kompetencat e saj.
3. Organi Qendror, Gazeta "Sporti" të pushojë së ekzistuari.
4. Shoqëritë bazë dhe sportklubet të pushojnë së ekzistuari mbas 31 majit të këtij viti."
Mbrenda ndjenjave të profesionit tonë, natyrisht është i padëgjuar vendimi 3 që thotë se: “Organi Qendror, Gazeta "Sporti" të pushojë së ekzistuari”!
Dhe në të vërtetë, më 3 prill 1949 është botimi i fundit i gazetës “Sporti”! Gazeta e dashur, më popullore sidomos për rininë shqiptare, do të rifillojë botimin e saj vetëm mbas 45 ditëve, më 8 maj 1949, nën testaton e re “Sporti popullor” si organ i Komitetit të sapongritur të Kulturës Fizike e Sporteve të RPSH. Dhe me konfirmimin absurd: “Nr. 1 i botimit!” Ndonëse qe botuar në 5 vjet në 172 numra. Duhej të kalonin vite të tana, të vinim te numri i 7 nëntorit 1995 kur e riemërtuar “Sporti Shqiptar” nga autori i këtyre rradhëve, asokohe në detyrën e kryeredaktorit, disi me propotencë dhe në kundërshtim me pjesëtarët e tjerë të redaksisë, iu shtuan edhe të gjitha numrat e botimeve të periudhës së viteve ’30 si dhe ato të periudhës 1945-1949. Veprim që sot e bën “Sportin Shqiptar” unik në botimin e tij qysh nga viti 1930. Për ironi të fatit, një botim që siç dihet, e gëzojnë të pamerituarit…
Duke iu kthyer ndërkaq, historisë që përshkruajmë, vërejmë se simbas “sugjerimeve të dy trajnerëve sovjetikë Mjeshtri i merituar i BS, shoku Nikoforof Grigori dhe mjeshtri i BS shoku Apuhtin Boris”, siç shkruhej germë për germë, vendosen edhe këto çudira të padëgjuara:
- “Dënojmë metodat dhe mënyrën e punës së gabuar të mbështetura n’ato të trockistave jugosllavë dhe do të bazohemi rrënjësisht n’eksperiencën e provuar të fiskulturës në BS.
- “Dënojmë të gjitha vendimet dhe tërë punën e Plenumit V të FSSH dhe konsiderojmë të paqenë ekzistencën e Këshillit e të kryesis녔
Siç shihet, kemi të bëjmë me një shkatërrim të tanë, madje me një zhdukje të pafalshme të historisë, të vetë një kohe sportive kombëtare! E gjitha është një farsë, një artefis për të kaluar thjesht nga përvoja jugosllave në atë sovjetike dhe asgjë më tepër.
Mbërrijmë kështu te justifikimi përmes deklaratës zyrtare të Plenumit VI të FSSH:
"Gjatë kësaj periudhe janë konstatue në sektorin tonë të meta të mëdha parimore, të cilat e kanë burimin tek ndërhyrja e poshtër dhe antimarksiste e trockistëve jugosllavë dhe të veglave të tyre të vendit tone, Koçi Xoxe e Pandi Kristo. Këto u përcaktuan në Plenumin V të FSSH që karakterizohet i padrejtë dhe kundra interesave të lëvizjes fiskulturale në vendin tonë."
Për të kuptuar përveç të tjerave, sadopak gjithë mârrinë e këtij qëndrimi, tek është edhe citimi i fundit:
"Përsa i takon aktivitetit sportiv janë përqëndruar tek Lojnat Ballkanike që karakterizohen të padrejta, antimarksiste, të krijuara nga jugosllavët për qëllime politike."
Kur dihej se Lojnat Ballkanike ishin shpikje e viteve 30'! Kur dihej se mbas titullit të 1946, vetëm në këte vit 1948 Kombëtarja e Shqipërisë kishte arritur apogjeun e vet edhe në Kampionatin Ballkanik e të Evropës Qendrore: 0-0 në Beograd me Jugosllavinë, 1-0 në Bukuresht me Rumaninë, 0-0 në Tiranë me Hungarinë; kur pak më parë kishte triumfuar 3-1 ndaj Budapestit të përbërë nga ajka e futbollit hungarez. Dhe trajneri nuk ishte sovjetiku Boris Apuhtin, por shqiptari Adem Karapici!
