Shteti premton shtëpi për 5 jetimët e Fierit
Pesë fëmijët kanë mbetur jetimë dhe pothuajse pa një çati mbi kokë duke luftuar çdo ditë me rreziqet e shumta të jetës
FIER- Pesë fëmijët e mbetur jetimë pasi nëna iu ka vdekur ndërsa babai është shtruar në një spital psikiatrik më në fund duket se po shohin një dritë shprese.
Pas shkrimit të publikuar në gazetën "Shekulli" pak ditë më parë, pushtetarët vendorë por edhe biznesmenë të ndryshëm nga jashtë Shqipërisë janë ofruar për të ndihmuar.
Kjo familje kërkon ndihmë për të jetuar dhe mbajtur shpirtin gjallë.
Të pesë fëmijët, ku më e madhja posa ka mbaruar klasën e 9 -të dhe më i vogli pesë vjeç, i cili vuan nga verbëria, janë gati në qiell të hapur dhe pa asnjë të ardhur përveçse një pensioni 7500 lekë te vjetra që merr babai i jetimëve Adem Geci, i sëmurë psikik.
Historia e tyre është tepër e dhimbshme dhe ka nisur që kur nëna e tyre është vetëvrarë vite më parë për shkak të kushteve të vështira të jetesës në fshatin Bytyç, ndërsa babai i tyre mbas kësaj ngjarjeje është shtruar disa herë në spitalin e të sëmurëve mendorë.
Fëmijët kanë vuajtur këtë dramë familjarë dhe shumë herë kanë kërkuar nga organet shtetërore që të përfitojnë pensionin e jetimëve ndërsa i vogli pesë vjeçar një ndihme për sëmundjen e verbërisë.
Kujdestarja e tyre, Prenda Geci, pas kërkesës së babait të fëmijëve për martesë ka pranuar dhe pas kësaj është ajo që ka marrë përsipër jetën e pesë jetimëve.
Por kushtet ku jetonin i kanë detyruar që të shpërngulen në Fier ku një banor i Levanit i ka dhënë një kasolle të ndërtuar me llamarinë ku dhe kafshët do ta refuzonin strehimin.
Kjo është historia tragjike e publikuar në gazetë dhe fatmirësisht pas saj kanë reaguar institucionet.
Por edhe shumë qytetarë shqiptarë e të huaj që kanë kërkuar të lidhen me këtë familje për të dhënë ndihmën e tyre. Enti Kombëtar i Banesave ka nisur një procedurë për të pajisur me një shtëpi pesë jetimët.
Nëndrejtoresha e këtij institucioni, Violeta Kruja,ka shkuar në Levan dhe ka verifikuar shtëpinë ku jetojnë fëmijët. Pasi kanë parë me sytë e tyre tmerrin kanë kërkuar në komunë dy dhoma dhe një kuzhinë të përshtatshme për të strehuar këtë familje.
Banesa është kërkuar me një çmim të lirë por të paktën mund të ndihmojë këta fëmijë jetimë. Banesa e gjetur nuk duhet të kushtojë më shume se 23-25 milionë lekë të vjetra.