Telefonat tradhtojnë miqtë e Dajtit
Prokuroria dhe policia kanë hartuar një listë me bashkëpunëtorët e të arrestuarit, të cilët do të merren të gjithë në pyetje
Dajti kishte dhjetë numra telefoni por të gjithë ishin regjistruar në emër të personave të tjerë
TIRANË- Dritan Dajti ka pasur një grup të gjerë bashkëpunëtorësh dhe informatorësh, të cilët e kanë ndihmuar të pajiset me mjetet logjistike të nevojshme për të vepruar lirshëm në Shqipëri. Përveç dokumenteve false të identitetit dhe makinave të shumta, Dajti është ndihmuar edhe në sigurimin e numrave të ndryshëm të telefonit.
Verifikimet e prokurorisë kanë treguar se të gjithë numrat e telefonit që kishte në përdorim njeriu që ekzekutoi katër efektivë policie, ishin regjistruar në emër të miqve të tij. Kjo dredhi e Dajtit ka treguar edhe një herë se ligji për regjistrimin e të gjithë numrave të telefonit nuk po funksionon ashtu siç duhet.
Hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë marrë dje në dorë dosjen e tabulateve telefonike të 10 numrave që kishte në përdorim i shumëkërkuari Dritan Dajti, në momentin e arrestimit.
Sipas burimeve zyrtare nga institucioni i akuzës, konfirmohet se tashmë janë administruar në dosjen penale në ngarkim të Dritan Dajtit të gjitha të dhënat e kërkuara nga prokuroria për kartat e tre kompanive telefonike shqiptare në vend. Mësohet se asnjëra nga kartat e sekuestruara në vendin e ngjarjes menjëherë pas arrestimit të Dajtit nuk ishte regjistruar me emrin e tij apo pjesëtarëve të ngushtë të familjes.
"Numrat që kishte në përdorim shtetasi Dritan Dajti ditën e arrestimit, të cilat janë sekuestruar, rezultojnë të regjistruara në tre kompanitë lëvizëse telefonike me emra të personave të tjerë, që mund të jenë shokë dhe miq të të shumë kërkuarit. Këta persona mendohet se kanë ndihmuar Dajtin për gjashtë vitet e arratisjes së tij",- thuhet nga akuza.
Të gjitha këta persona tashmë të identifikuar, pritet të merren në pyetje një nga një për të dhënë shpjegime në lidhje me përdorimin e numrave të tyre nga i dënuari në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e biznesmenit Agim Beqja dhe arratisjes nga ambientet e Gjykatës në nëntor 2003.
Gjithashtu, pritet që në ditët në vazhdim, grupi hetimor i çështjes të zbardhë edhe hyrje-daljet e thirrjeve të këtyre numrave shqiptarë, për të identifikuar personat me të cilët Dajti komunikonte gjatë kohës së arratisjes së tij gjashtë vjeçare.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se përveç tetë numrave shqiptarë, Dajti kishte në përdorim edhe numra të shteteve fqinje. Deri tani është vërtetuar se ai kishte të paktën një numër telefoni italian dhe një tjetër grek, të cilët i përdorte edhe në Shqipëri.
Gjithashtu, përveç zbardhjes së tabulateve telefonike të numrave që kishte në përdorim Dritan Dajti, prokuroria ka zbardhur edhe tabulatet telefonike të tre numrave që kishte në përdorim kunati i tij, Ergest Xhoxhi. Sipas prokurorisë, është provuar se Xhoxhi komunikonte vazhdimisht me katër efektivë të policisë, të cilët kishin në përdorim pesë numra të dhënë nga Ministria e Brendshme, që kanë kodin dyshifror 41.
Por, hetimet ndaj tyre po kryhen nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB-ja) i Ministrisë së Brendshme, të cilët pritet të nxjerrin edhe përgjegjësit e operacionit tashmë të vlerësuar si i nxituar nga zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, zyrtarët e institucionit të akuzës konfirmuan se edhe numrat e telefonit që kanë në përdorim familjarët e ngushtë të Dritan Dajtit, si babai, nëna, i vëllai dhe bashkëshortja e 38- vjeçarit po kontrollohen me imtësi të thirrjeve hyrëse dhe dalëse këto kohët e fundit.
Për kartat e telefonit të sekuestruara të Dajtit e Xhoxhit, prokuroria ka kërkuar nga tre kompanitë telefonike të sjellin të gjitha hyrje- daljet e kryera nga këto numra që nga janari i këtij viti e në vazhdim. Pas verifikimit të thirrjeve për nëntë muajt e fundit, prokuroria do të zbardhë edhe personat të cilët mendohet se e kanë strehuar Dajtin gjatë viteve të arratisë.