Akademia e Shkencave, kjo bukuroshe e fjetur
Artan FUGA
Në vazhdim të rindërtimit të Akademisë së Shkencave, reformë e rëndësishme për shkencën shqiptare, ashtu sikurse jo shumë vetë e dinë, po afrohet edhe dita e plotësimit të radhëve të saj me akademikë të asociuar. Do të jenë fiks 15 Duke pasur në fakt të njëjtin rol sikurse edhe akademikët e tjerë të rregullt, duke shpresuar se do të jenë të moshave të mesme, plot energji për kërkim shkencor, me cilësi intelektuale të spikatura, gjykoj se është rasti për të thënë se me pranimin e akademikëve të rinj të asociuar, kishim të drejtë të shpresojmë për një ngjarje të rëndësishme shkencore. E rëndësishme për komunitetin e shkencëtarëve, për opinion publik, përse jo, edhe për vetë kombin.
Ky proces, e thënë troç, mund të ishte përgatitur shumë më mirë. Pavarësisht se defektet e vëna re dhe pakënaqësitë e shprehura mund të justifikohen me gjithfarë arsyesh, sikurse është fakti se vetë akademia është në rindërtim, se ajo ndodhet përpara një procesi të ndërlikuar dhe të vështirë sikurse do të jetë zgjedhja e kryesisë së re. Përsëri vetë procesi i rindërtimit duket i zgjatur pa fund, i mplakur, i mpakur dhe pa dinamizmin që do të duhej të ishte vënë re.
Mbi të gjitha, kur flas për fushatën e kandidimit, ka pasur kolegë që i konsideroj shumë të gjallë dhe me cilësi në punën e tyre kërkimore, shkencore, organizuese të shkencës shqiptare, të cilët kur ka rënë rasti për të folur për rinovimin e asamblesë me anëtarë të rinj të asociuar, kanë mbledhur supet. Nuk dinin gjë prej gjëje. Një pjesë syresh as e kanë marrë vesh dot se do të hapej konkurrimi, të tjerë e kanë marrë vesh me shumë vonesë dhe kur kanë shkuar për të tërhequr a dorëzuar dosjet kanë kuptuar se afatet e pranimit të kandidaturave ishin kapërcyer.
Afatet kanë kaluar.
Treni është nisur.
Dikush mund të thotë me qetësi burokratike: E po çdo konkurrim e ka një afat, ka datat e veta të fillimit dhe të mbarimit! Sigurisht. Ndonëse jo me këtë burokraci shpërfillëse për shkencëtarin. Ka tolerancë. Por, edhe shpallja e vendeve për konkurrim duhej bërë në mënyrë publike efikase dhe zyrtare, atje ku duhet, në forma të shkruara e me imazh, me mundësira për t'i plotësuar formularët në internet dhe me të gjitha format e komunikimit të sotëm, me një faqe interneti të Akademisë, interaktive, me qëllim që kjo ngjarje e rëndësishme shkencore jo vetëm të merrte solemnitetit që i takonte të kishte, por edhe të bëhej me sa më shumë transparencë, sikurse i takon të jetë diçka që i përket së mirës publike.
Asambleja nuk mund t'i bëjë rekrutimet e saj sikur të kishte qenë një lozhë masonike.
Thirrja dhe inkurajimi për të kandiduar duhej të ishte përsëritur shpesh dhe të kishte përshkruar herë pas here mjediset dhe hapësirat universitare shqiptare si edhe hapësirat e internetit në forma të verifikueshme dhe të vazhdueshme. Përse kjo ndrojtje nga informimi publik i cilësive bashkëkohore?
Një mangësi e dytë serioze ka të bëjë me cilësinë e kërkuar të kandidaturave të akademikëve të asociuar, të cilat do t'i paraqiten Asamblesë së Akademisë. Rregullorja e Komitetit reformues kërkon që ata medoemos duhet të kenë së paku nivelin e arritjeve që duhen për të marrë titullin shkencor "Profesor", sipas kërkesave të reja. Duhen pra botime në revista serioze jashtë vendit, përvoja kërkimi shkencor dhe mësimdhënie në institucione të huaja, botime tekstesh, monografish, bashkëpunime në rrjete kërkimi shkencor ndërkombëtar. Mungesa e këtyre kritereve është quajtur me të drejtë nga ky Komitet Reformues si mangësi seleksionuese e dosjes. Dhe këtu nuk ka përse të ketë vend për nostalgjira, për metra jo të barabartë seleksionimi. Kush i plotëson këto kërkesa hyn në proces kandidimi, kush nuk i plotëson nuk ka përse të hyjë atje.
Mos i prishni rregullat!
