E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngadalësimi i ekonomisë ul të ardhurat me 14%

Nga Fitim Zekthi

Ngadalësimi ekonomik i vendit ka nisur të shfaqë shqetësime të mëdha përpos të tjerash edhe në thellimin e deficitit buxhetor duke qenë se të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë qenë në të gjithë muajt e parë të këtij viti poshtë planit. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti të ardhurat në buxhet kanë pësuar një rënie prej 14%, si pasojë kjo e krizës globale duke arritur nivelin e vitit 2004, ndërkohë që shpenzimet e qeverisë për shkak të fushatës elektorale janë rritur me 43% duke shënuar nivelin më të lartë të 10-vjeçarit të fundit.

Sipas ekspertëve kjo situatë ka shkaktuar thellimin e deficitit buxhetor duke minuar stabilitetin makroekonomik të vendit. Për tremujorin e parë të vitit 2009 qeveria shqiptare ka mbledhur më pak të ardhura sesa për tremujorin e parë të vitit 2004, nëse bëjmë një krahasim të kësaj kategorie. Nga grafiku i shpenzimeve për tremujorin e parë të vitit 2009, ato janë disa herë më të mëdha se gjatë tremujorëve të parë të viteve që kemi lënë pas. Duhet të bëjmë shumë kujdes, pasi po ekspozojmë buxhetin e shtetit karshi disa risqeve, të cilat do të jenë vështirësisht të menaxhueshme gjatë gjysmës së dytë të vitit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rënie vërehen edhe nga të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, e cila reflekton politikën e qeverisë për taksën e sheshtë. Në fund të tremujorit të parë të këtij viti nga kjo taksë u krijua një deficit prej 5%. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë më të ulëta se ç’kanë qenë dy vite më parë. Duhet të kujtojmë këtu se tatimi mbi fitimin është një ndër tezat kryesore të ndryshimit në reformën fiskale në reformën e taksës së sheshtë, sepse ai duhet të ishte rritur, pasi bizneset do të deklaronin më shumë. Jemi shumë larg këtij realiteti dhe është një dështim total i një reforme të kësaj kategorie me shifrat që shohim në tremujorin e parë të vitit 2009. Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë rezulton një rënie e ndjeshme e të ardhurave nga taksat kryesore që mbajnë buxhetin, si TVSH që tregon nivelin e konsumit, akciza, taksa doganore dhe kontributet e sigurimeve shoqërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›