E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dosjet”, Pëllumbi: Farsë politike

 

Aristir Lumezi

Profesori i socialistëve, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi e konsideron farsë politike projektligjin e paraqitur nga maxhoranca "Për pastërtinë e figurave politike dhe zyrtarëve të lartë". Sipas tij, kjo bëhet për të zhvendosur vëmendjen nga çështjet e "nxehta" dhe në të njëjtën kohë dhe si presion ndaj organeve të drejtësisë, Prokurorisë dhe Gjykatës. Ai propozon një ligj me ekspertizën e ndërkombëtarëve dhe konsensusin e gjerë. Duke analizuar të majtën, profesor Pëllumbi insiston në domosdoshmërinë e bashkimit të së majtës si garanci për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. 
Cili është mendimi juaj në lidhje me rikthimin e debatit për pastërtinë e figurave dhe ligjin e paraqitur nga maxhoranca, pasi kanë kaluar tre vjet, që kur janë depozituar në Kuvend tre projekte?
Jam shprehur edhe më parë për këtë çështje, por tani që risillet përsëri në debatin politik do të thosha, që po bëhet e disata herë që luhet politikisht me këtë çështje. Për mua kjo është një farsë politike dhe bëhet për interesa të politikës së ditës dhe për të tërhequr vëmendje nga çështjet e tjera të nxehta që ka vendi sot. Në mënyrë të përsëritur kjo histori vjen zakonisht para fushatave zgjedhore. Mua më duket se historira të tilla duhet të marrin fund njëherë e mirë, pasi kanë kaluar 18 vjet ose të behët një ligj që të ketë një konsensus të gjerë dhe të mos përdoret për të kërcënuar pushtete të caktuara apo organizma të caktuar apo individë të caktuar, sepse debate të tilla në çdo kohë krijojnë idenë e mungesës së stabilitetit, aq më keq që jemi në periudhë krize ekonomike, që i shtohen edhe eksese të tilla të krizës politike.
Para dy vjetësh Kuvendi ka miratuar një rezolutë të miratuar me votat e të gjithë deputetëve pjesëmarrës në seancë pikërisht për hartimin e një ligji të hartuar me ekspertë evropianë për hapjen e të gjitha dosjeve, ndërkohë që kjo rezolutë nuk është marrë parasysh në draftin e paraqitur nga qeveria. Si e gjykoni ju këtë veprim?  
Në fakt për këtë çështje ka pasur rezoluta, ka pasur projektligje, ligje, komisione që e kanë shqyrtuar dhe u tha që kjo çështje është mbyllur për politikën shqiptare. Por si të mos mjaftonin këto, përsëri vijmë në pikënisje pas 18 vjetësh duke e rihapur sërish këtë çështje, që për mua është krejtësisht e qëllimshme politikisht.
Si e vlerësoni përvojën e vendeve të Lindjes, ku disa prej tyre i kanë rrëzuar këto ligje, ndërsa të tjera nuk përfshijnë sistemin e drejtësisë në të?
Secili vend ka praktikën e vet, por çështja është që të tjerët e kanë bërë me kohë këtë gjë. Është ndryshe një praktikë që mund ta bësh menjëherë pas një revolucioni demokratik dhe ndryshe kur një gjë e tillë bëhet pas 20 vjetësh, kur njerëz të caktuar apo politikanë të caktuar kanë kontribuar dhe kanë treguar veten në plane të tjera, që edhe sikur të kenë pasur ndonjë gjynah nga e kaluara ata e kanë shlyer me votimin që kanë marrë nga populli, me kontributin, që kanë dhënë në proceset demokratike, apo dhe në këto reforma. Kështu më duket se sa më vonë të shkojë kjo punë, aq më tepër bëhet e pamundur hapja e këtyre dosjeve.
Ju mendoni se kjo mund të ketë lidhje dhe me dy apo tre çështje të rëndësishme, që tashmë janë në tryezat e gjykatës dhe Prokurorisë, si ajo e rrugës Durrës-Kukës, çështja e Gërdecit apo e biznesmenit serbo-kroat Damir Fazlliç?
Patjetër, ka lidhje të drejtpërdrejtë, unë do ta konsideroja siç e thashë e para për një tërheqje vëmendje nga këto çështje dhe nga ana tjetër edhe një lloj presioni ndaj institucioneve të Prokurorisë dhe gjykatave.
Cila sipas jush do të ishte një zgjidhje e pranueshme për këtë çështje 18 vjet pas ardhjes së proceseve demokratike në Shqipëri?
Varianti më i mirë do të ishte bërja e një diskutimi të gjerë dhe një debati gjithëpërfshirës me të gjitha palët për këtë çështje, për ta mbyllur atë dhe të gjithë të thoshin se tani do shohim përpara. E dyta, nëse kjo është e pamundur, sepse ne i kemi të vështira konsensuset, të bëhet një ligj vërtet me mbështetje të gjerë, me konsensus të gjerë, me mbështetjen e ekspertëve dhe institucioneve ndërkombëtare dhe të mbyllet njëherë e mirë kjo punë.
Dy ditë më parë, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli i kërkoi sërish PS-së dhe LSI-së të gjejnë pikat e përbashkëta dhe të bashkohen në funksion të fitores së zgjedhjeve të 2009. Ndani dhe ju të njëjtin shqetësim?
Unë e kam deklaruar dhe e kam thënë gjithnjë se në situata të tilla, bashkimi i forcave të majta është në të mirë të fitores në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009.

