E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasësit e Abazajt janë trembur nga kalimtarët

Hetuesit kanë zbuluar një gropë të hapur shumë pranë vendit të djegies. Dyshimi, biznesmeni do të varrosej aty


VLORË- Vrasësit e biznesmenit 39-vjeçar Genci Abazaj nuk kanë mundur që ta përfundojnë krejtësisht veprën e tyre dhe pasi janë trembur nga kalimtarët e rastit, janë larguar duke e lënë trupin në barishte.


Në këtë konkluzion kanë arritur hetuesit vlonjatë në lidhje me vrasjen e disa ditëve më parë. Dyshimi i hetuesve bazohet në faktin që shumë pranë vendit ku është djegur trupi i biznesmenit është zbuluar edhe një gropë. Nga verifikimet ka rezultuar se ajo ishte e porsa hapur dhe në të mund të vendosej një trup njeriu.


Ekspertët që kanë rindërtuar ngjarjen pohojnë se biznesmeni Genci Abazaj është vrarë me plumba dhe trupi i tij është djegur për të vështirësuar identifikimin. Por vrasësit kishin parashikuar edhe groposjen e trupit në mënyrë që të mos gjendej asnjë gjurmë e 39-vjeçarit vlonjat që sapo ishte kthyer nga Italia.


Hetuesit ndodheshin dje në vendin e ngjarjes duke kryer analiza. Pas kryerjes së ekspertimit dhe marrjes të disa materialeve që mund të shërbejnë si prova materiale grupi hetimor është larguar , për të vazhduar në ditët në vijim ekspertizat e nevojshme për të tilla raste dhe gjetjen e provave materiale siç janë ato të gjurmëve të lënë në vend ngjarje. Ndërkohë, hetuesit pohuan se hetimet do të përqendrohen në aktivitetin e biznesmenit në Itali sepse për sa i takon Shqipërisë, ai nuk ka asnjë problem. Madje një grup special hetimor mund të shkojë edhe në Itali për të kryer disa verifikime.

Vetëvritet 59-vjeçari, shkak depresioni


KORÇË- Një 59-vjeçar nga Pogradeci i ka dhënë fund jetës së tij pas një periudhe të gjatë depresioni. Gjashtë muaj më parë, Agim Spaho kishte pësuar një aksident me makinë ku ka gjetur vdekjen e shoqja. Por Agimi nuk e ka duruar këtë traumë dhe në gjendje depresive i ka dhënë fund jetës në orët e pasdites teksa ndodhej në dhomën e gjumit.


Sipas policisë, ai ka përdorur doza helmi që i kanë marrë jetën. Familjarët e tij sapo e kanë gjetur të vdekur në dhomë kanë njoftuar policinë dhe grupi hetimor që ka shkuar në vendngjarje ka konstatuar se kufoma e të ndjerit nuk kishte asnjë shenjë dhune por viktima kishte përdorur doza helmi nga ka ardhur edhe vdekja. Policia ka kryer ekspertizën mjeko ligjore duke marrë provat e nevojshme për të përcaktuar se nga çfarë lloj helmi ka ardhur vdekja e 59- vjeçarit Agim Spaho.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›