A mos ndoshta nënkuptonte kjo edhe mohimin e titullit Kampion i Ballkanit në futboll, i cili dihet se ç'impuls i dha zhvillimit të futbollit shqiptar si dhe këto rezultate famëmëdha të 1948-tës? Mos duhet ta gjejmë tek ky Plenum i një fantazie të sëmurë e të pafré, faktin që, edhe për këte titull të madh të 1946-tës dhe mrekullinë e 1948-tës, u mbajt më mbas një heshtje aq e gjatë sa për te ka rifilluar të flitet shumë vonë, tepër vonë, vetëm një herë në të rrallë andej nga fundi i viteve 50'?
Dhe jo vetëm kaq. Plenumi VI theksonte ndërkaq se: “Lojnat ballkanike ishin antimarksiste”. Vështirë të gjendet ky përcaktim në të gjitha arkivin e marksizmit botëror apo të historisë së lëvizjeve marksiste në të gjithë botën.
Dukej qartë se ky Plenum VI, nuk ishte asgjë tjetër, por një imitim i të famshmit Plenum XI i Partisë Komuniste Shqiptare (13-24 shtator 1948), çka del qartë prej këtij kalimi të raportit të mbajtur në Sallën e Nozullimeve të Tiranës:
“Analizimi i punës nën këte prizëm i dedikohet vendimeve historike të Plenumit XI të PKSH dhe sidomos vendimeve historike të Kongresit I të PKSH, kthesës së madhe që u bë në tërë vendin t’onë të një orientimi të shëndoshë dhe i mbështetur në eksperiencën e lavdishme të BRSS. Nën këte prizëjm ne analizojmë format, metodat dhe mënyrat e punës të gabuara, të mbështetura në ato të trockistëve jugosllavë dhe që na del detyrë urgjente jo vetëm t’i luftojmë në parti këto forma të gabuara, por duhen marrë edhe masa konkrete për t’i hapur rrugën një organizimi dhe pune më të shëndoshë të mbështetur rrënjësisht në eksperiencën e gjatë dhe të sprovuar të fiskuklturës në BS”.
Dhe vule e sigla bashkë e gjithë kësaj, gjendet menjëherë në këto rradhë absurde.
“Të gjitha këto janë shkaktuar nga fryma dhe metodat trockiste të futura në vendin t’onë nga agjentët e grupit trockist Tito, dhe bashkëpunëtorëve Koçi Xoxe e Pandi Kristo”.
Megjithëse këto dy udhëheqës të Ministrisë së Mbrendshme veç në sport nuk qenë përzi asesi. Historia na kujton se bie fjala, Dinamon e Minuistrisës Punëve të Mbrendshme nuk e themeluan këta të dy, por shokët e tyre, vetëm pak muaj më mbas, simbas urdhërit që vinte nga Moska përmes Apuhtin Boris dhe Gregori Nikoforof…
Historia që fillon nga viti zero: 1949!
Faqja e re e historisë rifillon me festën e madhe të 1 Majit 1949 me manifestimin e madh fiskulturor të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” nën praninë e Enver Hoxhës dhe të hierarkëve të tjerë të shtetit stalinist shqiptar.
Pa shumë koment, për të kuptuar atë mohim të pamshirshëm të pjesëmarrjes së Kampionateve Ballkanike të viteve 40' që bënte Plenumi VI i FSSH, duhet thënë se mbas tij për 15 vjet me rradhë Shqipëria nuk mori pjesë në asnjë aktivitet kampionatesh zyrtare të futbollit ndërkombëtar. Ishte izolimi i madh që vinte prej historisë “së re” që po niste nga zero: 1949!
