Denoncimi: Policia Bashkiake shkatërroi pronën me dhunë
Dashamir Biçaku
Inspektorati i Policisë Ndërtimore të Bashkisë së Tiranës është denoncuar në polici për shkatërrim prone nga një qytetar. Pas kallëzimit, policia e kryeqytetit ka dërguar për ndjekje penale në Prokurori dosjen penale ndaj Inspektoratit të Bashkisë. Ngjarja objekt hetimi ka ndodhur paraditen e të premtes në rrugën "Sadik Petrela", kur disa mjete të Bashkisë së Tiranës kanë mbërritur aty me qëllim shembjen e murit rrethues të banesës së Zylfo Zotollit, 50 vjeç. Sipas burimeve të policisë që i referohen denoncimit të bërë nga i dëmtuari, punonjësit e Policisë Bashkiake dhe të inspektoratit të ndërtimit kanë nisur të kryejnë veprime me mjetet e tyre mbi murin rrethues të banesës së tij pa shkak, pa motiv dhe pa lajmërim paraprak. Sipas të dëmtuarit, mjetet e rënda të Inspektoratit të Ndërtimit kanë mbërritur aty paraditen e të premtes, duke nisur shkatërrimin e murit rrethues pa asnjë lajmërim dhe një argumentim të shkakut se përse kryhej një veprim i tillë. I dëmtuari u ka kërkuar punonjësve të Ndërtimores argumentimin e veprimit që po kryenin dhe shkakun e shembjes së objektit. Në të kundërt, sipas kallëzimit të të dëmtuarit në polici, ndërtimorët janë përgjigjur duke kryer shembjen. Më pas përplasja mes qytetarit Zotolli dhe punonjësve të Ndërtimores dhe Policisë Bashkiake ka vijuar duke u konfliktuar me punonjësit e Bashkisë. Duke qenë se ishte i pafuqishëm të reagonte ndaj veprimit të dhunshëm dhe të paparalajmëruar të punonjësve të Inspektoratit të Ndërtimit dhe të Policisë Bashkiake, qytetari është detyruar të mbërrijë në Komisariatin e policisë nr. 4, për të dhënë kallëzimin e tij. Mësohet se në polici, 50-vjeçari banues në rrugën "Sadik Petrela" në periferinë lindore të Tiranës, ka pohuar se një grup punonjësish të Inspektoratit të Ndërtimit të bashkisë dhe të Policisë Bashkiake kishin nisur t'i shembnin atij murin rrethues të shtëpisë së tij. I dëmtuari ka pohuar se më parë në adresë të tij nuk kishte mbërritur ndonjë shkresë apo njoftim ku thuhej se objekti në pronësi të tij do të prishej dhe nëse ai ishte pa leje. Sipas denoncimit, gjithçka ka nisur paraditen e të premtes, kur fadromat dhe mjetet e Ndërtimores së Bashkisë kishin nisur shembjen e murit rrethues të banesës, duke bërë gjithçka fakt të kryer. Pas marrjes së deklarimeve të personit të dëmtuar, Komisariati nr. 4 ka çuar në vendin e ngjarjes një oficer të zyrës së hetimit të vjedhjeve me dhunë dhe shkatërrimit të pronës. Ai ka marrë deklarimin e personit të dëmtuar, bashkë me dëshmitë e personave të tjerë që, sipas policisë, kanë pasur dijeni mbi ngjarjen. Dosja më pas është referuar në Prokurorinë e rrethit me akuzën e shkatërrimit të pronës me dashje.