Raporti: Bankat po mbajnë peng zhvillimin e biznesit
Fabiola Çela
Bankat nga katalizatorë po kthehen në frenues të rritjes ekonomike. Konkluzionin negativ e jep Banka e Shqipërisë në raportin e saj të publikuar dje për pjesën e parë të vitit. Sipas statistikave, ritmet vjetore të zgjerimit të aktivitetit kreditues janë pakësuar ndjeshëm. Norma vjetore e rritjes së portofolit të kredisë u ngadalësua më tej, duke arritur në 29 për qind në muajin shkurt. Ndonëse ngadalësimi i aktivitetit kreditues i shërben qëndrueshmërisë së pozicionit të jashtëm valutor të vendit, zgjatja në kohë e frenimit të kreditimit mund të ketë pasoja në aktivitetin ekonomik në vend. Sipas raportit, shtrëngimi i standardeve dhe i kushteve të kredidhënies nga bankat tregtare ka ndikuar, si në rënien e ofertës, ashtu edhe në kërkesën për kredi nga agjentët ekonomikë.
Raporti
“Ritmet e rritjes së aktivitetit kreditues janë reduktuar ndjeshëm gjatë tre muajve të fundit. Kjo ecuri, edhe pse shoqërohet me efekte pozitive në balancën me jashtë, ka efekte të padëshirueshme në perspektivën e zhvillimit ekonomik nëpërmjet ndikimit në konsum dhe në investimet private. Ecuria e portofolit të kredisë për biznese luan një rol kryesor në këtë drejtim. Tkurrja e financimit të projekteve investuese të bizneseve në ekonomi, do të ushtronte presion negativ në ritmet e rritjes ekonomike. Për më tepër edhe tkurrja e kredisë për individë do të ndikonte në rënien e konsumit apo të pasurisë të individëve, duke ushtruar më tepër presion për uljen e mëtejshme të ritmeve ekonomike”.
Bizneset
“Në tre muajt e fundit, ritmet e rritjes së kreditimit të bizneseve janë ngadalësuar dukshëm në 27 për qind. Kjo ecuri reflekton ngadalësimin e ritmeve të rritjes së kredisë për likuiditete dhe kontraktimin e dukshëm të kredisë për investime. Ndryshimi tremujor neto i kredisë për investime shfaq një rënie të moderuar, duke treguar si mungesën e mbështetjes nga sistemi bankar të projekteve afatgjata, ashtu edhe kërkesën më të ulët të bizneseve për këtë lloj kredie. Shumë biznese të ndikuara nga situata e pasigurt makroekonomike dhe implikimet e krizës financiare globale në ekonominë shqiptare, tregohen më të tërhequra në sipërmarrjet investuese. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2009, nga vrojtimi i aktivitetit kreditues të bankave, vihet re që bankat kanë shtrënguar kushtet edhe për kreditimin e bizneseve”.