Kësisoj, përderisa merret vendim për shkrirjen e organizatës sportive, të klubeve sportive, për ndalimin e botimit të gazetës "Sporti", doemos nuk përbënte asnjë problem anulimi i një kampionati futbolli, qoftë ky dhe kombëtar, siç ishte ai i vitit 1948-49.
Në këte mars 1949 Shqipëria në të vërtetë kishte anuluar gjithë lëvizjen e saj sportive, gjithë organizimin, gjithë përvojën, gjithë sportin kompetitiv, gjithë sukseset ndërkombëtare të arritura në aq pak vjet. Në një farë mënyre ajo kishte anuluar edhe protagonistët më të mëdhenj të saj. Gradualisht bie pesha e një Anton Mazreku, Luigj Shale, Selman Stërmasi, Adem Karapici, Ibrahim Dizdari e plot të tjerëve të cilët e kishin bartur me supe sportin e Paraluftës për të rindërtuar diçka “të re” e vazhduese në gjithë këto vite që vinin.
Dhe kështu, pa thënë asnjë fjalë për Kampionatin e vitit 1948-49, mbasi ai zhduket, më 4 maj shpallet se është krijuar Komisioni i Futbollit pranë Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve në krye të të cilit vendoset një anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, me një nënkryetar dhe me katër anëtarë, të gjithë pjesë e PPSH, ndonëse për fat të mirë gjysma e tyre kishin qenë futbollistë, madje ndonjeri edhe i kampionateve kombëtare të Mbretërisë. Sidoqoftë, mjafton të përimtosh përbërjen e këtij Komisioni në duart e të cilit tash e mbrapa do të ishin fatet e sportit më popullor, futbollit kombëtar, për të kuptuar se nuk do të kishte asnjë lëshim sportiv! Gjithçka do të ishte vetëm në duart e Partisë:
Kryetar Ramiz Alia, anëtarë: Misto Treska, Thoma Harito, Nënkolonel Ibrahim Dervishi, Adem Rada, Alfred Kazanxhi, Nani Sallata.
Eshtë ky komision politiko – futbollistik, i cili drejton kampionatin e ri, atë të vitit 1949 dhe i cili për çudi do të fillojë prej s'parit më 27 mars 1949 mbasi ishte shuar çdo gjurmë e atij 1948-49: ndeshjet, data, rezultat, renditja, derisa “u zbulua” prej nesh në fund të viteve ’90. Ndonëse ai aty kishte qenë: në kujtimet e zemrat e njerëzve të sportit shqiptar…
Për fat midis atyre që morën sportin në dorëzim në atë vit famëkeq 1949, pati edhe kuadro të aftë e njerëz të mirë të cilët u përpoqën ta shpëtojnë sportin kombëtar, historinë dhe zhvillimin e tij, njerëzit e tij, përvojën, traditën e tij. Dhe ndonëse në vështirësi të panumërta, shpesh edhe në terror politik e burgosjesh, përndjekjeje të pamshirshme e hetimesh të padëgjuara, herë herë diçka ia arritën, ndonëse në të shumtën kjo ka qenë thuajse e pamundur. Ata duhen kujtuar me respekt të madh.
Për sportin shqiptar, në atë mars 1949 niste periudha e komunistizimit të pashembullt të tij, ku ashtu si në të gjithë sektorët ai do të drejtohej përmes luftës së pandërprerë të klasave, që me uljet e ngritjet e saj, në fund të fundit, do të pengonte më të rëndësishmen: zhvillimin e drejtë dhe normal të fuqizimit të sportit kombëtar. Ende nuk kemi shpëtuar plotësisht nga pasojat e vitit 1949.
Ky është dhe gjithë kuptimi dhe vlera e përkujtimit nga ana e jonë e këtij 60-vjetori “sui generis”, kur edhe sporti shqiptar e pati Plenumin e tij sensacional të “Pranverës 1949” që në të vërtetë qe “Dimri” i pamshirshëm i Shqipërisë sportive që shpërtheu luftën e klasave në strukturat e sportit kombëtar.
Nuk nderohemi nëse harrojmë.
* Pjesa e parë e këtij shkrimi është botuar në “TemA” të martën e shkuar, 19 maj 2009