“Jo bojkot, partitë t’i thërrasin ndërgjegjes”

Shoqata e ish të përndjekurve politikë - dega Shkodër, kërkojnë që Kuvendi të miratojë sa më parë projektligjin e hapjes së dosjeve. Në një deklaratë për shtyp bëhet e ditur se, "kjo  shoqatë po ndjek me shqetësim të madh debatin e hapur ndaj ligjit për hapjen e dosjeve të zhvilluara ditët e fundit në Parlamentin shqiptar". "Është për t'u çuditur se janë pikërisht ato që ishin më të zellshmit e zbatimit të luftës së klasave, filozofi politike e regjimit komunist, filozofi e shfarosjes në masë e ç'dinjitosjes njerëzore, e poshtërimit të mbarë një populli, që sot na e kundërshtojnë dhe e abandonojnë këtë projektligj. Në vend që t'i bëjnë thirrje ndërgjegjes së tyre, nëse u ka mbetur ndonjë fije kund për të kërkuar falje, për të gjitha bëmat e tyre, ato bëjnë të kundërtën, kërkojnë abandonimin e këtij ligji", deklaroi anëtari i kryesisë së kësaj shoqate, Ndrek Bazhdari. Më tej në deklaratë theksohet se, "si mundet Shqipëria të reklamohet si një shtet demokratik, kur në institucionet më të rëndësishme, si Parlamenti, Prokuroria, Gjykatat zënë vend po ata kriminelë që çuditën botën me krimet e tyre". Ligji për genocidin komunist, për ish të përndjekurit, ndonëse paraqitet me vonesë, është një detyrim për shtetin dhe shoqërinë shqiptare, është një detyrim për ndërgjegjen kombëtare. "Pa këtë ligj shoqëria shqiptare kurrë nuk do të ketë qetësi e mirëkuptim. Edhe në gjeneratat e ardhshme do të mbizotërojë urrejtja dhe përçmimi për paraardhësit e tyre, për mizoritë e vuajtjet që i shkaktuan këtij populli. Si mundet Shqipëria të reklamohet si një shtet demokratik, kur në institucionet më të rëndësishme si Parlamenti, Prokuroria, Gjykatat etj., me radhë, zënë vend po ato kriminelë që çuditën botën me krimet e tyre, tuj vra, burgosë, torturuar në mënyrën më çnjerëzore me qindra e mijëra burra, gra, të rinj e të reja, deri edhe fëmijë në barkun e nënës", deklaroi Bazhdari. Ish të përndjekurit shprehen se nuk janë për të kërkuar hakmarrje ndaj atyre që i kanë ndëshkuar dhe dergjur në burgje dhe vrarë për 45 vite. "Ne asnjëherë nuk kërkuam hakmarrje, por kjo nuk do të thotë se nuk kërkuam një ligj për hapjen e dosjeve që të dallohet viktima nga persekutori, një ligj që të pengonte konfrontimin e këtyre dy shtresave, që të mos lejonte  administratën e shtetit të binte pre e këtyre kriminelëve dhe që të mos ndodhte ajo që sot quhet "korrupsioni administrativ" që po bren shoqërinë shqiptare", thuhet në deklaratë.                    r.d

E majta ende e paqartë

Dy ditë më parë shkrimtari i njohur Dritëro Agolli përsëriti domosdoshmërinë e PS dhe LSI-së të bashkohen përballë qëllimit të përbashkët, largimin e Berishës nga qeverisja. Por të dyja partitë aktualisht ndodhen në distancë dhe pak gjasa ka për një bashkëpunim parazgjedhor mes tyre. Kjo përforcohet edhe më pas mungesës së një përgjigje nga ana e PS-së ndaj ftesës që kreu i LSI-së i ka bërë për të dialoguar për Kodin zgjedhor pas kthimit të tij nga Presidenti i Republikës. Ndërsa PS e konsideron çështjen e dekretit presidencial, çështje të saktësimit të afateve kohore të shpalljes së zgjedhjeve, LSI shprehet se edhe në mungesë të vullnetit nga ana e PS-së për një dialog konstruktiv brenda të majtës, të dalë në zgjedhje në koalicion më vete nga PS-ja, me forca të tjera progresiste sipas tyre. Këto qëndrime e bëjnë të paqartë të ardhmen e të majtës drejt një bashkimi parazgjedhor, ndërkohë që e djathta paraqitet më e konsoliduar, brenda një koalicioni të përbërë dhe pa firo në votat e këtij bllokut politik.

