E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtimet e qeverisë dhe rrogëtari i propagandës

Ilir Beqja 

Kanë kaluar 40 muaj që kur Sali Berisha ia doli ... të kthehet në pushtet. Motoja kryesore e fushatës së tij ishte  “Me duar të pastra”. Të martën, 9 dhjetor 2008, një sondazh i pavarur tregoi se shqiptarët vazhdojnë të mendojnë se korrupsioni është një nga problemet e tyre më të mëdha. Të mërkurën, 10 dhjetor 2008, rrogëtari i qeverisë për marrëdhëniet me publikun, vazhdon të broçkullisë “për fitoren e duarve të pastra më 3 korrik 2005”.
Në të njëjtën broçkulltije, rrogëtari i Sali Berishës për marrëdhëniet me publikun shkruan për “premtime të mbajtura dhe mirëqenie në rritje”. Në periudhën shtator–nëntor 2008 kam qenë i ftuar në disa debate televizive si përfaqësues i Partisë Socialiste. Përballë kanë qenë përfaqësues të ndryshëm të qeverisë. Në këto debate kam konstatuar se ministrat apo të tjerë zyrtarë të qeverisë nuk e njohin akoma programin e qeverisë së tyre. Flas për dokumentin e programit të qeverisë së PD-së, që është votuar në 6 shtator 2005 në Kuvendin e Shqipërisë.  Pikërisht se nuk e njohin programin e qeverisë së tyre, gjatë debateve nuk i janë referuar asnjë herë çfarë është e shkruar në program. Ndoshta zyrtarët mund të jenë të kënaqur që janë realizuar ato budallallëqe e idiotësi që shefi i tyre u thotë shqiptarëve çdo të mërkurë paradite gjatë mbledhjeve të qeverisë. Mesa duket për të njëjtën gjë flet edhe rrogëtari i Sali Berishës. Kjo është arsyeja pse nuk citon cilin prej premtimeve ka realizuar qeveria që i jep rrogën. Mundet që nuk arrin të kuptojë premtimet apo nuk di se ku të gjejë realizimet. Mundet që nuk e lejon shefi i tij, pasi shifrat janë ekskluzivitet i Sali Berishës.
 PROGRAMI I QEVERISË
Në vijim po radhis disa prej premtimeve të programit dhe po paraqes situatën aktuale të realizimit të tyre.
Tatimet
Ja çfarë premton programi i qeverisë për tatimin mbi vlerën e shtuar. Nënvizoj që TVSH-ja përfaqëson 38–40% të të ardhurave tatimore. “Tatimi mbi vlerën e shtuar do të ulet nga 20% që është sot në 17%. Do të adoptohet një shkallë e dytë tatimore prej 6% vetëm për furnizimet me energji elektrike si dhe do të zgjerohet shporta e TVSH 0% për furnizimet e shërbimeve të edukimit, barnat dhe shërbimet mjekësore; furnizimet për mediat dhe furnizimi i gazit të lëngshëm”. Ja ku jemi sot. TVSH-ja ka mbetur në 20%. Nuk u aplikua shkallë e veçantë tatimore për energjinë elektrike edhe pse çmimi i saj u rrit. Në dhjetor 2007 qeveria vendosi zbatimin e TVSH-së në arsim dhe shëndetësi. Që të gjitha këto janë të vërteta, i ka pranuar në prezencën time ministri i Financave në televizionin “Klan”.
Rrugët rurale
Ja çfarë premton programi i qeverisë për rrugët rurale. “Në veçanti në 4 vitet e ardhshme do të kryhet shtrimi e asfaltimi i 4000 km rrugë rurale me efekte të shumëfishuara në uljen e varfërisë dhe rritjen e mundësive për zhvillim të zonave rurale e malore të vendit”. Në serialin e idiotësive të mbledhjeve të së mërkurës, kryeministri e ka çuar premtimin në 6000 km. Pas 40 muajsh qeverisje janë në procedurë prokurimi apo kontraktimi 12 segmente rrugore me gjatësi së bashku jo më shumë se 450 km. Këtë gjë e konfirmoi edhe në prezencën time zv/ministri i Punëve Publike në televizionin shqiptar. Ministri i Jashtëm (për një pjesë të mandatit edhe ministër i Rrugëve) para disa javësh deklaroi në televizionin “Klan”, se deri në fund të mandatit do të bëhen 1600 km rrugë rurale. Edhe në qoftë e vërtetë (shpresoj të jetë kështu për të mirë të shqiptarëve), është vetëm 40% e programit qeveritar dhe vetëm 27% e premtimit personal të kryeministrit.  
Furnizimi me energji elektrike
Ja çfarë premton programi i qeverisë për furnizimin me energji elektrike. “Do të synohet që brenda vitit 2007 të garantohet furnizimi i pandërprerë i energjisë elektrike. Do të instalohen matësit në të gjithë konsumatorët e, për rrjedhojë, do të marrë fund brenda vitit 2006 faturimi aforfe dhe do të rriten arkëtimet në mbi 95% nga rreth 88% që ishin ato në vitin 2004”. Edhe në dhjetor 2008 është evidente që furnizimi i pandërprerë i energjisë elektrike nuk është i garantuar. Ende në dhjetor 2008 vazhdon faturimi aforfe i energjisë elektrike. Arkëtimet janë nën 85% me gjithë marifetet, që në vitin 2007 u faturuan 377 ditë energji elektrike dhe jo 365 ditë, duke e rritur artificialisht me 3.4% rezultatin e vitit. Në vitin 2007 vetëm 48% e energjisë së hedhur në rrjet është arkëtuar. Pra, nga 180 milionë EUR të shpenzuar për importin e energjisë elektrike në vitin 2007, 93 milionë kanë shkuar dëm si pasojë e keqqeverisjes. Të gjitha këto janë pranuar në prezencën time në një debat në televizionin shqiptar nga ministri që merret me energjinë.     
Pensionet
Ja çfarë premton programi i qeverisë për pensionet. “Pensionet do të dyfishohen brenda periudhës 4-vjeçare, ndërsa do të vazhdojë ngushtimi i diferencës së pensioneve të qytetit me ato të fshatit”. Në 1 korrik 2005 pensioni minimal në qytet ishte 7.850 lekë në muaj. Që të dyfishohet pensioni do të thotë që në 1 korrik 2009 të jetë 15.700 lekë në muaj. Nëse përfshijmë në llogaritje edhe rritjen e premtuar për vitin e ardhshëm, pensioni minimal në qytet do të jetë 10.465 lekë. Pra rritja në 4 vjet do të jetë 33.3% ose vetëm 1/3 e premtimit të programit të qeverisë. Të gjitha këto janë pranuar në prezencën time në një debat në televizionin KLAN nga ministri i Financave. Zyrtarët mund të pretendojnë se kanë rritur pensionet e ulëta. Ja çfarë ndodh me to. Në 1 korrik 2005 të ardhurat minimale të pensionistëve të pleqërisë në qytet ishin 8.350 lekë në muaj. Nëse përfshijmë në llogaritje edhe rritjen e premtuar për vitin e ardhshëm, të ardhurat minimale të pensionistëve në qytet do të jenë 12.225 lekë. Pra rritja në 4 vjet do të jetë 46.4%, ose më pak se gjysma e premtimit të programit të qeverisë.

