Zjarri shkrumbon 35 dyqane dhe 1.5 ton fishekzjarrë në Tiranë
Tregu tek “Qyteti i Nxënësve” përfshihet nga flakët, duke shkaktuar shpërthime dhe panik në zonë. Digjen mbi 35 dyqane dhe shmanget rreziku nga djegia e një magazine bombolash gazi dhe një karburanti
Tiranë Qielli i Tiranës u skuq nga qindra fishekzjarrë, të ndezur prej një zjarri të rrezikshëm që përfshiu pasditen e djeshme tregun industrial pranë “Qytetit të Nxënësve”. Mbi 35 dyqane u shkrumbuan, mes të cilave edhe magazina e fishekzjarrëve, ndërsa për fat të mirë u shmangën pasojat e tjera që mund të shkaktonte djegia e një dyqani bombolash gazi në të njëjtën zonë. Flakët e para janë parë nga një roje i policisë private që punonte në treg, i cili ka njoftuar shërbimet e emergjencës, ndërsa nga dëshmia e rojës, ekspertë të policisë mësuan dje se fillimisht flakët janë parë në një dyqan lodrash për fëmijë. Përbri dyqanit ku janë evidentuar flakët ka pasur një depo fishekzjarrësh, e cila ka marrë flakë ende pa ardhur shërbimi i zjarrfikëseve. Pasi flakët kanë nisur të përfshijnë edhe depon ku ishin të vendosura dhjetëra arka me fishekzjarrë, atëherë situata ka dalë jashtë kontrollit dhe në të gjithë zonën përreth janë dëgjuar dhe shpërthime të fuqishme si pasojë e sasisë së madhe të barutit të ndodhur në depo. Flakët kanë rënë në mes të tregut ushqimor dhe në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, shefi i zjarrfikëseve, Dilaver Laçi tha për MAPO-n se numri i dyqaneve të djegura varion nga 35 në 50. Ndërsa mësohet se nga flakët është prekur edhe një shtëpi që gjendej pranë këtij tregu. Flakët kanë arritur deri në lartësinë prej 20 metrash dhe që prej orës 17:30 deri në orën 19:00 janë dëgjuar rregullisht shpërthime. Ekipet e emergjencës janë përforcuar edhe nga zjarrfikëse të ardhura nga Durrësi, Kruja dhe Kavaja, ndërsa në aksion janë ftuar dhe kompani private të specializuara në shpërndarjen e ujit me autobote për të dhënë ndihmesën e tyre. Situata më alarmante u shfaq rreth orës 19:00, kohë kur flakët po rrezikonin seriozisht që të përpinin dhe një tjetër depo, në të cilën ndodheshin të stivuara me qindra bombola gazi. Fatmirësisht, ekipet e emergjencës kanë kufizuar flakët duke vendosur dy konteinerë si barrikadë për flakët. Paraprakisht mësohet se zjarri ka rënë rreth orës 16:30 dhe se shkaku mund të jetë një shkëndijë elektrike, pasi siç bëhet e ditur në dyqanin me lodra ku ranë flakët fillimisht, rreth 1 javë më parë ishin kryer disa instalime të reja elektrike. Ajo çka ka përkeqësuar situatën ka qenë depoja me fishekzjarrë. Në këtë depo, ditën e premte ishin depozituar mbi 1.5 ton fishekzjarrë, pasi në kuadër të afrimit të festave të dhjetorit pronari i depos kishte kryer një furnizim të plotë. Por edhe dyqane të tjera pranë depos kanë pasur gjithashtu disa arka me fishekzjarrë dhe ka qenë pikërisht ky potencial i madh ai që ka shtuar flakët dhe ka vënë në rrezik të gjithë zonën. Në vendngjarje kanë mbërritur dje dhe dy prokurorë por edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, për të parë situatën nga afër. Gjithçka duket se është qetësuar rreth orës 19:30, kohë kur u konfirmua vënia tërësisht nën kontroll e flakëve. Në ndihmë të reparteve të emergjencës kanë shkuar dje dhe dy automjete të ushtrisë, të cilat kanë mundësuar krijimin e një barriere për flakët që rrezikonin edhe disa depo të tjera brenda të cilave ndodheshin lëndë plasëse, ku djegia e tyre rrezikoi të shkaktonte dëme të rënda për të gjithë zonën.
