PS akuzon qeverinë për shifra të rreme për rritjen ekonomike
Partia Socialiste ka reaguar dje mbi shifrat e publikuara pak ditë më parë nga INSTAT mbi rritjen ekonomike. Sipas Institutit të Statistikave, deri në fund të shtatorit rritja ekonomike ka arritur në 9.9 për qind. Por për Partinë Socialiste këto shifra janë të rreme. Në një deklaratë për mediat nënsekretari për programin Ervin Bushati u shpreh se "Qeveria me nxitim të paprecedent, paraqet një rritje të dyshimtë ekonomike, që nuk afrohet fare me mirëqenien e qytetarëve të saj. Rritja ekonomike e propaganduar nga zërat qeveritarë është jashtë logjikës së shifrave dhe analizave të FMN dhe të Bankës së Shqipërisë për gjendjen e ekonomisë në Shqipëri". Madje, sipas tij abuzimet me fondet publike nuk mund të rritin artificialisht as ekonominë e as nivelin e jetesës së qytetarëve, vetëm fryjnë xhepa zyrtarësh, por jo qytetarësh. Por akuzat e tij ndaj qeverisë nuk kanë përfunduar me kaq. "Deklaratat e INSTAT që mbështetin parashikimet euforike të Kryeministrit, janë 2-3 herë më të larta se parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Instituti në varësi të qeverisë nxitoi si asnjëherë më parë, të na japë pa mbaruar viti foton me optimiste, që mund të kishte ekonomia shqiptare. Njësoj si në "epokën" komuniste, realizimi i planit të Kryeministrit është tejkaluar bindshëm nga institucionet vasale të qeverisë", ka deklaruar Bushati. Ai theksoi se ajo që qeveria paraqet si rritje të mirëqenies ekonomike të qytetarëve është vetëm një gënjeshtër më shumë në prag të vitit elektoral, që do të ketë shumë të tilla në vijim. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i INSTAT-it. Përmes një deklarate për mediat, drejtues të Institutit të Statistikave kanë sqaruar se rritja ekonomike për tremujorin e tretë 2008 është 10.1 për qind (krahasuar me tremujorin e tretë të një viti të mëparshëm). Për tremujorin e dytë të vitit 2008 rritja është 11.4 % (krahasuar me tremujorin e dytë 2007) ndërsa për tremujorin e parë 10.2 % (krahasuar me tremujorin e parë 2007). Ndërkohë që për vitin 2008 rritja vjetore deri në shtator të 2008 është 9.9 % ku si krahasim është marrë shuma e katër tremujorëve të fundit krahasuar kjo me katër tremujorët paraardhës, e më pas shprehur në përqindje. "Ky tregues shpreh rritjen ekonomike deri në atë periudhë e jo atë vjetore, pasi për të nxjerrë rritjen vjetore me këtë metodë duhet të vihen në dispozicion dhe të dhënat e tremujorit të katërt 2008", ka sqaruar INSTAT. "Deklarata e Partisë Socialiste se shifra e publikuar nga INSTAT është 2-3 herë më e madhe sesa ajo e parashikuar nga FMN, është tërësisht e pavërtetë, pasi FMN nuk është shprehur asnjëherë për PBB-në tremujore, por vetëm për parashikimin e rritjes vjetore ekonomike për vitin 2009", thuhet në deklaratën e Institutit të Statistikave. Si për të treguar vërtetësinë e këtyre shifrave, INSTAT thekson edhe një herë se të dhënat e publikuara deri tani janë konfirmuar dhe nga eksperti i FMN-së, Michael Andrews.