Mirëqenia
Programi i qeverisë nuk ka ndonjë premtim të matshëm për rritjen e mirëqenies. Rrogëtari i qeverisë për marrëdhëniet me publikun flet për mirëqenie në rritje. Është e vështirë që këtë ta besojnë shqiptarët. Është e vështirë të bësh edhe oponencën profesionale, pasi nuk ka të dhëna të mjaftueshme dhe të freskëta zyrtare. Për mirëqenien vazhdojnë referencat me të dhënat e 2005-ës. Por le të japim disa shifra konkrete. Sipas anketës së buxheteve të familjeve në dhjetor 2007, një familje shqiptare me 4 anëtarë kishte nevojë për 70 mijë lekë për konsum mujor. Akoma nuk kishim shtrenjtim të naftës dhe të çmimit të energjisë, akoma shqiptarët nuk kishin parë prej vitesh inflacion mujor mbi 4.5%, akoma nuk kishim 30% rritje të çmimit të librave shkollorë. Pra, secili prej prindërve duhet të kishte një rrogë neto mujore prej 35 mijë lekësh. Që të marrësh në dorë 35 mijë lekë në muaj, duhet të kesh një rrogë mujore bruto prej 44.415 lekë në muaj. Edhe pas rritjes së pagave në korrik 2008, paga mesatare nuk kalon 38 mijë lekë në muaj. Pra, një familjeje normale me 4 anëtarë nuk i mjaftojnë të ardhurat nga puna për të jetuar.
Këto ishin disa nga premtimet e pambajtura. Ka edhe shumë të tjerë, por kësaj here rreshtova ato që i kanë pranuar publikisht zyrtarë të lartë të qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›