Vasili: PS është në krizë përfaqësimi
• "Ka vend për të gjithë ata që e gjejnë veten tek 'E Majta për Integrim', në programin, në alternativën, në sinqeritetin dhe në ridimensionimin e së majtës së vërtetë. Kushdo mund të gjejë pozicionin e vet, sepse për fat të keq sot ne shohim që PS-ja është në krizë përfaqësimi", tha dje sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili në një konferencë për shtyp. Sipas tij, PS nuk duhet të bojkotojë institucionet kushtetuese. "Ftoj lidershipin e PS-së të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga procesi sistematik dhe i turpshëm i bojkotimit të institucioneve në mënyrë të veçantë atyre kushtetuese, dhe t'i rikthehet funksionimit të pjesëmarrjes në Komisionin përkatës së Reformës Zgjedhore, i cili është i vetmi që ka të drejtën në këtë vend për të propozuar një ligj konkret për një çështje kyç, sikurse është sistemi zgjedhor", tha Vasili. Gjithashtu, ai i kërkoi publikisht kryetarit të PS-së "që të heqë dorë nga presioni bashkiak i shpenzuar mbi median e lirë, për arsye të etikës morale të socialistëve që nuk e kanë pasur kurrë si traditë censurën". Vasili hodhi dje akuza ndaj qeverisë për "mungesën e transparencës dhe parregullsitë e vazhdueshme dhe të rënda që po shoqërojnë procesin aq të rëndësishëm të përgatitjes së kartave të identitetit".