Tregtari: Miliona lekë mall po digjen mes flakëve
Pronari i një dyqani falenderon forcat e emergjencës që u krijuan mundësinë të shpëtonin ç’të mundnin nga dyqanet në flakë
Me qindra tregtarë të tregut ushqimor janë grumbulluar dje pranë vatrës së zjarrit, duke krijuar jo pak konfuzion për forcat e rendit që përpiqeshin të mbanin situatën nën kontroll. Shërbimet policore kanë ngushtuar zonën e veprimit për tregtarët e shqetësuar, duke i grupuar pranë portës hyrëse të tregut. Tregtarët kanë këmbëngulur që të hynin dhe të merrnin mallrat me vlerë ose paratë që kishin brenda dyqaneve, kërkesë kjo e realizuar nën survejimin e forcave të rendit. “Unë kam dyqanin tim që shes veshmbathje dhe jam i shqetësuar, pasi shpërthimet po dëgjohen akoma. Vetëm 40 metra ndajnë zjarrin nga dyqani im. Kemi dyqanin plot me mall, por po tentoj të hyj edhe për të marrë lekët e xhiros që kam në dyqan dhe librin e shitjeve dhe të gjendjes së dyqanit. Policia po e mban situatën nën kontroll dhe po na shoqëron një e nga një. Kjo është gjë e mirë, pasi jo çdokush mund të hyjë. Kemi shumë frikë edhe nga hajdutët, ndaj do qëndrojmë këtu deri sa të sigurohemi përfundimisht”, - i tha dje MAPO-s Ariani, një tregtar i veshmbathjeve në këtë treg. Sipas tij, dyqanet dhe magazinat që janë përfshirë nga flakët janë ndër më të mëdhatë e tregut dhe paraprakisht dëmi i shkaktuar përllogaritet në miliona lekë. “Janë ndër dyqanet më të mëdha dhe magazinat më kryesore të tregut ato ku ka rënë zjarri. Aty është zemra e tregut tonë dhe janë miliona lekë mall që po shkrumbohen. Urojmë që të përfundojë me kaq”, - tha ai për “MAPO”-n. E ndërsa forcat e policisë janë përpjekur dje të mbajnë nën kontroll flakët, tregtarët kanë nxituar të shpëtojnë gjithçka mund të shpëtohej nga dyqanet e shkrumbuara. H.Hasani
Rruga e ngushtë, problem për zjarrfikëset
Infrastruktura e tregut te “Qyteti i Nxënësve” ka ndihmuar përhapjen e flakëve dhe vështirësuar punën e zjarrfikëseve. Për më shumë se tri orë, zjarrfikësit kanë operuar duke përdorur dy porta hyrëse të tregut, por gjithçka ishte shumë e vështirë për shkak se portat kanë qenë shumë të vogla dhe vetëm zjarrfikëset me kubaturë të vogël mundnin të hynin normalisht. “Një tjetër problem ishte rruga tepër e ngushtë mes dyqaneve të tregut, e cila me zor lejonte kalimin e autoveturave dhe jo më të zjarrfikëseve. “Mjedisi brenda tregut po na vonon shumë ndërhyrjen, pasi është shumë i vështirë manovrimi i mjeteve të shpëtimit dhe shuarjes së zjarrit”, - i tha dje MAPO-s një efektiv policie që ishte në vendngjarje. Këtë situatë duket se e ka normalizuar ndërhyrja nëpërmjet dy automjeteve të ushtrisë, të cilat kanë ndihmuar në krijimin e një hapësire për të bërë të mundur manovrimin e zjarrfikëseve, të paktën pranë vatrës së zjarrit. Dhjetëra zjarrfikëse u angazhuan dje në shuarjen e flakëve, ndërsa ndërhyrja me ujë mungonte në momente të caktuara dhe pranë portave hyrëse të tregut prisnin në radhë tri apo katër zjarrfikëse, për shkak të vështirësive që krijonin portat e ngushta në tregun ushqimor.