E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blendi Gonxhe: Ju rrëfej 15 themeluesit e parë të PD-së

 

Fatos Mahmutaj

Një prej protagonistëve të Lëvizjes Studentore në Dhjetor ’90 ka treguar grupin e 15 nismëtarëve të parë që krijuan Partinë Demo-kratike. Blendi Gonxhe, ish-kryetar i grevës së urisë së 723 studentëve në shkurt 1991 për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës, rrëfen detaje nga ditët që sollën pluralizmin.
Z. Gonxhe, si e kujtoni atmosferën e dhjetorit ’90, protagonistët dhe zhvillimet që ju kanë mbetur në mendje pas 18 vitesh?
Këto ditë kam shkruar shumë dhe shpesh për këtë ngjarje historike dhe kjo më ka bërë të jem edhe më i qartë për atë që sot mendoj për Lëvizjen e Dhjetorit 1990. Për mua Lëvizja e Dhjetorit ka një vend të çmuar në historinë tonë për një arsye mbi të gjitha. Eshtë ditëlindja e pluralizmit. Emrat dhe datat dalin në plan të dytë. Kjo vepër e jashtëzakonshme mbulon çdo protagonizëm tjetër. Kjo ditëlindje meriton të festohet nga e gjithë Shqipëria dhe rinia e saj, përjetë. Duke e festuar ne kemi nderuar njëkohësisht veprat individuale të qindra të rinjve, profesorëve e intelektualëve, që në fshehtësi për muaj e vite me radhë vranë frikën, së pari mes tyre, mes fakulteteve e në ambientet universitare, deri në shpërthimin e protestës në dhjetor. Por kjo festë i bën nderim edhe gjithë atyre veprave dikur anonime e sot publike të atyre qindra mijëra të persekutuarve, disidentëve të viteve të diktaturës, të cilët e panë dritën e diellit vetëm në pranverën e vitit 1991.
Unë kujtoj shumë shokë e profesorë në Institutin e Lartë të Arteve dhe në rrethet që unë frekuentoja, por në pamundësi për t’i përmendur të gjithë, dua të kujtoj patjetër kontributin e Edi Ramës, Edi Mukës, Ardian Klosit, Dashamir Pezës, Robert Stringës etj., për lëvizjen studentore në ILA, pa harruar durimin dhe zemrën e Teutës, atëherë bashkëshortja e Dashit, të cilët që të dy e kishin shndërruar shtëpinë e tyre në një bazë për studentë si unë, të njohur e miq të tyre, si një vatër lirie, ku profesori im i atëhershëm Edi Rama kishte selinë e ideve të tij, shpesh në kurriz të Xhimit dhe Amantias, fëmijëve të tyre, që e gjenin frigoriferin bosh sistematikisht.
Gradualisht, në klasë, pas shkolle, me profesorët, në grupe që zgjeroheshin e zmadhoheshin me studentë, fituam hapësirat tona, ku ndërtuam pak nga pak liritë tona të sigurta, të folurin hapur për çdo temë të mundshme e të ndaluar jashtë shkollës, të pikturuarit e të aplikuarit e subjekteve apo temave të ndaluara, deri sa krijuam një frymë, së pari mes nesh e pastaj për ata kuriozë që interesoheshin për “djemtë e arteve”. “Virusi” i së resë, i së bukurës, i eksitueses, ishte i pakurueshëm nga regjimi. Dhe “virusi” përhapej gradualisht edhe në fakultete të tjera, me fjalë, në çdo mundësi kontakti, në bulevard, kudo, dhe ndjehej që e thënë ose e përcjellë nga artistët ishte si t’i bëje anestezi bishës (sistemit) që të mos trembte dot qytetarët e frikësuar teksa ata kriptonin mesazhet dhe ikonat e programit të ri, demokracisë.
Nga brenda mureve të “kalasë” sonë, ILA-së, ndjeheshim të pamposhtshëm, “shkelnim” me këmbë çdo gjë të egër ndaj lirisë. Sapo kapërcenim pragun e derës monumentale të asaj godine aq të dashur për ne, ishte sikur e humbnim magjinë dhe njëkohësisht imunitetin. Ndaj, them se ndoshta atmosfera e studimeve në ILA, temperatura aty, mund të kenë qenë faktori kryesor shtytës për mua personalisht, përveç instinkteve inkoshiente që na tërhiqnin drejt së ndaluemes, drejt lirisë, drejt të kundërtës së atij mizerabiliteti ku jetonim.
