Dy vjet burg gjobëvënësit të bankierit arab
Gjykata ka dënuar dje njeriun që i kishte kërkuar 85 mijë euro një bankieri arab ose do t'i vriste vajzën
TIRANË- Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, iu deshën shtatë seanca gjyqësore që në aplikim të gjykimit të shkurtuar të deklarojë fajtor të pandehurin Lulëzim Makishti dhe ta dënojë atë me dy vjet burg e 400 mijë lekë gjobë për veprën penale të gjobëvënies ndaj familjes së bankierit arab në Shqipëri, Ehab Saad.
Ky vendim u mor paraditen e djeshme nga pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Dritan Hallunaj.
"Gjykata vendos deklarimin fajtor të të pandehurit Lulëzim Abdurahim Makishti për veprën penale të gjobëvënies dhe dënimin e tij me tre vjet burgim dhe 600 mijë lekë gjobë. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht i pandehuri dënohet me dy vjet burgim dhe 400 mijë lekë gjobë",- ishte vendimi i gjykatës në lidhje me këtë çështje.
Sipas vendimit, i pandehuri Makishti është djali i ish-pastrueses të banesës së bankierit Ehab Saad. Ai i ka dërguar bashkëshortes së bankierit tre mesazhe kërcënimi, duke i kërkuar 85 mijë euro në të kundërtën do t'i vriste vajzën 9 vjeçe.
"Gjatë fazës së gjykimit është provuar se më datën 24 shkurt 2009, rreth orës 15:15 të drekës, në numrin personal të bashkëshortes së egjiptianit Ehab Saad, kanë ardhur tre mesazhe me tekst (SMS) në gjuhën angleze dhe duke u vetë identifikuar si punonjës policie.
Në të tre mesazhet, i pandehuri i kërkonte gruas egjiptiane të mos fliste me njeri veç burrit të saj dhe të paguanin 85 mijë euro. Në të kundërtën, do vritej bashkëshorti i saj, Ehab Saad, ose vajza 9 vjeçare",- thuhet në vendim.
Duke i kërkuar gjithashtu t'i kthente përgjigje vetëm me SMS-së se çfarë kishin vendosur, me qëllim që të binin pre e shantazhit dhe të paguanin ose të jetonin me frikën e kërcënimeve. Por, egjiptiani Saad pas këtyre SMS-ve kërcënuese është drejtuar në polici ku ka kryer kallëzimin penal.