E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmeni shkodran, skema e vrasjes që mund të shmangej

 

Nga i dërguari ynë në Shkodër, Ferdinand Dervishi

Nëse vrasësi do kishte hezituar të zbrazte armën edhe për pak kohë, Arben Bitanji, biznesmeni shkodran që gjeti vdekjen nga duart e mikut të vet, Afrim Rraboshta, do të ishte i gjallë. Të paktën në këtë përfundim ka arritur policia e Shkodrës duke hetuar ngjarjen. Ndërsa njeriu që do të mund të kishte realizuar këtë mrekulli ishte Përparim Rraboshta, vëllai i të akuzuarit për vrasje dhe njëkohësisht një nga miqtë më të ngushtë të biznesmenit Bitanji. Por duket fati jo gjithmonë gjendet në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. E gjitha kjo, e rrëfyer nga një prej krerëve të policisë së Shkodrës, merr formën e një tragjedie të mirëfilltë, që ka si protagonistë njerëz që janë miq mes tyre. Një prej të cilëve, i gjendur pa një rrugë zgjidhje të afërt, apo të dukshme, përballë presionit në rritje, zgjedh mohimin e tjetrit përmes vrasjes si zgjidhje të çështjes.
Skema e krimit
“Viktima dhe i akuzuari për vrasjen kishin hyrje e dalje familjare, ishin miq prej kohësh dhe kjo ishte e njohur nga të afërm të të dy palëve. Por për borxhin që Afrim Rraboshta i kishte Arben Bitanjit, nuk e dinte pothuaj askush”, rrëfen detaje të ngjarjes drejtuesi i policisë së Shkodrës, që është marrë drejtpërdrejt me hetimin. Sipas të njëjtit, Afrimi i kishte kërkuar borxh Arben Bitanjit për të përfunduar ndërtimin e një kompleksi shërbimesh në Barbullush. Duke qenë se bëhej fjalë për të ndihmuar një mik, viktima e ardhme është bindur dhe ka ofruar më shumë se 9 milionë lekë të rinj. Policisë paraprakisht i ka rezultuar se dy vëllezërit e Afrim Rraboshtës nuk kishin dijeni për borxhin, pasi vetë Afrimi i ishte lutur viktimës së tij të ardhme që të mos u thoshte asgjë. Duket me kalimin e kohës, edhe pse marrëdhëniet mes dy miqve ende ruanin pamjen e vjetër, kishin nisur të trokisnin probleme. “Duket kompleksi i ndërtuar në Barbullush nuk kishte mundur të siguronte të ardhura të mjaftueshme, në një kohë që shënjuesi i kohës tregonte se afatet për shlyerje të borxhit kishin nisur. Këtu duket nisin edhe problemet. Por, nga sa dimë ne, Afrimi i ishte lutur Arbenit që në asnjë rast të mos fliste për borxhin me vëllezërit e tij, pasi e kishte marrë përsipër shlyerjen i vetëm”, rrëfen zyrtari. Në këto kushte konflikti i panjohur apo i paditur nga të tjerët, ka nisur të trashet duke ardhur në majën e vet më 8 dhjetor, mbrëmjen e ditës së Bajramit. “Sipas verifikimeve që kemi bërë, atë ditë që të dy kanë qenë paksa në qejf nga alkooli i konsumuar dhe sërish i janë kthyer temës së borxhit. Sipas rrëfimit të Afrimit, të bërë pak orë pas prangosjes, Arbeni i kishte dhënë ultimatum për borxhin duke i thënë, ose të më kthesh të hollat, ose marrim fadromën dhe e rrafshojmë kompleksin. Duket shprehje të tilla e kanë acaruar situatën. Po kështu Arbeni, përkundër dëshirës së Afrim Rraboshtës, ka marrë në telefon vëllanë e tij, Përparim Rraboshtën, dhe i ka kërkuar të takohen duke i thënë të vijë urgjent, pasi ‘nuk po merren vesh për diçka’. Përparimi, i cili ka qenë me familjen duke u bërë vizita për Bajram disa miqve të vet në Shkodër, i ka ndërprerë ato dhe është nisur në drejtim të kompleksit në Barbullush, ku edhe ishte lënë vendtakimi. Por, për fat të keq, ka mbërritur pak sekonda me vonesë, pasi gjithçka kishte