Kujtoj ende me dridhma natën e 8 dhjetorit, kur me Robert Stringën, me një kamera të ILA-së, me të cilën prej muajsh eksperimentonim krijime enkas për të frymëzuar studentët e arteve me provokime kundër regjimit, vrapuam nga sheshi “Nënë Tereza” drejt Qytetit Studenti për të tentuar të filmojmë fillesën e revoltës dhe xhirimet e Bertit janë të parat sekuenca të lëvizjes së studentëve, janë skanimi i parë në bark i fëmijës që po lindte i lirë.
Natën e 8 dhjetorit, disa nga ne, me ndihmën e Ardian Klosit po spekulonim me një mbrëmje përkujtimore për John Lennon, që ta ndiznim atmosferën në ILA. Të nesërmen bindëm studentë e profesorë dhe së bashku u bëmë pjesë e historisë së Shqipërisë.
Eshtë pak të them që ndjehem i privilegjuar që kam qenë 19-20-vjeçar atë kohë.
Cilat kanë qenë kërkesat e para të Lëvizjes Studentore dhe si u artikuluan ato në takimin me Ramiz Alinë?
Studentët janë kudo, në çdo precedent historik, në ballë të luftës për ndryshime. Ambientet universitare ishin toka më pjellore për mbjelljen e demokracisë, dhe ashtu siç mbin një bimë, një lule, ashtu lindi demokracia në zemrat e studentëve shqiptarë. Ishte një dashuri me kushte. Nuk mund ta kishe për vete nëse nuk e ndaje edhe me të tjerët. Dhe mjaftoi vetëm një shkëndijë, që kjo masë e djegshme energjie të ndizej në Dhjetor ’90.
Lista e kërkesave ishte e nxehtë sa kjo flakë. Ishte lista më e gjatë e gjërave të munguara ajo që shkruam për Ramizin dhe Byronë. Ajo listë ishte akuza e të privuarve për privuesit. Durimi nga lodhja e të jetuarit të atyre mungesave u sos në dhjetor. Dhe njerëzit, qytetarët, bijtë e tyre, kërkonin vetëm që t’u kthehej ajo që u ishte marrë me dhunë. Liria e tyre. Garancia jonë e vetme ato ditë ishte sensibilizimi sa më i madh te Tirana dhe rrethet, dhe ndaj kërkesat duhet të përfshinin këdo nevojtar, kudo ku ai jetonte e punonte, në qytet, fshat, konvikt, repart ushtarak, fabrikë etj. Hipoteka jonë e patundshme ishte masa prej dhjetëra mijëra protestuesish paqësorë në sheshin “Demokracia” të Qytetit Studenti. Në krahët e tyre, ne u ngjitëm në Pallatin e Brigadave të takojmë Ramiz Alinë për lëshimin e parë, pluralizmin politik. Dolëm me sihariqin dhe e ndamë atë me detin e guximtarëve në Qytetin Studenti, duke festuar deri në agim.
Akoma të nxehtë, pak nga ne kishin analizuar aty për aty trukun e Ramizit ose të Partisë së Punës, i cili i dha efektet menjëherë në ditët më pas, por vazhdon edhe sot e kësaj dite të kushtëzojë zhvillimet politike në Shqipëri. Mungesa e një disidence prej dekadash, mungesa e një formimi politik jashtë eksperiencave të Partisë së Punës, qoftë edhe në ilegalitet, për shkak të represionit më të egër të ushtruar nga diktatura më e ligë në historinë botërore të komunizmit, e kishte lënë djerrë shoqërinë shqiptare dhe kjo u shfrytëzua me cinizëm nga punistët, të cilët duke synuar njëkohësisht që ta shfrynin volumin e protestës, kaluan bile edhe në një kundërsulm taktik.
Duke lejuar pluralizmin që në takimin e parë, e gjithë lëvizja kapej e papërgatitur, dhe ethet e krijimit të partisë së parë opozitare pas 45 vitesh diktaturë nuk ishin asgjë përpara sfidës që na priste, sepse duhej themeluar partia në 2 orë, me lëndë rrethanore, me një bashkim rastësor njerëzish, të cilët as nuk njiheshin 2-3 ditë më parë, historitë e të cilëve nuk vinin të qarta, nuk dihej çfarë përfaqësonin realisht, dhe pasojat e kësaj hileje ne i paguam një më një në këto 18 vite tranzicion problematik.
Partia e Punës ndihej shumë më mirë me sa dukej nëse kuadrot e saj shpërndaheshin dhe kontrollonin thuajse të gjitha partitë që u krijuan më pas, dhe nga kjo nuk shpëtoi as Partia Demokratike.
