Biznesmeni i masakruar përcillet në banesën e fundit
Genci Abazaj është varrosur dje në fshatin e lindjes. Prokuroria merr në pyetje miqtë e tij për të mësuar lëvizjet e fundit
VLORË- Prokuroria e Vlorës ka marrë dje në dorë hetimet për vrasjen në mënyrë misterioze të biznesmenit Genci Abazaj. Por fillimi duket se nuk jep ende dorë për konkretizimin e pistave. Kjo ka bërë që nga hetimet ende të mos përjashtohen disa pista, reduktimi për të cilat do të ecë paralelisht me zbardhjen e bisedave telefonike.
Konfidencialisht prokurorët janë shprehur se nuk ka shpëtuar pa u kontrolluar as "Facebook", në faqen e së cilës Genci është i regjistruar dhe ka 38 miq. Sipas tyre do të ecet nëpër disa pista, për tu ngushtuar më pas rrethi drejt autorësisë. Ndërkohë dje janë marrë në pyetje edhe miqtë e biznesmenit për të mësuar më shumë për lëvizjet e fundit të tij.
Burimet janë treguar të rezervuara, kjo edhe për shkak të informacionit të paktë që ata aktualisht disponojnë, por edhe faktit që Genci prej vitesh jetonte në Itali. Gjithsesi kanë vijuar pyetjet e personave që kanë patur dijeni për lëvizjet që ka bërë Genci këto ditë në Shqipëri, të njohur të tij, të afërm e familjarë në ndihmë të grumbullimit të detajeve që do të ndihmojnë për ngjarjen.
Në pyetje është marrë gjithashtu një nga punëtorët e Gencit, i cili ditën e zhdukjes kishte këmbyer makinën me 39 vjeçarin. Policia deri tani ka përjashtuar një implikim të mundshëm të tij, ndërkohë që nuk e ka veçuar nga hetimi situatën.
Biznesmenit të vrarë e më pas të djegur i është dhënë dje lamtumira e fundit në fshatin e tij të lindjes, në Tërbaç. Shumë banorë të këtij fshati, por edhe fshatrave të tjerë të lumit të Vlorës, kanë marrë pjesë në përcjelljen e fundit të Abazajt, ndërsa pjesë e bisedave ka mbetur misteri i krimit.
Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe shokë të ardhur nga Italia.
Po kështu në ceremoni ka marrë pjesë edhe ortaku i 39- vjeçarit, Maurizzio di Marco. "E njoh prej 15 vjetësh. Ishte një djalë i shkëlqyer e nuk ka patur asnjë problem. U ka hapur derën andej shumë shqiptarëve. Jemi të tronditur.
Shpresoj se do të jetë drejtësia që do te dënojë kriminelët. Jam vërtet i shokuar. Nuk ndodhi në Itali, vend të huaj për të, por ndodhi pikërisht këtu ku kishte vendin e tij",- është shprehur ortaku Italian për 39- vjeçarin shqiptar. Deputeti Fatmir Toçi tha se gjetja e autorit do të zbuste sado pak dhimbjen për krimin e shëmtuar.
Ai apeloi për këtë duke pohuar se Genci mbetej pikërisht njeriu që tregoi se siguria e jetës, është e kërcënuar, ndaj duhen dënuar autorët që të kthehet besimi i njerëzve.
Më i madhi i vëllezërve Abazaj, Alberti u shpreh se kanë besim te drejtësia në mënyre absolute, se ajo do të arrijë të vendosë përpara përgjegjësisë autorët që i masakruan të vëllanë.
Në ceremoninë mortore ka marrë pjesë gjithashtu edhe ish -bashkëshortja e 39- vjeçarit, si dhe njerëzit e saj. Në kushtet e ndodhjes së një krimi të tillë, ceremonia mortore është mbajtur nën vëzhgim nga ana e strukturave të policisë.