Vdekja e vajzës nga bajamet, mjeku dërgohet në gjyq
Xhevahir Hoxhallari akuzohet për mjekimin e pakujdesshëm të vajzës që vdiq pas një operacioni në bajame
TIRANË- Prokuroria e Tiranës përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të mjekut Xhevahir Hoxhallari, i akuzuar për veprën penale të "mjekimit të pakujdesshëm" me pasojë vdekjen e 17-vjeçares nga Korça, Matilda Petriti. Vajza e re ndërroi jetë fund prillin e këtij viti, pak ditë pas operimit të bajameve.
Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët nënvizuan se me përfundimin e ekspertizës së përpiluar nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore rezultoi se vdekja e vajzës 17- vjeçare ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së gabuar gjatë operimit të bajameve dhe moskujdesit të vazhdueshëm pas kryerjes së kësaj ndërhyrjeje mjekësore.
Sipas raportit të akt-ekspertimit, mjeku Hoxhallari ka gabuar vetëm disa milimetra në ndërhyrjen kirurgjikale, për heqjen e bajameve, duke i prekur arterien kryesore të qafës, që ka sjellë disa herë pas operacionit hemorragji të madhe, çka solli edhe vdekjen e vajzës.
Sipas kërkesës për gjykim, mjeku paraditen e 7 Prillit 2009 me kërkesë të familjarëve të vajzës, ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën e tij në Pogradec dhe pas keqësimit të gjendjes së vajzës, ajo është sjellë në Tiranë, duke u ri-operuar në spitalin Francez që ndodhet brenda ambienteve të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" .
Vetë i pandehuri Hoxhallari dhe mbrojtësi i tij ligjor ka pretenduar gjatë marrjes së deklarimeve të tij, se ndërhyrja kirurgjikale ka qenë e suksesshme, dhe gjakderdhjet e shkaktuara kanë ardhur nga ngacmimet e plagës me sende të forta apo kollitje të rënda të vajzës. Por, ky pretendim është hedhur poshtë nga organi i akuzës, i cili ka dorëzuar raportin e ekspertëve të Mjekësisë Ligjore të cilët kanë nxjerrë përfundimet se vajza është keq operuar nga mjeku Hoxhallari, i cili tashmë do të gjykohet në gjendje të lirë.
Pas, këtij konkluzioni Prokuroria e Tiranës ka kërkuar nga Gjykata të pezullojë aktivitetin mjekësor të mjekut Hoxhallari deri në përfundim të procesit gjyqësor, por togat e zeza e kanë refuzuar pjesërisht këtë kërkesë, duke i dhënë të drejtën mjekut të kryejë vetëm vizita konsultative. Gjithashtu, është urdhëruar dhe ndaluar të kryejë ushtrimin e profesionit në klinikat private, si edhe duke ia mbyllur klinikën e tij në qytetin e Pogradecit.