Falë boshllëkut, intoleranca, injoranca politike, mentalitetet e vjetra, zakonet, gjuha e vjetër, lufta ndaj mendimit ndryshe dhe instinktet pragmatiste të ish-punistëve, zunë këmbëkryq piedestalet e të gjitha partive, duke e vonuar ardhjen e ndryshimit të ëndërruar nga shqiptarët. Një katarsis real nuk u bë dot kurrë.
Unë personalisht mendoj se nëse Partia Demokratike dhe spektri politik i krijuar në vitet pas, do të kishin më pak komunistë nga Partia e Punës, Shqipëria sot do të ishte më e mirë dhe më e jetueshme. Fakti që fryma demokratike në PD pati rënie të vazhdueshme në vite, duke kulmuar me ngjarjet e viteve ’96-’97, vërtetoi se genet e fëmijës që kishte lindur nuk ishin të shëndetshme. Shqipëria ka paguar koston më të lartë në krahasim me vende me histori të ngjashme me tonën, për periudhën e tranzicionit, e cila fatkeqësisht nuk ka mbaruar ende. Gabimet e themelimit si edhe ato të lidershipit të PD-së gjatë viteve ’91, ’92, ’96, sot ndoshta janë kthyer në mësime edhe për vetë ata. Nga ana tjetër sot po përballemi edhe me një fenomen tjetër, atë të emulacionit të punistëve duke u shpallur si “politika të reja”. Po a mund të jenë këta persekutorë ose bashkëpunëtorë të regjimit komunist flamurtarë të moralit të ri? Kurrsesi jo! Nëse këta ndjejnë sadopak pendim për të shkuarën e tyre dhe nëse u djeg xhani për vatanin, në vend që të na pispillosen e spërdridhen foltoreve, duhet të hapin krahun e t’ia lëshojnë statusin e tyre aktual mendësive realisht të reja, politikanëve të rinj, personaliteteve pa skelete në dollapë, në mënyrë që “politika e re” të ketë një moral të ri, të besueshëm dhe fitues.
Ka pasur spekulime dhe janë botuar disa lista gjatë këtyre viteve, mund të na thoni cilët qenë themeluesit e PD-së?
Në interes të lexuesve të gazetës suaj po ju njoh me listën e saktë të 15 anëtarëve të komisionit nismëtar të themelimit të Partisë Demokratike, lista e parë zyrtare e përfaqësuesve të asamblesë themeluese të së parës parti politike të pluralizmit, e zgjedhur në datën 13 dhjetor 1990, tek salla e kinoklubit të Qytetit Studenti:
Nga studentët: 1. Azem Hajdari, 2. Tefalin Malshyti, 3. Shinasi Rama, 4. Arben Lika, 5. Blendi Gonxhja, 6. Alma Bendo (e cila u largua pak ditë më pas)
Nga intelektualët: 7. Sali Berisha, 8. Arben Imami, 9. Preç Zogaj, 10. Gramoz Pashko, 11. Mitro Çela
Nga klasa punëtore: 12. Sokrat Nesturi, 13. Ilir Myftari (nga sindikatat), 14. Merita Zaloshnja, 15. Zenel Hoxha
7 anëtarët e tjerë, të cilët u kooptuan në komisionin nismëtar pas datës 13, por që ishin në sallën e kinoklubit të Qytetit Studenti natën e themelimit:
Arben Demeti, Sekretar Organizativ, Aleksandër Meksi, Genc Ruli, Eduart Selami, Bardhyl Reso, Petrit Dodbiba, Edmond Budina
Si student i dhjetorit ’90, si e shihni sot këtë datë në raport me realitetin?
Në sheshin “Demokracia” në Dhjetor ’90, unë kam prekur nervin dhe pulsin e kombit tim për ndryshim. Aty, përveç atyre që kremtonin kapitullimin e regjimit komunist, kishte po aq protagonistë që i deklaronin atdheut të tyre projektet e tyre individuale për një të nesërme më të mirë. Një prej tyre jam edhe unë, dhe sot më shumë se kurrë, jam i bindur se ka ende shumë për të bërë për vendin ku kemi lerë dhe për një të ardhme më dinjitoze për fëmijët tanë.

Themeluesit

1. Azem Hajdari
2. Tefalin Malshyti
3. Shinasi Rama
4. Arben Lika
5. Blendi Gonxhja
6. Alma Bendo
7. Sali Berisha
8. Arben Imami
9. Preç Zogaj
10. Gramoz Pashko
11. Mitro Cela
12. Sokrat Nesturi
13. Ilir Myftari
14. Merita Zaloshnja
15. Zenel Hoxha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›