përfunduar”, rrëfen zyrtari i policisë. Po sipas tij, ndërkohë dy miqtë, Arbeni i ulur pas timonit të makinës së vet dhe Afrimi në vendin e pasagjerit, kishin mbërritur para kompleksit në Barbullush. Duke sajuar një pretekst, Afrim Rraboshta ishte futur në brendësi të kompleksit me mendjen të ndarë për të marrë një armë dhe për të vrarë mikun e vet, ndërsa tjetri, Arbeni, pa dyshuar asnjë grimë në djallëzinë e tjetrit, shfrytëzon kohën të bëjë një bisedë në telefon. Edhe pamja e fundit e tij e fiksuar në fotot e ekspertizës është me telefonin celular pranë veshit. Ndërkohë Afrimi, i armatosur, afrohet, hap derën e pasagjerit dhe nga fare pranë e zbraz pistoletën shtatë herë mbi kokën e mikut të vet. Më pas, në momente pasigurie, largohet në këmbë në drejtim të fshatit Kukël, por duke u kujdesur që më parë të fikë aparatin celular. Pak sekonda më pas, në vendin e vrasjes, apo në vendin e takimit që nuk u realizua, vjen Përparimi, vëllai i Afrimit. “Sipas dëshmisë që dha për ne, fillimisht Përparimi ka marrë në telefon të vëllanë, por ky e ka pasur të mbyllur, më tej ka marrë në telefon policinë duke njoftuar krimin”, përfundon zyrtari i policisë.
Një baba i vrarë
Ardhur tre ditë më pas, ngjarja e rëndë ka mbërthyer në fyt dy fise në Shkodër. Nga njëra anë familja e të akuzuarit për vrasje është ndryrë në Barbullush, e terrorizuar nga lajmi i papritur, nga ana tjetër familja e të ndjerit ende nuk e beson se gjithçka tashmë është një realitet, që nuk mund të kthehet pas. Ndue Bitanji, babai 70-vjeçar i Arbenit, biznesmenit të vrarë, në pamje të parë duket se mbahet për bukuri, edhe pse e shfaq hapur që është i pakënaqur me të gjithë palët. Më shumë e ka me policinë, që sipas tij ende nuk i ka trokitur në derë për t’i sqaruar të vërtetën e ngjarjes, por nuk mbetet pas edhe në akuzat ndaj disa mediave, që sipas tij e kanë vrarë për herë të dytë duke i faturuar me të padrejtë të birit një borxh të paqenë. Gjithsesi edhe pse ka humbur të birin në një kohë që nuk e mendonte kurrë, edhe pse për vrasjen akuzohet një nga miqtë e tij të familjes, Ndue Bitanji nuk humb arsyen kur biseda vjen në pikën më të vështirë. Thotë se vetë atij as i shkon në mend se një ditë duhet të zbatojë kanunin për të marrë hak. Përkundër, sipas tij, është shteti ai që duhet të çojë të gjitha gjërat në vend. Më tej tregon se si i biri, bashkë më të vëllanë, pesë vitet e fundit janë marrë me ndërtime të ndryshme dhe pohon miqësinë me vëllezërit Rraboshta. “Ishin miq, kishin hyrje e dalje familjare. Edhe ditën që u vra Arbeni ka qenë për Bajram te vëllai i të akuzuarit, Përparimi”, rrëfen i moshuari. Ndërkohë, Ndue Bitanji pohon se për borxhin që Afrimi i kishte Arbenit edhe në familjen e tij nuk dinte askush asgjë. “U desh pasaktësia në media që të gërmonim dokumentet dhe të gjenim diçka që na bindi për të kundërtën. Pra Afrimi i kishte djalit tim më shumë se 9 milionë lekë të rinj borxh”, shpjegon i moshuari. Ndërkohë të tjerë të afërm të të ndjerit shtojnë se të hollat i ishin dhënë të akuzuarit një vit më parë dhe se dokumenti ishte bërë vetëm si një veprim për të vënë tjetrin para përgjegjësisë, që të niste sa më shpejt shlyerjet. “Gjithsesi unë nuk jam për kanun. Nuk e dimë ende se kush na e ka vrarë djalin, pasi edhe policia nuk ka komunikuar të na e thotë, por edhe sipas disa rregullave të vjetra, edhe ata që përfliten në media, nuk na kanë dërguar fjalë”, përfundon Ndue Bitanji. 