PD dhe PS përplasje për të huajt

Bledar Hoti

Socialistët dhe de-mokratët vazhduan shkëmbimin e replikave dhe akuzave në lidhje me projektligjin "Për hapjen e dosjeve".
Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama, për qëndrimin e mbajtur për ligjin e lustracionit, duke i cilësuar si trillime dhe mashtrime. Sipas tij, ligji çek i vitit 1991 është vlerësuar kushtetues nga gjykata e Çekosllovakisë dhe pas shpërbërjes në Çeki dhe Sllovaki, është gjykuar përsëri nga gjykata çeke dhe është gjetur kushtetues. Ky ligj përsëri është gjykuar në vitin 2000 dhe është gjetur kushtetues. "Pika e 4 e nenit 1 të ligjit çek thotë se: 'Parashikohet certifikimi i pastërtisë për pozicionet e gjykatësve, ndihmës gjyk-atësve, prokurorëve, oficerëve të Policisë Gjyqësore, noterëve publikë, arbitrazhit shtetëror etj.’. Pra, pretendimi se ky ligj nuk merr parasysh gjykatësit, prokurorët dhe ndihmësit e tyre, është një mashtrim fund e krye", deklaroi Bogdani. Gjithashtu ai ka shtuar se edhe në draftin e depozituar, kur kryetar i grupit të PD-së ishte Presidenti Topi, ka qenë i përfshirë që subjekte të verifikimit të jenë zyrtarë të rangjeve si prokurorë dhe gjykatës. "Pra pretendimi se ky variant nuk parashikon gjykatës, prokurorë dhe ndihmësit e tyre, është përsëri trillim. Sipas deklaratave të vazhdueshme të z. Rama, vetëm xhelatët, ato që kanë lidhur njerëz me tela me gjemba dhe që kanë dënuar e varur njerëz të pafajshëm, mund të bëjnë drejtësi në Shqipëri. Ndaj, PD i bën thirrje z. Rama të kërkojë të falur publike për firmat që ka vendosur i ati i tij në varjen dhe ekzekutimin e njerëzve të pafajshëm në funksionin e anëtarit të Presidiumit famëkeq të Kuvendit Popullor", deklaroi Bogdani. Këtyre deklaratave iu është kundërvënë kreu i PS-së së Tiranës, Besnik Bare, duke theksuar se PD-ja po deklaron se po mashtrojnë edhe ndërkombëtarët. "Gerti Bogdani duhet të hyjë në librin Giness, jo vetëm se njësia bashkiake që drejton ka mbledhur vetëm 5.6% të taksave lokale këtë vit, por edhe sepse ka thënë numrin më të madh të budallallëqeve në botë për vitin 2008. Sipas tij opozita gënjen, qeveria e SHBA gënjen, OSBE gënjen, Këshilli i Evropës gënjen! Turp i madh për Saliun", deklaroi Bare.

Kush verifikohet

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë;
    Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë;
    Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, funksionarët politikë, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në institucionet e tjera shtetërore qendrore ose të pavarura;
    Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe gjyqtarët e prokurorët pranë gjykatave dhe prokurorive të të gjitha niveleve;
    Funksionarë të lartë të Presidencës, të administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në shkronjën "c";
    Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;
    Në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe çdo shërbim tjetër inteligjent;
    Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës apo i zgjedhur nga Kuvendi.

Drafti i “Dosjeve”, të hënën votimi

Votimi i projektligjit për "Verifikimin e zyrtarëve dhe të zgjedhurve në administratën e lartë" është parashikuar për ditën e hënë, në seancën e pasdites. Deri më tani kjo datë është lënë për ta votuar projektligji. Opozita ka shpallur bojkotimin e seancës në kohën që do të votohet ky projektligj në Parlament. Përplasja ndërmjet pozitës dhe opozitës ka detyruar që ndërkombëtarët të kërkojnë arritjen e një konsensusi politik. Maxhoranca ende nuk ka dhënë një qëndrim final të saj nëse do ta votojë këtë projektligj në seancën parlamentare të së hënës, apo do të dëgjojë këshillat e ndërkombëtarëve për një ridiskutim të draftit për hapjen e dosjeve. E hëna do të shërbejë edhe si një mundësi për zhvillimin e negociatave mes PS-së dhe PD-së për projektligjin për hapjen e dosjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›