Biznesmeni arrestohet me 1.2 kile heroinë
Tiranë - Biznesmeni kapet me 1.2 kg heroinë nga zyra e Antidrogës së kryeqytetit, ndërsa po u shpërndante disa doza dy përdoruesve. Binak Dobrusha, 48 vjeç, nga Kukësi, banues pranë fushës së aviacionit, është ndaluar dje në mbrëmje rreth orës 20:30 nga oficerët e Antidrogës. I dyshuari mësohet se është kapur në flagrancë nga oficerët, të cilët prej disa ditësh mbanin nën vëzhgim banesën e Binak Dobrushës. Ai mësohet se është pronari i një lokali dhe një vile luksoze në afërsi të një blloku pallatesh në fushën e aviacionit, ku edhe është prangosur në momentin që po iu dorëzonte disa doza heroine dy përdoruesve, banorë të kësaj zone. Agjentët e policisë kanë qenë në një distancë të largët me shpërndarësin "grosist", ndërsa kanë vënë re se ai ka mbyllur portën e shtëpisë duke folur në telefon. Më pas agjentët kanë vënë re se i dyshuari është drejtuar për në një nga rrugicat ngjitur me banesën e tij. Aty ai është takuar me dy djem në moshë të re, ndërsa ka nxjerrë nga xhepi disa doza të hedhura në një letër alumini. Pikërisht në këtë moment oficerët dhe agjentët e antidrogës kanë bllokuar në mënyrë të rrufeshme Binak Dobrushën, i cili ka mbetur i shtangur nga ndërhyrja e njerëzve të panjohur. Këta të fundit i kanë vënë prangat atij dhe dy përdoruesve që po blinin heroinë. Gjatë kontrollit fizik oficerët i kanë gjetur të arrestuarit një sasi prej 400 gramë heroinë. Më pas gjatë kontrollit në banesë i janë zbuluar Dobrushës edhe 800 gramë heroinë, një peshore elektronike, si dhe disa sende të tjera që sipas policisë përdoreshin nga i arrestuari. Operacioni i mësipërm vjen një ditë pas fjalës së zv/drejtorit të Përgjithshëm, Agron Kuliçi, se nuk ishte luftuar si duhet droga. Vetëm gjatë këtij viti policia ka goditur në më tepër se 10 operacione shitjen e drogës tek studentët dhe nxënësit e shkollave prej personave të ndryshëm. d.b