Aq më shumë që këta profesorë që përmbushin kriteret e reja, në mosha të mesme, kanë ende vite e dekada përpara tyre për t'i dhënë shkencës shqiptare, e kanë karrierën përpara, dhe pikërisht për këtë quhen të asociuar, duke synuar që me kohë e ambicie të zëvendësojnë ata të një brezi tjetër. Përndryshe nuk do të kishte kuptim që kandidatura shumë të nderuara, shumë të respektuara, por me një moshë që ligja nuk i lejon të vazhdojnë shumë gjatë më tej si anëtarë të rregullt të Akademisë të klasifikohen në vende prioritare në listat e kandidimit. Kuptohet që filtrat e para të seleksionimit për t'ia paraqitur kandidaturat asamblesë së akademisë nuk kanë funksionuar në të gjitha fushat, ashtu sikurse duhet. Në shkencat teknike, mjekësore, të shkencave natyrore duket se ka arritje, kurse në atë të shkencave sociale kriteret lenë shumë për të dyshuar.
Akademia nuk është vetëm vendi i njohjes së arritjeve të një karriere. Për këto ka mekanizma të tjerë honorifikimi. Të mos e bëjmë sikurse stigmatizonte Sartri për çmimin Nobel. Ai të jepet gjithmonë me vonesë, për një vepër të kryer shumë më parë dhe njeri nuk e gëzon dot shpesh si një inkurajim për të dhënë më shumë krijimtari. Kur je në gjendje të punosh nuk ta japin, kur ta japin nuk punon dot. Absurde.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka nevojë për njerëz që janë në gjendje pune sot, jo dje. Nuk është honorifike, sepse në një republikë nuk ka poste honorifike si në një regjim monarkik apo aristokratik. Nuk mund të shpresohet më tej te njerëz që nuk kanë botime, veprimtari shkencore të njohur në vend dhe jashtë tij, të mos kenë sot, jo dje, hipoteza të forta shkencore, dhe të mos jenë në gjendje sot, jo dje, t'i paraprijnë mendimit shkencor dhe moral shqiptar në fushën që duhet të mbulojnë apo në të gjitha fushat e jetës shkencore shqiptare.
Si është e mundur që një anëtar i asociuar i ardhshëm i Akademisë të mos plotësojë dot edhe kërkesat minimale që sot i kërkohen gjithkujt për të marrë titullin shkencor "Profesor"? Është e qartë se këtu do të kishte pastaj një paradoks të thekur dhe të pafalshëm.
Aq më shumë që procedurat e seleksionimit të kandidaturave duken shumë të zbehta. Analizohen vetëm skedat apo cv me botime, artikuj dhe skedat marrin parasysh pothuajse vetëm këto anë. Në këtë mënyrë modeli i akademikut të asociuar reduktohet në kërkesat që Komisioni i Kualifikimit Shkencor, sikurse i thërrasim në mënyrë klasike, ka sot për ata që kërkojnë titullin "Profesor".
Po fakti i drejtimit të njësive shkencore?
Po kontributi i dhënë për rigjenerimin institucional të shkencës dhe arsimit shqiptar?
Po drejtimi i themelimit të fushave të kërkimit dhe i programeve mësimore?
Po organizimi i konferencave shkencore?
Po drejtimi i diplomantëve, i pjesëmarrjes në juri shkencore vendase apo ndërkombëtare, i doktorantëve të rinj?
Përse nuk konsiderohen si kritere, kur pikërisht aty shfaqet vërtet roli i një akademiku si lider i shkencës dhe i mësimdhënies?
Nuk mjafton që një akademik të ketë botime në Shqipëri, sepse duhen matur arritjet e tij në nivelin ndërkombëtar. Në botën e internetit kjo është e domosdoshme. Edhe studenti më i keq sot bën plagjiaturë nga interneti, duke kopjuar artikuj e t'i paraqitur si të tijat. Çdo student i keq sot paraqet një ese si ajo e një nobelisti. E kopjon. Lëre më një i rritur si mund ta bëjë më lehtë. Por, nuk mjafton edhe vetëm të kesh botime jashtë, sepse ato botime duhen verifikuar, modeluar, eksperimentuar, përdorur, aplikuar këtu në Shqipëri. Me to duhet rritur rendimenti i punës shqiptare, organizuar për mirë e modeluar teknika shqiptare, aplikuar tek ujërat, pasuritë dhe klima shqiptare. Përndryshe nuk ka kuptim që quhet Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Më duket se njëanshmëritë që lëkunden midis dy ekstremeve duken qartazi.
