Rama fton të rinjtë në votime: T’i japim vendit shpresë të re
Aristir Lumezi
Kreu socialist ishte në qytetin e Durrësit në një festë rinore me të rinjtë e këtij qyteti në shëtitoren “Taulantia”. Rama i ka kërkuar të rinjve të jenë aktivë në politikë, duke revokuar një varg të këngëtarit të njohur Bob Marley. “Përpara 30 vjetësh në plazhin e Durrësit ne dëgjonim në radio të vogla që mezi i kapnin valët, këngë të huaja. Këngë të huaja që në atë kohë konsideroheshin si diçka aspak e hijshme. Por, që të gjithë në këtë plazh i dëgjonin. Një nga vargjet e këtyre shumë këngëve që më kujtohet sot është një varg nga Bob Marley, i cili thoshte: “Stand up, dont give up!”. Sot 30 vjet më pas përsëri është dita për të thënë “Stand up, don’t give up!”. Është dita për t’i dhënë Shqipërisë, për t’i dhënë vendit tonë, për t’i dhënë familjeve tona, për t’i dhënë vetes një shpresë të re, një shpresë të re që mund të vijë përmes një politike të re, e cila nuk është asgjë më shumë sesa përfshirja juaj drejtpërdrejtë në një proces, që e përsëris, nuk duhet të mbetet në dorën e një grushti njerëzish”, tha Rama. Duke kërkuar pjesëmarrje të gjerë të të rinjve në këto zgjedhje, por dhe në politikë në përgjithësi, Rama tha se politika nuk duhet të përqendrohet në pak duar. “Në sa më pak duar ta lëmë, aq më shumë të këqija mund të na vijnë nga politika. Në sa më shumë duar ta shpërndajmë, aq më e mirë mund të bëhet politika. Përmes një politike të mirë ne mund të bëjmë realitet plot gjëra të mira. Përmes një politike të mirë ne mund të ndryshojmë shkollën e fëmijëve tanë”, tha Rama. Kreu socialist duke iu drejtuar të rinjve i tha atyre të jenë pjesë e ndryshimit të politikës. “Gjatë gjithë këtyre viteve politika ju ka treguar anën e saj më negative. Gjatë gjithë këtyre viteve politika ju ka mësuar gjëra për të cilat askush ndër ne nuk ka nevojë dhe nuk ka arritur t’ju mësojë gjëra për të cilat ju keni nevojë. T’ju mësojë atdhe-dashurinë, t’ju mësojë kulturën e dijes dhe të punës, t’ju mësojë kulturën e respektit për njëri-tjetrin. Politika na ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve shembuj të mungesës së kulturës së punës, shembuj të mungesës së respektit për njëri-tjetrin, shembuj të mungesës së dashurisë për vendin”, tha Rama.