“Sikur të dija për borxhin, Arbeni, miku im, do të ishte gjallë” 

Përparim Raboshta, vëllai i Afrimit, autorit të akuzuar të vrasjes së biznesmenit Arben Bitanji, ka dërguar në redaksi një deklaratë me anë të së cilës sqaron pozicionin e vet përballë ngjarjes. Sipas tij nuk ka dyshim që i vëllai, Afrimi, i kishte marrë borxh Arben Bitanjit, por për fat të keq ai nuk ishte në dijeni. Në të kundërt, sipas Përparimit, Arben Bitanji, që ishte edhe miku i tij më i mirë, do të ishte gjallë. Deklarata vjen më poshtë në formë të plotë. “Së pari shpreh ngushëllimin tim dhe të familjes sime për familjen Bitanji; për nënën, babën, gruan, fëmijët, Encon dhe Esterin, vëllezërit dhe të gjithë të afërmit e tij, për humbjen e mikut dhe shokut tim të ngushtë, i cili më është gjendur pranë në momentet më të vështira të jetës sime, atëherë kur katër maska të zeza terrorizuan gruan dhe fëmijët e mi për dy orë në shtëpinë time në Barbullush. Po jap këtë deklarim nën lotët që nuk më janë reshtur. Lidhja ime me familjen e Arbenit u shtua më shumë, pas asaj ngjarjeje të zezë të vitit 2006, kur familja ime u terrorizua. Unë dhe Arbeni kemi pasur një miqësi të sinqertë dhe lidhje familjare. Kemi drekuar me familjet tona dhe të gjitha herët ishte Arbeni që donte të paguante. Kështu ndodhi dhe në Isull të Lezhës, ku drekuan familjarisht për herë të fundit. Kemi qenë unë me gruan dhe fëmijët, Arbeni me nënën e tij, gruan dhe fëmijët. Miqësia jonë ka ardhur duke u forcuar. Dëshmitarë të kësaj miqësie janë albumet fotografike, pushimet në plazh, të cilat i kemi bërë dy familjet bashkë, miqësia e fëmijëve tanë, respekti që Arbeni u ka dhënë miqve të mi. Marrëdhëniet e punës mes meje dhe Arbenit kanë qenë të një korrektësie të jashtëzakonshme. Sa herë që i vëllai kishte nevojë të këmbente para, vinte tek unë. Pothuajse çdo ditë pinim kafe bashkë. Bashkë me Arbenin kemi ëndërruar për një të ardhme, ëndërr të cilën na e shkatërroi vëllai im. Jetoj me brengën se nuk munda ta ndaloj këtë tragjedi. Me vrasjen e tij u vra edhe një pjesë e bukur e jetës sime. Unë humba krahun e djathtë timin, shokun dhe mikun tim. Nuk kam arritur të kuptoj, të marr vesh për asnjë moment lidhjen që kishte im vëlla me Arbenin. Nuk kam pasur asnjë dijeni për lidhjen e tyre dhe për faktin se mes tyre kishte një problem të tillë. Jam gati të betohem në Kishë apo dhe në Xhami, se vëllai im për asnjë moment nuk më ka vënë në dijeni të borxhit, nuk më ka thënë që i ka marrë para borxh Arbenit. Po ta dija një fakt të tillë, asgjë nuk do të ndodhte, Arbeni do të jetonte dhe miqësia mes familjeve tona do të vazhdonte. Sigurisht që do të kisha bërë pagesën me para borxh dhe çdo gjë do të ishte zgjidhur. Mora shkas nga disa artikuj dezinformues, keqdashës, për të hedhur dritë mbi marrëdhëniet e të ndjerit Arben me pozicionin tim. Përsa i përket shumës së parave që vëllai im i kishte borxh Arbenit, nuk e vë në dyshim, është një fakt i besueshëm, sipas aktit noterial që kam përpara dhe po lexoj. Më vjen jashtëzakonisht keq që s’kam pasur dijeni për këtë borxh, për të cilin nuk më ka folur asnjëherë as im vëlla as, Arbeni, miku im. Sikur ta dija, gjithçka do të ishte si më parë, pasi do të bëja menjëherë shlyerjen e tij”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›