Zhvlerësimi i lekut do rrisë çmimet e mallrave
Zhvlerësimi i monedhës vendase ndikon në rritjen e çmimeve të mallrave të importit në vend. Në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit niveli i inflacionit ka qenë më i ulët, çka do të thotë së çmimet e mallrave të ushqimeve këtë vit kanë kushtuar më pak se një vit më parë. Por çmimet e mallrave mund të rriten sërish dhe këtë herë shkak është zhvlerësimi i lekut. “Presionet inflacioniste të ushtruara nga inflacioni i importuar kanë ardhur në rënie edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2009. Në afat të shkurtër gjykohet që ndikimi joinflacionist i këtij faktori do të vazhdojë, nxitur kryesisht nga rënia e çmimeve të huaja. Megjithatë, zhvlerësimi i kursit të këmbimit të lekut ndaj monedhave kryesore paraqet rrezik për këtë skenar. Studimet empirike kanë dëshmuar për asimetrinë e përçimit të goditjeve në kursin e këmbimit te çmimet e konsumit. Masa e përçimit është më e madhe dhe kohëvonesa më e shkurtër në rastin e dobësimit të lekut, sesa në rastin e kundërt. Një zhvlerësim i lekut do të përkthehej në çmime më të larta importi, duke ushtruar presione rritëse në nivelin e përgjithshëm të çmimeve në vend”, thuhet në raportin më të fundit të Bankës së Shqipërisë.