Jashtë - jashtë, dakord, por sikurse thotë një fjalë e huaj e mençur: Këtu është trëndafili, këtu kërce! Ose: Këtu është mejdani, këtu tregohu burrë!
Kandidatët për akademikë të asociuar duhej t'iu jepej mundësia të dëgjoheshin në seanca të tëra ku të vinin dhe të parashtronin idetë, platformat e tyre për zhvillimin e shkencës dhe të arsimit në fushën e tyre, në fusha ndërdisiplinore dhe më gjerë akoma, të tregonin "the state of arts", gjendjen e sotme të shkencës botërore, në fushat e tyre. Nuk ka kuptim një akademik i ri të mos vijë përpara kolegëve të vet të ardhshëm, që do ta vlerësojnë, pa një paradigmë kërkimi shkencor, pa një hipotezë pune shumëvjeçare, pa një ide të qartë se çfarë do të bëjë ai në këtë post që kërkon t'i japin në vitet në vazhdim. Pa u pyetur gjatë dhe pa u përgjigjur.
As një pronar hoteli nuk merr një kameriere pa e intervistuar.
Përndryshe grupet e vlerësimit të Akademisë nuk do të bëjnë tjetër veçse do të marrin përsipër kompetencat shkencore të këshillave shkencore dhe senateve, kur këto instanca e kanë vlerësuar tashmë veprimtarinë shkencore të kandidatëve. Kompetenca që në fakt nuk mund t'i kenë. E theksoj edhe një herë, nuk ka vend të thjeshtëzohet procesi i seleksionimit të kandidaturave për anëtarë të asociaur të Akademisë së Shkencave si një procedurë marrjesh në punë të asistentëve të rinj shkencorë dhe mësimorë në njësitë përkatëse.
Më duket se akoma vazhdon inercia e praktikave kur Akademia drejtonte, mirë a keq - nuk e diskutoj këtu - institutet shkencore të saj. Duket sikur mendësia që mund të funksionojë saktë brenda një instituti ka ende inerci dhe forcë zakoni të zbatohet edhe për Asamblenë e Akademisë së Shkencave. Nga kjo mendësi e tejkaluar duhet ikur sa më shpejt. Asambleja e Akademisë së Shkencave nuk është një institut shkencor. As nuk bëhet fjalë që kryesia e Akademisë të kishte përgatitur një platformë për të hapur horizonte metodologjike dhe shkencore për kandidatët e mundshëm për fushat përkatëse. Të kishte hedhur vija force ku do të përcaktoheshin objektiva afatgjatë, prioritarë, me problematika të thella, të cilat do të orientonin pastaj paraqitjet e kandidatëve.
E ndarë nga institutet e dikurshme shkencore, ende e pandërgjegjësuar për statusin e vet të ri tepër avantazhues për të riformatuar stilin e punës, Akademia duket ende si një kokë që e kanë prerë nga trupi. Nuk dua të besoj se institutet kanë mbetur edhe ato si trupa pa kokë. Të dyja palët kanë nevojë të plotësojnë më duket organizmin e tyre.
Akademia të trupëzohet dhe institutet të nxjerrin kokën.
Për më tepër vërehet një shpërpjesëtim skandaloz fushash që janë hapur për këta pesëmbëdhjetë anëtarë të asociuar që priten të përzgjidhen. Nga këto pesëmbëdhjetë vende, vetëm katër janë në shkenca humane, ku nuk ka asnjë në drejtësi, sociologji, psikologji, filozofi, ekonomi, shkenca politike, marrëdhënie ndërkombëtare, një vend në arte dhe dhjetë të tjerë, pra dyfish, në shkenca të natyrës, teknike, mjekësore, etj. Shpërpjesëtim skandaloz që nuk mund të justifikohet me asnjë argument, aq më shumë kur në shpalljen e parë për kandidim janë vendosur edhe fusha të tjera të hapura nga shkencat humane për kandidim.
Si t'ua bëjmë atyre kolegëve të moshave plot energji, që edhe iu janë pranuar dosjet për kandidim, edhe tani thuhet se për ta nuk ka fusha të hapura?
Padrejtësi e kulluar.
Nuk kanë arritje? Nuk është e vërtetë. I kanë plotësuar sipas ligjit të gjitha kriteret për të dalë para Asamblesë së Akademisë dhe për t'u votuar atje. Nuk duhet t'iu bëhet një padrejtësi.
Shpresoj se akademikët e nderuar do t'i korrigjojnë me votim këto mangësi që ka sjellë një proces rekrutimi i organizuar keq, i stërzgjatur dhe pa transparencë, e aspak me gjallërinë dhe finesën që duhet të ketë shkenca shqiptare sot.